Shkruar nga Muharrem Qafleshi, 31 mars 1999
Në vendin e quajtur “Zasojë” ku mblidhen zakonisht burrat e fshatit, ishim duke biseduar me shokë për bombardimet e mbrëmjes që i kishte kryer NATO-ja. Në një moment erdhi një automobil i markës BMW dhe shoferi i automjetit na u drejtua me fjalët: “ përgatituni se për disa orë do të niseni për në Shqipëri”! Këto fjalë u shpërndanë me një fuqi tronditëse. Nga ky lajm makabër, unë ngriva në vend, u shtanga. Zemra dhe çdo da¬marë më rrihte me një ritëm të shpejtuar. Këtë nuk e kisha parashikuar.
Këtë lajm për disa minuta e mësoi i tërë fshati Bellobrad. Ata ishin të zemëruar, të indinjuar dhe shumë të frikësuar për fatin e tyre. Nëna ime kur mësoi për këtë, ofshani thellë dhe filloi t’i mallkoi barbarët serbo-çetnikë me mijëra nëmë. E mbuloi fytyrën me duar dhe e pyette vetveten: “ Çka do të ndodh me ne?” Pastaj, ngriti duart lartë nga qielli dhe tha:” O Zot nga na erdhi kjo fatkeqësi, të lutem na shpëjto neve dhe ndëshkoi barbarët shpirtzi?”
Pas disa minutave nëpër fshatin tonë kaluan tanket dhe autoblindat e forcave serbo-çetnike. Ata ishin drejtuar në drejtim të fshatrave tjera opojane, për ta dhënë lajmin e hidhur që opojanët duhet t’i lëshonin vatrat e tyre stërgjyshore brenda 2 orëve.
Nuk vonoi shumë dhe në fshatin tonë erdhi policia serbe, gjegjësisht dy policë goranë, të cilët shërbenin në poli¬cinë vrastare serbe dhe dhanë urdhër të prerë dhe kërcënues: “Fshati duhet të braktiset për dy orë dhe të niseni sa më parë në drejtim të Shqipërisë”! Mua si kryetar i aktivit të LDK-së, mu desh t’i thamë diçka bashkëfshatarëve të mbledhur për të mësuar më shumë për këtë urdhër të pa pritur dhe absurd. Ata ishin shumë të shqetësuar, po ec e gjej fjalë , sepse mua nuk më ka shkuar mendja kurrë ndonjëherë se dikush mund të na dëbojë edhe nga vatrat tona. Por, ja që kjo ndodhi dhe unë të gjej pa tjetër fjalë për të ruajtur gjakftohtësinë. Më në fund iu drejtova me këto fjalë: “ Ne nuk do t’i lëshojmë vatrat tona, por do të rezistojmë deri në momentin kur të na detyrojnë me forcë e armë”!E pashë se fjalët e mia tingëlluan bosh, ato nuk e patën forcën bindëse, megjithatë edhe ata mendonin kështu, pra, ishin të një mendje. Punën ma lehtësoi ardhja e z. Shaban Halimi (nënkryetar i degës së LDK-së), i cili më sugjeroi që të prisnim vendimin e fshatrave tjera opojane. Në momentin që fshatrat tjera të Opojës duken tek Laku i Bellobradit, mos prisni, nisuni edhe ju drejtë Shqi¬përisë.
Pasi skadoi afati i ultimatumit serbo – çetnik, oshtinë krismat e tankeve dhe mitrolozëve të rëndë në fshatrat: Zapluxhë, Blaq e Zgatar. Në Zgatar doli flaka e tymi . Paramilitarët, ushtarët dhe policia serbo-çetnikë zbriten nga mali ynë dhe zunë pozitat në të hyrë dhe të dalë të fshatit. Rrugët e fshatit tonë, për disa minuta u mbushën me automobila, kamionë, autobus, traktorë me rimorkio e me qerre kuajsh. Fshati ishte mbushur tani me banorë të dëbuar të fshatit Zgatar dhe Brrut, tani më nuk u hamenda, iu thash bashkëfshatarëve të mi që të niseshim sa më parë . Kur të gjithë fqinjët e mi hynë në kolonë dhe kolona u nis, unë kërkova familjen time dhe hipa në rimorkio të traktorit. Aty ishte familja ime 15 anëtarëshe.
