Fushata elektorale në Kosovë, kritikohet qasja e partive politike ndaj mediave

Opoja.net Opoja.net Kosova

Në kohë të fushatës elektorale, zyrtarë të partive politike në Kosovë po shfaqin akuza dhe sulme ndaj mediave dhe raportimeve të tyre.

Me raportimet e mediave, pakënaqësi po shfaqin zyrtarët politik, të cilët gjatë fushatës, pa përjashtim, po i fajësojnë ato për sulme e mosraportim të drejtë.

Një gjë e tillë po kundërshtohet nga njohës të fushës për të drejtën e medias.

Agron Bajrami, anëtar i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, njëherësh kryeredaktor i gazetës “Koha Ditore”, thotë për KALLXO.com se vetë partitë politike janë duke nxitur diskurs negativ.

“Para së gjithash po më duket që vetë partitë janë duke e nxitur fushatën me gjuhën e tyre dhe duke e nxitë një diskurs shumë negativ, para së gjithash mes vete por edhe mes politikës dhe qytetarit. Mediat në përgjithësi janë pjesë e këtij diskursi për shkak të politikës, nuk është se mediat e kanë shpikur, janë politikanët ata që janë përgjegjës për diskursin”, tha ai.

Ai thotë se mediat e kanë për detyrë që të raportojnë për zhvillimet.

“Se çka po flitet dhe çka po ndodhë dhe në këtë po mendoj që deklarimet e tilla janë krejtësisht pa vend. Sigurisht që edhe në diskursin medial, sidomos në debatet analitike, mund të dëgjojmë gjithçka, mirëpo kjo është kostoja e lirisë së shprehjes, të cilën e paguan secila shoqëri demokratike. Ne duhet të mësohemi me lirinë për të kritikuar dhe për të kontestuar vendimmarrje apo pozicionime politike”, shprehet Bajrami.

Bajrami ka theksuar se është shumë me rëndësi që të gjitha partitë politike të kuptojnë që puna e tyre shihet qartë nga publiku dhe vlerësohet përmes votës.

“Përpjekjet për të hequr përgjegjësinë për një përceptim negativ ndaj dikujt përmes mediave, është vetëm shmangie e përgjegjësisë personale për punën që e kanë bërë”, tha ai për KALLXO.com.

Flutura Kusari juriste për të drejtën e medias dhe aktiviste, thotë për KALLXO.com, se partitë politike nuk kanë të drejtë të akuzojnë mediat për dështimet e tyre.

“Të akuzosh mediat për dështimet e tua është të kopjosh qasjen e dështuar të Donald Trump. Janë pikërisht militantët politikë (minionët politikë) të partive politike të cilët në mungesë programi kanë orkestruar keqinformim dhe zhurmë”, theksoi ajo.

Sipas Kusarit, relacioni në mes të partive politike dhe mediave është duke ndryshuar shumë shpesh, kryesisht për shkak të qasjes së gabuar të partive.

“Në momente të caktuara, partitë krijojnë afërsi të tepruar me media të caktuara por kur këto media fillojnë t’i kritikojnë ato, partitë i bojkotojnë. Kjo është qasje e gabuar që dëmton demokracinë. Partitë politike financohen nga paraja publike prandaj janë të obliguar që t’i japin llogari të gjitha mediave, pa diskriminim”, vlerësoi ajo, në një prononcim për KALLXO.com.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.

Të martën zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) shfaqën akuza ndaj mediave.

 

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti ka thënë se zhurma mediake në vend s’ka lejuar që të dalë në sipërfaqe “puna e mirë që ka bërë qeveria e tij”.

 

“Në zhurmën e madhe mediatike, zëri i arsyeshëm nuk ka mbërri të dalë në sipërfaqe sa duhet edhe pse e kemi thënë qartë. Zhurma e madhe mediatike me qëllime destruktive, nuk ka lejuar me dalë në sipërfaqe zëri i arsyeshëm, puna që është bërë gjatë këtyre gjashtë muajve që bazohet në trashëgiminë e madhe të LDK-së”, tha ai në një tubim elektoral në qytetin e Vitisë.

Edhe më i ashpër me deklaratë u tregua kandidati i kësaj partie për deputet, Lumir Abdixhiku i cili mes tjerash, tha se kanalet mediatike janë kundër partisë së tij.

“Këtë herë kjo betejë është më e vështirë sepse të gjithë janë bërë kundër nesh. Të gjithë, pa dallim. Partitë politike, mendjet që thirren si të pavarura, kanalet mediatike e kështu me radhë. Dhe nuk po e sulmojnë vetëm qeverisjen dhe modelin e LDK-së, po e sulmojnë LDK-në për 31 vite kontribut, për këtë bëhet fjalë”, ka thënë ai në tubim elektoral.

 

 

Me 21 janar të këtij viti, shefi i shtabit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh anëtari i kryesisë, Betim Gjoshi përmes një konference për media pati njoftuar se kjo parti ka shkëputur çdo komunikim me “TV Dukagjini” dhe e ka akuzuar këtë televizion për propagandë politike.

Gjoshi ka thënë se e shkëpusin edhe çdo platformë mediale që është “në pronësi të oligarkut të të gjitha sistemeve, para dhe pas luftës në Kosovë, Ekrem Llukës”.

Në këtë konferencë, ai shtoi se zyrtarët e PDK-së nuk do të marrin pjesë në asnjë debat politik të ‘Radiotelevizionit Dukagjini’. Ai kishte akuzuar këtë televizion se “ka kohë që është shndërruar në zyre të propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Albin Kurtit”.

Këto akuza janë dënuar nga përfaqësues të institucioneve për media në Kosovë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

Fjalë kyqe:
- Reklama-
- Reklama-