Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke e shpallur të pafajshëm nga akuzat për korrupsion, në rastin “Prevalla”, ish-kryeinspektorin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bedri Halimin. Lajmin e ka bërë të ditur vet Halimi, përmes një postimi në Facebook.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ngritur më 18 nëntor 2019, Bedri Halimi, duke punuar si kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional “Sharri” në Prevallë, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me vendimin e ministrit të MMPH-së Nr.34/13 të datës 15 nëntor 2013, me të cilin urdhërohet rrënimi i objekteve pa leje, brenda Planit Rregullues Urban në Parkun Nacional, në atë mënyrë që, edhe pse e ka hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza, të njëjtin nuk e ka përmbushur.
Sipas aktakuzës, në fazën e parë ishin rrënuar 180 objekte, në fazën e dytë nga 28 vendime për rrënim, janë zbatuar vetëm 20, duke mbetur edhe 8 vendime të pazbatuara, në fazën e tretë, nga 45 vendime për rrënim, 16 ishin revokuar ndërsa 29 vendime kanë mbetur të pazbatuara, në fazën e katërt fare nuk ishte implementuar, ashtu që nga 14 dhjetorit 2013 e deri tash nuk ka zbatuar asnjë prej vendimeve edhe pse të njëjtat janë ende në fuqi.
Kujtojmë se Halimi, në nëntor të vitit të kaluar, ishte shpallur i pafajshëm nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë por vendimi ishte animuar dhe kjo çështje është përmbyllur tani, kur edhe Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Themelores.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.