Kur bëhet fjalë për destinacionet turistike në Kosovë, Komuna e Dragashit padyshim që është ndër ato që ia vlen të vizitohet pasi ofron alternativa të shumta për bjeshkë e pyje, pa lënë anash as lumenjtë, ujëvarat e liqenet.

Dragashi është komuna më jugore e Kosovës, që shtrihet mes bjeshkëve përrallore që ndajnë kufirin e Kosovës me Maqedoninë dhe pyjeve të larta e të pasura me llojllojshmëri drurësh e kafshësh të rralla që ndajnë Kosovën me Shqipërinë.

 

Komuna përbëhet nga dy treva, ajo e Opojës dhe Gorës ku secila nga këto troje paraqesin dy etnitete me gjuhë  të ndryshme. Opoja etnikisht e pastër me shqiptarë e me gjuhën e tyre shqipe dhe Gora etnikisht e pastër vetëm me goranë, Boshnjak – myslimanë, me gjuhën e tyre specifike gorane, Boshnjake.

Rreth 40 minuta larg nga Prizreni, derisa përshkruan rrugën për në Dragash mund të çlodhesh me ajrin e pastër dhe peizazhin e gjelbër në një pamje të gjerë.

Prej disa vitesh në fshatrat e Dragashit ka filluar të zhvillohet turizmi dhe nga viti në vit është rritur numri i turistëve elitarë që frekuentojnë bukuritë përrallore që ofrojnë bjeshkët dhe pyjet e zonës.

 

Pamje nga Opoja gjatë dimrit

Ky destinacion turistik ofron zgjidhje të për kryer për t’i ikur vapës gjatë verës, derisa është zgjidhje ideale gjatë dimrit për ata që e duan skijimin.

Të 38 fshatrat e Dragashit ofrojnë ndonjë specifikë të veçantë por ne kemi përzgjedhur pesë pikat kryesore që inkurajoheni t’i vizitoni në verë apo dimër.

Fauna e Maleve të Sharrit përfshin shumë kafshë të rralla dhe të rrezikuara. Këtu bëjnë pjesë një numër gjitarësh, si ariu i murrmë, rrëqebulli, derri i egër, ujku, kaprolli, dhia e egër dhe shpendët si shqiponja e malit, thëllëza e malit, gjeli i egër, skifteri kthetrabardhë, bufi, dhe shkaba.

1. Brodi është padyshim ndër destinacionet më përrallore në Kosovë për t’u vizituar. Gjatë pranverës së vonshme dhe verës ofron një natyrë fantastike që nga dashamirët e natyrës është krahasuar me natyrën  e Teletubby. Derisa gjatë stinës së dimrit të apasionuarit e skijimit mund të shfrytëzojnë pistat e skijimit pothuajse gjatë tërë stinës për shkak se terreni e mban borën deri në pranverë.

 

Brod

Terreni po ashtu është i pasur edhe me lumin me ujë të pastër dhe liqene të vegjël që kanë ujë gjatë tërë vitit.

Gjithashtu te ky destinacion mund të kaloni edhe natën pasi ekziston hoteli buzë bjeshkës me mjaft dhoma.

 

Skijimi në Brod, ndër atraksionet kryesore

2.Bjeshka  e Zaplluxhës është fillimi i një tjetër destinacioni që ofron një aventurë të shkëlqyer.

Në këto bjeshkë ndodhen disa nga pikat më të larta në Kosovë ku do të mund të shihen pamje madhështore në 360 shkallë duke përfshirë vende nga tri shtete: Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Gjatë pranverës e verës mund të shijohen edhe liqenet që ndodhen në kufi mes Kosovës dhe Tetovës.

 

Kufiri Kosovë – Maqedoni e Veriut / Foto:Hiking Njeri

Gjatë dimrit në këto bjeshkë po ashtu mund të skijohet ku ekziston edhe skilifti.

3.Restelica ofron natyrën përrallore derisa fshati i pazakontë shtrihet mes majave të thepisura të Sharrit, me një florë dhe faunë shumë të pasur.

Nuk është e pazakontë të hasen edhe dhitë e egra që rëndom i shohim në dokumentarët e National Geografic.

 

Restelica /Foto: Hiking Njeri

Nëse ngjiteni në Majën Abdaf (rreth 2150 metër lartësi) do të keni mundësi të shihni të gjitha bjeshkët e Dragashit, bjeshkët veriore të Shqipërisë, Korabin dhe pamje tjera.

 

Pamje mbi bjeshkët e Restelicës

4.Koritniku është një destinacion perfekt për ata që pëlqejnë eksplorimin e pyjeve dhe majat e larta.

Në lartësi mbidetare rreth 2 mijë e 400 metër në Koritnik, mes Dragashit dhe Kukësit ndodhet Maja e Pikëllimës nga e cila shijohet pamja e mrekullueshme e bashkimit të Drinit të Bardhë e Drinit të Zi.

 

Liqeni i Fierzës parë nga Koritniku

Pamjet nga kurrizi dhe Maja e Koritnikut janë spektakulare nga ku mund të shihen liqeni i Fierzës, Pashtriku, Prizreni dhe disa fshatra të Dragashit.

5.Liqeni i Breznës i njohur ndryshe edhe si Liqeni i Opojës është i vetmi liqe relikt në tokat shqiptare. Kjo është një nga arsyet se pse ju duhet patjetër ta vizitoni atë vend.

Liqenet relikte janë mbetje të deteve ose liqeneve të dikurshme.

Liqeni i Breznes është i gjatë 250 metra dhe i gjerë 150 metra.

Pranë liqenit ofrohet një ambient i mrekullueshëm ku mund të çlodheni, shijoni ndonjë ushqim apo pije dhe pse jo edhe të peshkoni

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.