[miptheme_dropcap style=”normal” color=”#222222″ background=””]E[/miptheme_dropcap]stetika është disiplinë e cila, në përgjithësi, përkufizohet si shkenca e së bukurës, apo si terësi e teorive filozofike dhe psikologjike të ndërlidhura ngushtë me historinë e artit, sociologjisë, antropologjisë. Është një fushë shkencore që ndërlidhet me “krijimin” e veprës artistike e cila përbën një hapësirë të qenies, me natyrën në kontekstin e veprës artistike e cila lidhet me shijen dhe me temat anësore të ndërlidhura me to.
Në artet islame kur flitet për të bukurën, nuk nënkuptohet një bukuri e estetikës perëndimore objektiviste ose subjektiviste, por “e bukura absolute” dhe imanenca e kësaj bukurie në gjithësi të dukshme. E bukura buron nga Zoti dhe çdo gjë e cila është e bukur nuk është gjë tjetër veq se manifestim i cilësive të tij. Në Kur’an për të bukurën përdoret fjala “Ihsan”. Pejgamberi a.s. kur i definon nivelet e besimit “Ihsanin” e rendit në shkallën më të lartë si “të adhuruarit e Zotit sikurse ta shohësh”, pra e bukura është ajo e cila vendos lidhje ontologjike dhe estetike me Zotin. Gjithashtu edhe në krijimin e njeriut Allahu xh.sh. përdorë fjalën Ihsan: “E kemi krijuar njeriun në formën e përsosur” (fi ahseni tekvim). Njeriu është i krijuar në formën më të bukur dhe njëherit është vepër arti e Zotit në tokë. Për këtë aryse njeriu dhe natyra, ose njeriu dhe e bukura janë nga i njëjti burim kështu që gjejnë prehje në njëri tjetrin.
Për artistin musliman p.sh. trëndafili nuk është i bukur vetvetiu e as është përjetimi i vetës tonë në të (einfuhlung). Bukuria e trëndafilit përbën manifestimin (texhel-li) e cilësisë hyjnore të bukurisë (xhemal), kurse e shëmtuara mbetet jashtë kësaj teorie sepse, pasi që e bukura është absolute atëherë e shëmtuara relative nuk ekziston fare. Sipas besimit islam natyra nuk është gjë tjetër përveçse manifestim i bukurisë së Zotit, dhe këtë ide e mbështesin në thënien e Zotit: ”Isha thesar i fshehur dhe desha të njihem, krijova botën që të njihem”, pra “thesari i fshehtë” është shfaqur në pasqyrën e hiçit dhe ka pasqyruar shumësinë e emrave dhe kështu është krijuar bota. Zoti posedon shumësi emrash dhe reflektimi i tyre në hapësirë formon të bukurën në natyrë. Shumësia e llojeve të bukurisë së natyrës është rruga më e shkurtër për të arritur në qenien e kulluar, Zotin transcendent. Ibn Arabiu në lidhje me thënien pejgamberike “Zoti është i bukur dhe e do të bukurën” thotë se bukura është themel dhe shkak i të gjitha dashurive.
Dashuria gjendet në thelbin e gjithësisë dhe është lëvizësi i parë i të gjitha gjërave që orienton çdo gjë nga më e bukura, nga “bukuria absolute”. Tesavufi islam përqendrohet në përjetimin e Zotit në natyrë, që synohet bashkimi me natyrën dhe shkrirja në të. Në këtë relacion Mevlana thotë: Atë bukuri mos e shiko me syrin tënd, të kërkuarën shihe me syrin e kërkuesit” që në literaturën e tesavufit quhet “bashkim mistik”, ose “dehje tesavufiane”. Edhe Kur’ani e përmend këtë element të ndikimit të bukurisë së natyrës në shpirtin e njeriut. Në Kur’an thuhet: “E pse ti kur hyre në kopshtin tënd nuk the “Masha-Allah la havle ve la kuvvete il-la bil-lah” (Allahu çka do bëhet s’ka fuqi pa ndihmën e tij). Në momentin e habisë (mistike) shprehet thënia “Çka do Zoti bëhet” në mënyrë që cilësitë e bukurisë dhe madhështisë t’i atribohen vetëm atij. Habia mistike bën shpesh herë që njeriu të dalë nga vetja dhe të shprehë gjëra jo të zakonshëm, kjo ndodh atëherë kur mundohet që ndjenjat që t’i ofron përjetimi i të bukurës të shprehen (me fjalë). Kjo edhe ka bërë që shpesh herë janë keqkuptuar shumë nga mistikët islam gjatë historisë. Po të vërejmë një pjesë të natyrës të shkatërruar, të braktisur, të papërpunuar ajo pas një kohe vetvetiu stolistet, zbukurohet dhe merrë një pamje të këndshme argument ky i cili tregon paraqitjen dhe praninë e Zotit nga mbrapa natyrës, kurse paraqitja apo zbulesa e tij para e shkatërron natyrën sikur u shemb kodra në Turi Sina ku Musai a.s. kërkoi ti paraqitej Zoti.
Gjithashtu shikimi i bukurisë së natyrës i cili përmes syrit i përcjell mesazhin trurit ndikon pozitivisht në punën e trurit. Truri ndikohet nga qetësia e natyrës dhe kthehet në një veprim krejt normal dhe atëherë mendimi në rrjedhshmërinë e tij, bashkëlidhjen, rregullatorin dhe harmoninë e të gjitha proceseve të tij, kërkon të ndjekë këtë metodë të natyrës, pasi ka marrë prej saj pikënisjen e drejtë. Kjo ndodhë sepse sipas Kur’anit natyra premton qetësi, paqe dhe pavdekshmëri. Në shumë vende Allahu xh.sh. përshkruan xhennetin: Ata kanë te Zoti i tyre xhennet nëpër të cilat rrjedhin lumenjë dhe aty do të jenë përgjithmonë. Në mënyrë subjektive ky përshkrim kur’anor ka ndikuar në mendjen e muslimanit që të gjejnë prehje në natyrë.
Në këtë relacion Pejgamberi a.s. numëron pesë gjera të cilat e qetësojnë shpirtin e njeriut: Shikimi në Qabe, shikimi në Kur’an, shikimi në fytyrën e prindërve, shikimi në fytyrën e dijetarëve, dhe shikimi i natyrës. Pra numëron edhe natyrën si elemten i cili ndikon positivisht në qetësimin e shpirtit të njeriut. . Kështu që artisti musliman duke shikuar bukurinë e natyrës është dehur nga prezenca e sublimes brenda saj dhe kjo e ka bërë atë të vetëdijshëm ontologjikisht dhe moralisht. Për këtë arsye shpesh herë artistët nuk e vendosin firmën në punën e tyre dhe as nuk ia destinojnë vetës punën por qenies absolute Zotit. Ata thonë se arti është vazhdimsi e krijimit të Zotit vetëm se duke përdorur mekanizmin njeri. Arti i bukur i natyrës njeriun e bën të ndërgjegjshëm në çdo hapësirë.
Prezanca e qenies në çdo hap të jetës e cila përmes artit, bëhet prezentë është një rrugë e përmirësimit të jetës dhe një shpresë për një botë më të mirë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.