Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se e-Kosova tani është edhe si aplikacion mobil për iOS dhe Android.
“Me më shumë se 1 milion përdorues të regjistruar dhe mbi 220 shërbime elektronike të zhvilluara, e-Kosova është dritarja jonë digjitale për qytetarët dhe bizneset”, shkroi Kurti.
Sipas tij, të gjitha shërbimet tashmë janë në dispozicion online, në e-Kosova.
“Certifikatat e gjendjes civile, certifikatat e pronës dhe kopjet e planit, obligimet e tatimit në pronë e gjobat në trafik, vazhdimi i regjistrimit të veturës, certifikata për historinë penale, aplikimet për shtesa, benefite, grante e subvencione, pagesat elektronike, e së fundmi edhe raporti kreditor – të gjitha këto shërbime dhe shumë të tjera, tani janë në dispozicion online në e-Kosova, më lehtë se kurrë më parë. Vazhdojmë me digjitalizimin për shërbime më të mira për të gjithë”, ka shkruar Kurti.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.