Nëna ime kishte krizë të çuditshme nervore, motra ime dhe kunatat i ndihmonin të merakosura. Djali i vëllait tim, Valenti i vogël katër vjeçar, që aq shumë më do¬nte dhe aq shumë e doja, ishte shumë i frikësuar, kur më pa më përqafoi dhe më shtrëngoi fortë, pastaj vuri kokën në kraharorin tim dhe ia plasi vajit, i mbytur në lot ai më pyeste : Xhaxhi, përse shkijet na përzunë nga shtëpia jonë? Çfarë ju kemi bërë? U mundova ta qetësoi me fjalë: Lenti UÇK –ja ka për t’i vrarë të gjithë shkijet ! Dhe ne do të kthehemi shpejt në shtëpinë tonë! Valenti vazhdoi me pyetjet e tija: “Xhaxhi edhe unë do të shkojë në UÇK dhe do t’i vrasë shkijet.” Vajit ia nisën edhe Vetoni e Gentiana e vogël. Pastaj ia hodha një vështrim babait tim invalid, atij i dhembte këmba tmerrësisht, ai dukej edhe më plak se ç’ishte në të vërtetë, kishte pamje të mjerë dhe shumë i heshtur.
Nga rimorkioja e traktorit tonë kolona e të dëbuarve dukej shumë e gjatë. Në këtë natë të errtë dhe shumë të zymtë, në rrugën gjarpërore për fshatin Zhur, shkëlqenin vetëm farat e dyfishta të automjeteve. Çdo metër rrugë që bënim gjithnjë e më shumë zieja nga inati. Në ora 20 e natës arritëm në fshatin Zhur ku kishte shumë paramilitarë, ushtarë e policë serbë. Nga Prizreni vinin pareshtur në këmbë gra, fëmijë, pleq, invalidë e të sëmurë me nga pak plaçka, nga të gjitha anët e Kosovës, si nga Rahoveci, Gjakova , Malisheva, etj. Të gjithë ishin të rraskapitur nga lodhja dhe në gjendje të mjerë nga uria, etja dhe frika. Kolona nuk lëvizte. Natën familjet tona i kaluan nëpër rimorkio të automjeteve, tra-ktorëve dhe makinave tjera me plot ankth e frikë, sepse policët dhe paramilitarët serbo – çetnik si hije të errta shkonin nga automjeti në automjet dhe kërkonin deviza dhe stoli ari nga të dëbuarit. Fytyrat e të dëbuarve të plaçkitur e të maltretuar dukeshin si fytyra e të dënuarve para togës së pushkatimit. Nga mesnata filloi të bie shi. Koha ishte tepër e ftoftë. Njerëzit e hipur nëpër rimorkio u bënë qull nga shiu. Nata po largohej tepër ngadalë. Minutat ishin të rënda si vite.
1 prill 1999
Ende pa zbardhur mirë dita filluan thash e thënat që fusnin panik e frikë në mesin e të dëbuarve: “ se në kufirin shqiptaro-shqiptar në Vermicë, kontrolluar nga forcat para-ushtarake serbe po ndalohen të rinjtë dhe po pushkatohen ose po dërgohen në drejtime të panjohura! Se nuset dhe vajzat e reja po i dhunojnë para syve të familjarëve të tyre, etj.” Të gjitha këto unë, nuk doja t’i besoja, por kur bëhej fjalë për serbo-çetnikët, mua më kaplonin djersët e ftohta. Për këto thash e thëna, ishin shumë të brengosur edhe familjet e kushërinjve të mi, si ajo e Nehatit, Afrimit, Haxhiut, Latifit, etj.
