Deputetët pro projektligjit për edukimin në fëmijëri të hershme

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, prezantoi në seancën e re plenare të së enjtes, projektligjin për edukimin në fëmijërinë e hershme, që pritet të votohet shqyrtimi i parë.

Nagavci deklaroi në Kuvendin e Kosovës se procesi parafillor duhet të bëhet i obligueshëm, pasi sipas saj, edukimi i hershëm është thelbësor.

Pro projektligjit janë shprehur deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi se do ta përkrahin këtë projektligj, duke shtuar se në sistemin arsimor duhet bërë reforma dhe ndryshime. Reformat, sipas Tahirit, duhet nisur që nga ky projektligj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, deklaroi se sipas studimeve, edukimi në fëmijëri të hershme është i rëndësishëm për fëmijët, në mënyrë që të rriten të socializuar dhe jo pranë pajisjeve teknologjike siç është telefoni.

“Aktualisht, takimi i parë i fëmijëve është në moshën 5-vjeçare me procesin mësimor. Shpresoj që sot më tepër se kurrë të gjendet konsensus për një projektligj të tillë, duke mbajtur në mend dobitë e edukimit të hershëm”, tha Uka.

Ai shtoi se fëmijët që frekuentojnë në edukimin e hershëm, jo vetëm që kanë edukim më të mirë, “por edhe aftësi e shkathtësi të bëhen qytetarë më të dinjitetshëm”.

Ministrja Nagavci bëri me dije se edukimi i hershëm për fëmijët nga mosha 5-6-vjeçare synohet të bëhet i obligueshëm prej vitit 2023, ndërsa për grupmoshën 0-5-vjeçar, po punohet ende. Ajo tha se brenda javës do të nisë ndërtimi i çerdheve të reja, e brenda vitit do të përurohen tri.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-