Dr. Nehat Krasniqi e Dr. Nuridin Ahmeti vlerësohen me çmimet kryesore AIITC nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam
Të enjten (6 dhjetor 2018) në Tiranë Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, ka ndarë për të njëmbëdhjetin vit me radhë Çmimet AIITC.
Fitues të dy çmimeve kryesore nga kategoria “Libri më i mirë i vitit në fushën e shkencës dhe të kulturës Islame” janë shpallur dy shkencëtarët opojanë, përkatësisht dr. Nehat Krasniqi nga Breznja i cili është vlerësuar me Vendin e Parë për librin me titull: “Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shek. XVIII deri në fillimet e Rilindjes Kombëtare” dhe dr. Nuridin Ahmeti nga Xerxja i cili është vlerësuar me Vendin e Dytë për librin me titull: “Krerët fetarë në Lëvizjen kombëtare shqiptare”.
Çmimet AIITC ndahen çdo vit nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam. Ato përfshijnë tri kategori:
- Libri më i mirë i vitit në fushën e shkencës dhe të kulturës Islame;
- Peizazhi më i bukur në penelat e piktorëve shqiptarë;
- Krijimi më i arrirë nga moshat e reja në prozë ose poezi :“E bukura në shpirt dhe në jetë”.
Synimi i këtyre çmimeve është që të stimulojë të gjithë studiuesit dhe artistët e moshave të ndryshme, brenda dhe jashtë territoreve shqiptare, të cilët kanë dhënë dhe japin ndihmesën e tyre në fushën e shkencës, artit dhe kulturës islame. Secila kategori e çmimit përmban:
- Një certifikatë brenda një dosjeje që përshkruan motivacionin, për të cilin i jepet çmimi fituesit.
- Një medalje argjendi me peshë 100 gr.
- Një shumë, e cila varion si më poshtë:
- Libri më i mirë i vitit në gjuhën shqipe që ka tematikë nga fusha e shkencës, artit dhe kulturës islame: 3000 $;
- Peizazhi më i bukur në penelat e piktorëve shqiptarë: 1500 $; dhe
- Krijimi më i arrirë nga moshat e reja në prozë e poezi, me temë “E bukura në shpirt dhe në jetë”: 500 $./Demir Reshiti/lajmishqip
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.