Një banor i porsaardhur nga fshati Zgatar i Opojës, me emrin Ja-shar, tregoi se me sytë e tij kishte parë pushkatimin e një djaloshi biond të moshës 17 e 19 vjeç, para derës së Hevzi Hysni Qafleshit të fshatit Bellobrad dhe kjo ishte arsyeja që të fillonte një garë se kush i pari do t’ia qëllon se për kënd është fjala.
Jo ky, jo ai! Djali i këtij, djali i atij! Dhe vetëm në Kukës mësuam se i riu ishte Shkëlqim Ymeri, nxënës i shkollës së mesme “Emin Duraku” në Sharr, i biri i dr. Rrahim Ymerit nga fshati Blaq.
Pranë kolonës ku ishim ne, pa ndërprerë kalonin të dëbuarit në këmbë nga viset e ndryshme të Kosovës. Aty, të vendi ku ishte restoranti “Mifabel” në fshatin kufitar Vermicë, disa femra nga komuna e Malishevës deshën të hynin. Unë i ndalova dhe iu sqarova se aty nuk mund të shkonin ngase janë të stacionuar ushtarët dhe para-ushtarët serb. Ato mu përgjigjen: “Deshëm të merrnim pak ujë se tri ditë e net jemi duke udhëtuar nga Malisheva pa ngrenë e pirë asgjë”. Unë shkova deri tek traktori ynë dhe nga kunata ime kërkova biskota dhe disa litra lëngje që i kishim blerë në momentet e fundit për Valentin, Gentianen dhe Vetonin, dhe ua dhashë atyre sepse bukë nuk kishim as ne. Po ashtu edhe Bahri Qafleshi u ofroi bukë e pije. Ato i morën dhe na u falënderuan dhe filluan t’i hanin biskotat dhe të pinin nga pak lëngje. Ndërsa, kushëriri im Nehat Qafleshi, i luti femrat e rraskapitura nga lodhja, uria dhe etja që të hipnin në kamionetën e tij, duke iu bashkuar familjes së tij.
Dita kalonte shumë, shumë ngadalë.
2 prill 1999
Rreth orës 1 pas mesnatës hynë traktorët e parë të fshatit tonë në doganën që e kontrollonin serbo-çetnikët. Ne nga larg i dëgjonim britmat e para të ushtarëve serb, duke sharë me fjalorin e tyre më të fëlliqur. Më në fund na erdhi radha edhe neve. Në gjoks ndjej si ngrihet dhe përplaset tërë zemra. Platoja e doganës ishte përplot me tabela automjetesh e dokumentesh identifikimi. Na u afruan dy policë serbë të tërbuar dhe mbush me një urrejtje të pashpjegueshme ndaj shqiptarëve, ata vazhdimisht shanin çdo gjë shqiptare e murmuritnin si bisha mali. Kërkuan të gjitha dokumentet që posedonim. Njëri prej policëve mu drejtuara me të shara: “Hiqi tabelat nga traktori he…! Unë më nxitim i hoqa dhe i hodha në grumbullin e tabelave tjera. Pastaj, na lejuan që të kalonim. Kaluam me mirë se ç’kujtonim, falë Taip Sadikut.
Në të hyrë të doganës së Shqipërisë, na verbuan dritat e reflektorëve të kamerave të ekipeve të huaja televizive, që transmetonin drejtpërdrejtë rrëfimet e tmerrshme që kishin kaluar të dëbuarit. Policët kufitarë shqiptarë nuk na ndalnin fare, vetëm i regjistronin emrat dhe mbiemrat e kryefamiljarëve dhe numrin e anëtarëve të familjes dhe na jepnin nga një vërtetim për automjetet luksoze. Andej kufirit prisnin shumë autobus e kamion ushtarak për t’i transportuar të dëbuarit deri në qytetin e Kukësit, por ne nuk kishim nevojë, ngase i kishim mjetet tona transportuese, andaj vazhduam rrugën për në qytet. Rruga ishte mjaft e keqe dhe me plot kthesa, auto¬mjetet gumëzhinin nga pesha. Në afërsi të qytetit u ndalëm në një pompë benzine për të marrë karburante. Aty një ve¬ndas, krijoi një atmosferë gjithë tension. Ai na këshilloi që të kishim kujdes, sepse në qytetin e Kukësit ishin mbledhur gjithë hajnat e Shqipërisë?!
