Distria Krasniqi në Montpellier të Francës, fitoi medalje të argjendtë në Kampionatin Evropian të xhudos.
Medaljen evropiane, Distria e fitoi në kategorinë deri 52 kilogramë, ku ishte bartëse e parë.
Në finale u mposht nga francezja Amandine Buchard, që ishte bartësja e dytë dhe medalistja olimpike, botërore e evropiane.
Finalja ishte e fortë, ndërsa u dominua nga Distria. Ajo kishte iniciativën vazhdimisht dhe kërkoi hedhjen. Në kohën shtesë, kur Buchard kishte dy dënime, një situatë në dukje e parrezikshme, vendosi fituesen.Buchard përfitoi nga lufta në dysheme dhe me mbajtje siguroi fitoren dhe medaljen e artë.
Deri në finale, Distria arriti me tri fitore. Në raundin e dytë e mposhti me dy uazari kroaten Ana Viktorija Puljiz, medaliste nga Evropiani i vitit të kaluar.
Në çerekfinale, Distria ishte më e mirë se xhudistja e Azerbajxhanit, Gultaj Mammadaliyeva. Azerbejxhanasja pësoi tri dënime dhe kështu Distrisë i takoi fitorja me Ippon.
Në mënyrë të njëjtë fitoi në gjysmëfinales ndaj italianes shumë të suksesshme, Odette Giuffrida.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.