FFK: Faza e dytë e punimeve për stadiumin në Dragash do të filloj së shpejti

Opoja.net Opoja.net Opoja

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar rreth projekteve të cilat janë duke u zhvilluar në infrastrukturën e stadiumeve në komunën e Prizrenit.

Sipas njoftimit nga FFK, në fshatin Gjonaj fusha me bari sintetik veçse është në fazën finale, derisa në Zhur dhe Dragash faza e parë e punimeve ka përfunduar ku pritet që së shpejti të filloj faza e dytë.

FFK po ashtu ka bërë të ditur se projekte si këto janë në bashkëfinancim me komunat, mbështetur nga programi UEFA HatTrick ku është paraparë të realizohet në të gjitha regjionet e Kosovës. Kurse, qëllimi i projekteve në fjalë është t’u ofrojë të rinjve nga Kosova hapësira sportive, përkatësisht fusha të futbollit bashkë me objektet përcjellëse.

Postimi i plotë:

Federata e Futbollit e Kosovës me shumë përkushtim po vazhdon  implementimin e projekteve të cilat janë paraparë të realizohen brenda ciklit katërvjeçar. Si një nga më të rëndësishmit pa dyshim është projekti për zhvillimin e infrastrukturës në bashkëpunim me komunat, i cili ka gjetur zbatim të mirë në praktikë. Pas memorandumeve të nënshkruara në mes krerëve ndërinstitucional, punët janë kryer me intensitet të shpejtë. Projekti në bashkëfinancim me komunat, e i cili është mbështetur nga programi UEFA HatTrick është paraparë të realizohet në të gjitha regjionet e Kosovës.

Qëllimi i këtij projekti është t’u ofrojë të rinjve nga mbarë Kosova hapësira sportive, përkatësisht fusha të futbollit bashkë me objektet përcjellëse, në të cilat ata do të mund të aplikojnë lojën e futbollit, të zhvillohen kategoritë e reja dhe të mundësohet një përfshirje sa më e madhe e fëmijëve të të dy gjinive në këtë sport. Gjatë një periudhe të shkurtër është arritur të punohet në realizimin e këtij projekti në disa vende. Fushat me bari sintetik në qytete të ndryshme të Kosovës thuajse kanë përfunduar, ndër to janë fusha në Brestovik të Pejës, e cila është në fazën finale, ashtu siç është edhe ajo në Gjonaj të Prizrenit, ku po punohet tashmë me intensitet në ndërtimin e objekteve përcjellëse.

Ndërsa në Zhur dhe në Dragash faza e parë e punimeve ka përfunduar, derisa shumë shpejt do të fillohet me fazën e dytë. FFK synon të vazhdojë këtë projekt edhe me komunat tjera për të mundësuar që çdo vend ku ka më shumë se 25 lojtarë që luajnë dhe e praktikojnë futbollin të ndërtohet një fushë. Nëpërmjet këtij projekti, të rinjtë do të kenë mundësinë të shfrytëzojnë hapësirat sportive të reja dhe të ndjekin pasionin e tyre për futbollin, ndërsa në të njëjtën kohë do të rritet ndjeshmëria sociale dhe ekonomike në komunitetet ku ky projekt do të realizohet.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-