Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka marrë vendim që Komuna e Dragashit ta rishqyrtojë vendimin e saj për zgjedhjen e nënkryetarit të Komunës nga radhët e komuniteteve pakicë, Sherif Aga. Lajmin e ka kumtuar sot për redaksinë tonë një burim i besueshëm, duke thënë se kjo punë tashmë është e kryer.
“Sherif Aga nuk do të jetë assesi nënkryetar sepse, sipas legjislacionit në fuqi, ky post duhet t’i takojë komunitetit që ka përqindje më të lartë, e që në këtë rast është komuniteti goran, i cili përbën 24 përqind të popullsisë në këtë komunë”, ka thënë ky burim.
Nga ana tjetër, krerët e Komunës së Dragashit janë deklaruar se zgjedhja e Sherif Agës për nënkryetar është bërë në përputhje me ligjet në fuqi dhe është votuar në Kuvendin e Komunës. Megjithatë, në përgjigjen e Ministrisë thuhet se Komuna e Dragashit ka afat edhe dy javë që ta rishqyrtojë këtë vendim.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.