Gjermania iu bashkua Francës të martën në kritikat kundër Shteteve të Bashkuara, të cilat i akuzuan për bisedime sekrete për nënshkrimin e paktit të sigurisë me Australinë e Britaninë, duke ia humbur Parisit marrëveshjen miliardëshe për nëndetëset.
Ministri gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth, në kohën e takimit me homologët e tij në Bruksel para gazetarëve deklaroi: “Ne nuk mund të varemi ekskluzivisht nga të tjerët, por duhet të bashkëpunojmë dhe duhet t’i tejkalojmë dallimet e të flasim me një zë”
“Të gjithë duhet të ulemi në një tavolinë, besimi i humbur duhet të rindërtohet dhe kjo qartazi nuk do të jetë e lehtë, por ne duam të japim një kontribut konstruktiv”, shtoi ai, shkruan Reuters.
Përplasja e BE-së me Shtetet e Bashkuara ka të bëjë me marrëveshjen që Australia ka bërë me ShBA-në e Britaninë për prodhimin e nëndetëseve me energji bërthamore. Australia kishte marrëveshje për këtë qëllim me Francën, por hoqi dorë prej saj pas disa ankesave.
Ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Yves Le Drian, ka thënë se ai dëshiron të dijë se pse vendi i tij është lënë tërësisht në errësirë. Raportohet se për paktin e ri nuk është konsultuar as kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, pavarësisht lidhjeve të ngushta historike, kulturore e ekonomike mes Evropës, Australisë e ShBA-së.
Mosmarrëveshja i ka vënë në pikëpyetje edhe bisedimet për tregti të lirë mes Bashkimit Evropian e Australisë. Rundi i ardhshëm është planifikuar për muajin tetor, por nuk dihet nëse do të vazhdojnë bisedimet.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.