Mes maleve të larta dhe të bukura ndodhet fshati Bresanë. Si një nga fshatrat më të mëdhenj për nga numri i banorëve në komunën e Dragashit, Bresana vazhdon të mbetet unike për rreth pesë mijë banorë besnikë që e quajnë këtë vend shtëpi.
Në të kaluarën, fshati ishte i njohur si “fshati i kuajve” për shkak të numrit të madh të kuajve që kishte. Ata përdoreshin për transportin e drurëve nga malet e Bresanës. Megjithatë, kohët kanë ndryshuar; kuajt janë zëvendësuar me traktorë, ndërsa malet tani po tërheqin interesin për ndërtimin e vilave.
Çmimi i tokës në këtë zonë është ende i përballueshëm, gjë që ka nxitur rritjen e numrit të pushimoreve.
Kryetari i fshatit, Vezir Rushiti, shprehet i lumtur që pas shpërnguljes së banorëve, tani ata po kthehen për të investuar në fshat.
“Këtu secili i ka pronat e veta që po ndërton vila, mirëpo edhe çmimi i tokës nuk është i lartë. Më herët në këto toka janë mbjellë thekra dhe tërshëra. Më e mira në këtë shpërngulje të popullsisë prej fshatit është që ata po kthehen dhe po investojnë këtu prapë dhe ka interesim të madh për ndërtimin e vilave”, tha Rushiti. “Tradita e kuajve që e kemi pasur është humbur e gjithë. Tash kuajt i mbajmë vetëm për qejf, janë disa banorë që i mbajnë nga 4-5 kuaj në fshat dhe i japin për kalërim nëpër bjeshkë. Edhe unë e kam një mirëpo më herët fshati ka pasur rreth 350 kuaj. Tash kalin e kanë zëvendësuar me traktor”.
Ai thekson se Bresana veçohet për zhvillimin e blegtorisë, duke shtuar se mishi i qengjit që rritet në këto toka ka një shije unike.
“Ky vend është vend malorë nuk besoj që mundet me u zhvillu ndonjë veprimtari tjetër. Blegtoria ka filluar që të gjallërohet e po ashtu është shtuar edhe fitimi, pra po kemi leverdi nga kjo veprimtari. Në kohët e më hershme ka pasur më shumë lopë dhe dele që kanë mbajtur banorët por tash kush merret me fermë e ka stallën e tij jashtë fshatit dhe janë modernizua edhe fermat”, tha Rushiti.
Bresana është një vend tërheqës për vizitorët, edhe për ata të huaj. Rushiti tregon se gjermanët dhe zviceranët janë mysafirët më të shpeshtë të fshatit.
“Në Bresanë kemi edhe vizitorë të huaj këtu diaspora jonë i sjell këtu pasi ata kanë shoqëri me ta. Gjermanët dhe zviceranët janë vizitorët më të shpeshtë sidomos gjatë muajve të verës, atyre iu pëlqejnë dasmat tona tradicionale dhe marrin pjesë në to kur organizohen në fshat, mirëpo edhe ushqimet e tona tradicionale si flija dhe kaçamaku me miell të misrit janë të kërkuara nga ata”.
Edhe në Bresanë, ashtu si në shumicën e fshatrave të Kosovës, banorët kanë filluar shpërnguljen.
Megjithatë, bresanasit preferojnë të shpërngulen drejt perëndimit, sesa në drejtim të Prishtinës.
“Ne kemi një diasporë të mrekullueshme që edhe pse veprojnë dhe jetojnë jashtë Kosovës janë të interesuar për vendlindjen nëse ndonjë banor që jeton këtu është sëmurë dhe ka nevojë për para ata dërgojnë. Sepse të gjithë që shpërngulen nga këtu shkojnë nëpër vende perëndimore e shumë pak në Prishtinë, apo ndonjë komunë përreth”, tha Rushiti.
Në fshat aktualisht operojnë rreth 11 ferma, kryesisht me lopë dhe dele, përmes të cilave sigurojnë jetesën banorët e Bresanës.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.