Federata e Futbollit e Kosovës ka dënuar zhvillimin e garave ilegale të futbollit të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Në një reagim për media, FFK-ja i ka cilësuar këto zhvillime “shqetësuese dhe të papranueshme”. Kjo federatë ka thënë se do të ankohet në UEFA për këto gara.
“Raportimet e fundit në media për zhvillimin e ndeshjeve garuese nga struktura ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës, ndonëse në nivele amatore, janë shqetësuese dhe të papranueshme. FFK-ja edhe më herët i ka diskutuar këto dukuri brenda Këshillit për Sport dhe ka kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme. Aktivitetet e tilla e cenojnë autoritetin e FFK-së dhe sovranitetin e Kosovës në përgjithësi. FFK kërkon nga të gjithë faktorët relevant të shtetit, Këshilli për Sport dhe organet e rendit, që të ndërmarrin hetime urgjente dhe t’i ndalojnë aktivitetet e tilla ilegale dhe është e gatshme të ndihmojë me ekspertizë dhe mbështetje përmes mekanizmave të UEFA-s dhe FIFA-s”, thuhet në reagim të FFK-së.
Federata e Futbollit e Kosovës ka thënë se është e gatshme të bashkëpunojë me komunitetin serb për futboll, por jo për të lejuar gara ilegale.
Po ashtu FFK-ja ka shprehur shqetësim për moslicencimin e saj nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Madje ka thënë se “si duket pikërisht këto veprime të autoriteteve të Kosovës kundrejt pavarësisë së FFK-së i kanë trimëruar strukturat ilegale të Serbisë që të organizojnë aktivitete të futbollit në Kosovë”.
“Lidhur me këto aktivitete ilegale e ndërhyrje direkte të Serbisë, si dhe procesin e licencimit dhe zhvillimet e fundit nga organet e hetuesisë kundrejt FFK-së, do të reagojmë dhe do të kërkojmë intervenimin e UEFA-s, gjatë takimeve që do t’i ketë delegacioni i Kosovës në Kongresin e radhës të UEFA-s që do të mbahet nesër në Lisbonë të Portugalisë”, thuhet në reagim.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.