Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në udhëtim ndaj Rumanisë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Euro 2024”.
Ndeshja e zhvilluar në “National Arena” përfundoi me rezultatin 2:0.
Ndeshja në fjalë u përshkrua me incidente të krijuara nga tifozët vendase, për çka edhe pati ndërprerje të ndeshjes.
Ndeshja u ndërpre pas 17 minutave lojë, pasi tifozët rumunë shfaqen mesazh nacionalist dhe skandaloz, ku thuhej “Kosova është Serbi”. Nga ana e tyre nuk u ndalën as brohoritjet e tilla.
Kësisoj, gjyqtari kryesor i ndeshjes Willy Delajod vendosi për ta ndërprerë ndeshjen dhe urdhëroi ekipet të shkonin në dhomat e zhveshjes.
Pauza zgjati për afro 50 minuta dhe më pastaj rinisi, me kushtin që mesazhe dhe brohoritje të tilla mos të ketë më. Tifogrupi që shkaktoi incidentin nuk u largua.
Pjesa e parë u mbyll baras dhe pa gola, por Kosova mbeti me një futbollist më pak në minutën e 42-të, pasi Vedat Muriqi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua.
Ndeshja në pjesën e dytë u kontrollua nga rumunët, të cilët shfrytëzuan epërsinë numerike në fushë.
Rumania pati rast të artë për të kaluar në epërsi në minutën e 61-të, por Aro Muric tregoi sërish aftësitë e tij dhe priti penalltinë e ekzekutuar nga Nicolae Stanciu.
Vendasit e gjeten golin në vazhdim përmes Stanciut, i cili shënoi në minutën e 83-të.
“Dardanët” provuan më pas përmes Loshajt, Dresevicit e Muslijës, por pa sukses.
Rumania goditjen e fundit ia dha Kosovës në minutën e tretë shtesë (90+3’), me golin e shënuar nga Valentin Mihaila.
Kosova mbetet e pesta dhe e parafundit në Grupin I me katër pikë, kurse Rumania është e dyta me 12 pikë.
Kësisoj, për Kombëtaren tonë thuajse janë shuar të gjitha shpresat për një kualifikim historik.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.