Drejtori e rrahu Izet Aliun me grushta kokës, Gjykata në Prizren e dënon me gjobë

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor Besim Baraliun, kryeshef ekzekutiv i Hidroregjionit Jugor për veprën e sulmit fizik ndaj një punëtori dhe shkaktimit të lëndimeve të lehta trupore.

Viktima Izet Aliu nga fshati Brrut i Dragashit, ka bërë të ditur për gazetën Insajderi se Baraliu është dënuar me gjobë në vlerë 500 euro për veprën e lartcekur.

Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë për shkak se Besim Baraliu nga fshati Bukosh i Suharekës me banim në Prizren, me datën 16 maj 2016, rreth orës 10.40 minuta në Prizren në rr.Wesli Clark në ambientet e Hidroregjionit Jugor, i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore personit tjetër, i cili kishte rezultuar me dëmtimin e përkohshëm të shëndetit të personit tjetër.

Sipas aktakuzës, derisa i dëmtuari Izet Aliu kishte shkuar për t’u paraqitur para komisionit disiplinor të kësaj kompanie, i pandehuri kishte dalë nga zyra e tij dhe pas një fjalosjeje në mes të pandehurit dhe të dëmtuarit, i pandehuri e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grusht në pjesën e majtë të kokës, me ç’rast i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe atë ndrydhje në anën e majtë të kokës, lëndime të përshkruari më për së afërmi në mendimin dhe konstatimin e ekspertit mjeko-ligjor të datës 03.06.2016.

Në arsyetimin e Prokurorisë, thuhet se Njësiti i hetuesisë në Prizren ka parashtruar kallëzim penal me numër 2016-GA-1236, të datës 18.05.206 kundër të pandehurit Besim Baraliu, nga Prizreni për shkak të veprës penale sulmi nga neni 187 paragrafi 1 të KP-së dhe veprës penale lëndim i lehtë trupor nga neni 188 paragrafi 1 në paragrafin 1.4 të Kodit Penal.

“Pas analizimit të kallëzimit penal si dhe shkresave të tjera të lëndës vërtetohet se i pandehuri me veprimet e tij ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 188i KP”, thuhet në arsyetim.

Gjendja faktike e përshkruar në dispozitiv e kësaj aktakuze është vërtetuar nga raporti mjekësor i Spitalit Regjional në Prizren, me nr.3866 të datës 16.05.2016, nga mendimi i ekspertit mjeko-ligjor, dr. Musa Gashi, të datës 03.06.206, me të cilin vërtetohet se i dëmtuari Izet Aliu ka pësuar lëndime të lehta trupore. Nga deklarata e të dëmtuarit të dhënë në stacionin policor në Prizren, me datë 16.05.2016, në deklaratën e të pandehurit të dhënë në stacionin policor në Prizren me datë 16.05.206 si dhe nga shkresat e tjera.

Gjykata Themelore në Prizren nuk ka kthyer përgjigje për gazetë lidhur me vendimin./Insajderi

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-