Bjeshkët e Sharrit janë vërshuar nga banorë moshash e gjinish të ndryshme, të cilët për të siguruar mbijetesën, ngjiten majave të bjeshkëve për të vjelë boronica, bimë mjekuese e fruta të tjera mali.
Banorët theksojnë se vjelja e këtyre frutave ka nisur në pranverën e hershme për t’u intensifikuar më pasë në pjesën e dytë të korrikut dhe gjatë muajit gusht, me boronica dhe bimë të ndryshme mjekuese, të cilat dorëzohen në disa pika grumbulluese të Sharrit.
Banorë të fshatrave: Glloboçicë e Krushe të Gorës, shprehen se këto ditë me dhjetra banorë këndej e andej kufirit me Shqipërinë, zbresin deri në Krushe për të dorëzuar produktet e grumbulluara.
“Nga kontaktet që kam me qytetarët, të cilet janë duke u marrë me këtë veprimtari, kam mësuar se ka familje, e cila vetëm nga shitja e boronicave fiton nga 2 qind euro në ditë”, ka thënë Arif Hoxha.
Ndërkaq, nga disa banorë që grumbullimit të këtyre frutave i janë përkushtuar bashkë me familjet, thonë se kanë siguruar disa rezerva sa për të kaluar edhe këtë dimër.
“Rreth një muaj bashkë me familjen kam mbledhur deri në 50kg boronica në ditë dhe kjo kur të shumëzohet për 3 euro, sa aktualisht është çmimi i tyre nuk është pak, por po kemi mjaft vështirësi me rrugëtimin”, kanë thënë Misin Domuzeti, nga Pllajniku.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se edhe kultivimi i mjedrave është duke sjellë përfitime të mira familjare, duke nënvizuar se vetëm nga 40 arë sipërfaqe me këtë bimë frutore, ka siguruar 1 mijë kilogramë, çmimi i të cilave është 1.5 euro për një kilogram. Por, sipas banorëve, edhe kjo kategori e qytetarëve ka nevojë për përkujdesje më të madhe institucionale, shkruan Koha Ditore.
“Meqë po duket se Qeveria lokale nukka mundësi që na ndihmojë ndryshe, është mirë që së paku t’i riparojë disa rrugë deri në afërsi të bjeshkëve, të cilat do të na lehtësonin punën”, shprehej Hajriz Berisha.
Nga ana tjetër, pronari i firmës “Hitflores”, Nuridin Bajrami, i cili bën grumbullimin e këtyre frutave, pos që shprehet i kënaqur, si me përfitimet e kësaj firme, ashtu edhe me shërbimet që është duke ua ofruar qytetarëve, thekson se firma e tij ka siguruar tregun për plasimin e këtyre frutave, pavarësisht nga sasia e grumbullimit, ndërsa, sipas tij, banorët janë të kënaqur me çmimin.
“Sivjet çmimi i boronicave, i cili sillet rreth 3 euro është mjaft motivues. Edhe pse thuhet se në teren nuk ka shumë boronica, megjithatë ne jemi të kënaqur me sasinë e grumbulluar, ngase duke filluar nga gjysma e dytë e korrikut, ne grumbullojmë deri në 7 tonë në ditë. Gjithashtu, edhe me kultivimin e mjedrave, sipërfaqet e të cilave në vitet e fundit kanë kaluar 20 hektarë, kanë përfituar shumë familje të të dy komuniteteve, ka pohuar Bajrami.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.