Me shpirt në dhëmbë arritëm deri të një fabrikë e braktisur dhe e shkatërruar. Aty ishin vendosur me mijëra e mijëra të dëbuar nga të gjitha anët e Kosovës. Familjet e lagjes sonë, automjetet dhe traktorët e tyre i vendosen rreth e rrotull në një skaj të fabrikës. Meshkujt bënin roje, derisa gratë, fëmijët dhe pleqtë pushonin.
Më pas Shaban Halimi na këshilloi që të gjithë ata që i kanë automjetet në rregull do të nisemi në mënyrë të organizuar pas një ore drejt Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Kurse, ata që kanë defekte dhe goma të plasura le të qëndrojnë këtu në Kukës, sepse rruga është shumë e vështirë dhe e keqe! Kështu, opojanët u ndanë dysh. Disa u nisen për viset tjera shqiptare, ndërkaq disa mbeten në Prefekturën e Kukësit.
Me kushëririn tim Vedat Qafleshin, dolëm në Kukës për të blerë ushqim, por kot askund nuk gjetëm bukë. Nuk thonë kotë se halli i afron njerëzit mes veti më shumë se gjithçka tjetër. Takuam një vendas që i priste miqtë e tij nga Lipjani, ai ishte i merakosur për ta. Vendasi quhej Nexhat Shehu. Ai na bëri mjaft përshtypje, andaj krijuam besimin tek ai dhe e pyetem:” Or, zotëri po e shohim se i ke hallet tua, por ama edhe ne kemi një hall. A mos dini ndonjë njeri që lëshon shtëpinë me qira për t’u strehuar? Po të mos i prisja miqtë e mi vetë do t’iu strehoja, ju premtoj se do të intere¬sohem dhe do t’iu lajmëroi. Ne i treguam se ku mund të na gjejë dhe u ndamë nga ai.
Pas gjysmë orë në uzinën ku ishim të vendosur erdhi Nexhati dhe na komunikoi se na kishte gjetur një shtëpi me tri dhoma. Pastaj gjetëm edhe shtëpi të tjera për tërë fisin tonë. Familja ime dhe e Vedat Qafleshit u vendosëm në Shtiqen, tek Nail Trota. Në këtë fshat u vendosën edhe familja e Zeni Qafleshit, Avdarrahimi, me të vëllain, tek Gafurr Shehu, Latif Qafleshi tek Islam Hamzaj, Samidin e Zeni Qafleshi të Selam Trota. Ndërkaq, familjet e Afrim, Nuridin dhe Haxhi Qafleshit u vendosen në Gostil tek Shaban Cena. Në shtëpinë ku do të banonim, për pastrimin e dhomave që të gjithë iu përveshëm punës.
Atë natë pastruam vetëm dy dhoma, në njërën u vendosën femrat kurse në tjetrën meshkujt. Sipas zakonit të mikpritjes shqiptare, nikoqiri Nail Trota për të gjithë e që numëronim katërdhjetë frymë, na shtroi darkë. Ditën e parë në Shqipëri takuam vëllezërit tanë shqiptarë që e ndienin tragjedinë tonë, e të cilët ishin tërë mllef ndaj shkijeve që e kishin shkaktuar këtë eksod biblik. Kështu, kaluan plot një muaj e gjysmë, kur më 13 qershor 1999, u kthyem në shtëpitë tona, në vatrat tona stërgjyshore.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.