‘Eagle-sat’ shqiptarë në NASA, krijojnë aplikacionin që ndjek krateret e Hënës

Opoja.net Opoja.net Teknologji

Pesë gjimnazistë shqiptar nga shkolla “Zef Lush Marku” janë fitues të garës “NASA Space App Challenge” me aplikacionin e krijuar brenda tre ditëve për ndjekjen e kratereve në hënë.

Aplikacionin e kanë krijuar me ndihmën e të dhënave nga NASA që mblidhen nga instrumentet e vendosura nga astronautët gjatë misioneve Apollo.

“Ky është aplikacioni jonë që kemi krijuar. Moonquakes.earth, me domain. Është një aplikacion që shfaqë tërmetet që kanë ndodhur në hënë dhe me një klikim, siç mund ti shihni këto sferat e vogla, me një klikim, mund të marrim informata për tërmetet që kanë ndodhur, vitin p.sh 1975, latitude 29, longitude -98 e të tjerë. Modeli i hënës është 3D dhe e kemi krijuar gjithë vetë”, thotë  gjimnazisti Andi Ganiu.

“Afërsisht rreth tre ditë na është dashur që ta krijoni aplikacionin. Ekipet e tjera kishin ide dhe teori, ndërsa ne idenë e kishim që në fillim dhe e zbatuam. Kur dolëm në prezantimin e projektit dolëm me projekt konkret dhe projekt të mbaruar”, thotë gjimnazisti.

Andi Ganiu, Jasir Idrizi, Krenar Ahmeti, Dijar Selami dhe Endrit Shaqiri garuan me 32 ekipe dhe shpërblimi për ta është vizita në selinë e NASA-s në Amerikë.

“Nuk dihet kur do të shkojmë në NASA por maksimumi do jetë deri në shkurt. Vizita ka një vlerë shumë të madhe, sidomos për mua. Kjo pasi gjithmonë, prej kur kam qenë fëmijë e kam pasur ëndërr që ta vizitoj NASA Kennedy Space Center dhe të shikoj një raketë kur të niset”, shprehet gjimnazisti Krenar Ahmeti.

Krenar Ahmeti vlerëson se shteti nuk i ndihmon nxënësit e talentuar dhe shumë prej tyre nuk vazhdojnë të kultivojnë talentin për shkak të mungesës së financave dhe ndihmës institucionale.

Fituesi tjetër i NASA Space App Challenge pasi komisioni tetë anëtarësh ka votuar në mënyrë të barabartë për dy ekipe, është ekipi me nxënës maqedonas AERTH i cili ka krijuar një zgjidhje me të cilën përdoruesit mund ta ndjekin por edhe të parashikojnë lëvizjen e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor dhe të mësojnë lidhur me forcat që ndikojnë në trajektoren e tij duke përdorur njohuri të matematikës, mekanikës orbitale, fizikës dhe programimit.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-