Muhamedi, a.s., është personi më i rëndësishëm në jetën tonë! Pa marrë parasysh sa njerëz të rëndësishëm keni në jetën tuaj, askush prej tyre nuk duhet të jetë aq i rëndësishëm sa Muhamedi a. A e dini pse sot kemi fatkeqësi në familje, në vendet e punës, në shkolla? Për shkak se njerëzit nuk sillen ashtu siç i ka mësuar Pejgamberi (savs).
Kur e kanë pyetur një dijetar se cili është dallimi në mes nesh dhe sahabëve, ka thënë: “Nuk është dallim i madh, por vetëm aq sa ka prej gjuhës deri te zemra.” Ne nuk kemi problem në mungesën e informacionit, por në zbatimin praktik të mësimit. Sahabët Pejgamberin (savs) e morën shembull (e ndoqën) në çdo gjë, të vogël dhe të madhe. Ata e jetuan Islamin në të gjitha momentet e jetës së tyre.
Çdo gjë në jetën tonë do ta kuptojmë nëse e ndjekim Pejgamberin (savs). Askush në jetën e tij nuk ka kaluar nëpër më shumë sfida sesa ai. Ai u rrit pa nënë dhe pa baba, kishte një fëmijëri të vështirë dhe të varfër, e humbi gruan e tij të dashur, fëmijët dhe shokët e dashur, përjetoi tallje, iu nënshtrua dhunës fizike dhe psikologjike. Të gjitha këto vështirësi, Allahu i Plotfuqishëm i vendosi në jetën e Muhamedit (savs), në mënyrë që ta edukojë për ta adhuruar vetëm Allahun dhe për tu mbështetur në Të.
Në suren el-Fatiha lexojmë: “Na udhëzo në rrugë të drejtë!”
Cila është kjo Rruga e drejtë?
Allahu i Plotfuqishëm këtë e shpjegon në suren Jasin:
1. “Ja Sin.
2. Pasha Kuranin plotë urtësi.
3. Me të vërtetë, ti (o Muhamed!) je pejgamber.
4. Në rrugën e drejtë.
5. Me shpalljen e të Plotfuqishmit, Mëshiruesit.
6. Që ta paralajmërosh popullin – paraardhësit e të cilit nuk ishin të paralajmëruar, prandaj (ata) kanë qenë të pakujdesshëm! (Jasin, 1-6)
Disa komentatorë të Kuranit thonë se shkronjat (ja, sin) në fillim të kësaj sureje i referohen Muhamedit (a.s.), sikur të don të thoshte: “O Muhamed, pasha Kuranin plotë urtësi, ti me të vërtetë je pejgamber, në Rrugën e drejtë …”
Në ajetin: “ala siratin mustekim” – /në Rrugën e drejtë/ është përdorur fjala ‘ala’ që do të thotë ‘mbi’, ‘sipër’. Kjo do të thotë se Muhamedi (savs) është në kulmin e rrugës për tek Allahu, ndërsa të gjithë njerëzit e tjerë janë duke shkuar nëpër këtë rrugë, prandaj kush vjen, vjen.
Sa e njohim ne Muhamedin (savs)?
Pasha Allahun, ne dimë shumë pak për të. Nëse pyetemi se pse kemi probleme me kryerjen e namazit, pse na vjen vështirë leximi i Kuranit, duhet ta dimë se kjo është për shkak se ne Allahun dhe të dërguarin e Tij, nuk i kemi më të dashurit në botë.
Pejgamberi (savs) ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk ka për të besuar askush nëse unë për të nuk jam më i dashur se fëmija i tij, prindi i tij dhe të gjithë njerëzit.” (Buhariu)
Kur Allahu i Plotfuqishëm dhe i dërguari i Tij, të na bëhen më të dashurit, më të dashur se të gjithë të tjerët, vetëm atëherë ne do ta ndjejmë bukurinë e namazit dhe të leximit të Kuranit.
Dashuria ndaj Pejgamberit (savs) rrjedh nga dashuria për Allahun. Ne e duam Muhamedin (savs), sepse ai është i Dërguar nga Allahu, Medinën e duam, sepse në të ka jetuar Muhamedi (savs), Kuranin e duam, sepse ato janë fjalët e Allahut, Mekën dhe Qabenë e duam, sepse ajo është shtëpia e Allahut. Të gjitha në jetën tonë i shohim përmes prizmit të dashurisë për Allahun e Plotfuqishëm.
Vëllezër dhe motra;
Ne duhet të mësojmë dhe lexojmë më shumë për Muhamedin (savs).
Më ka pyetur një djalë, a është e vërtetë ajo që thotë një hoxhë në TV, duke cituar se Muhamedi (savs) ka thënë: “Kur dikush nga ju sjell salavat dhe selam mbi mua, Allahu ma kthen shpirtin tim për t’iu përgjigjur atij në selam.” (Sunen Ebu Davud)
Po, është e vërtetë. Prandaj, ne duhet të mësojmë më shumë për jetën e Muhamedit (savs). Sa më shumë që mësojmë për të, aq më shumë do ta duam.
Mesazhi kryesor është sesi Muhamedi (savs), për 23 vjet e ka ndryshuar shoqërinë, sesi nga njerëzit të cilët i kanë bërë gjërat më të këqija e ka formuar brezin më të mirë?
Përgjigjen e gjejmë në ajetin vijues:
“Nga mesi juaj u erdhi një pejgamber. Atij i vjen rëndë për mëkatet që bëni ju, por ai përpiqet që ju të shkoni rrugës së drejtë, dhe ndaj besimtarëve është i butë dhe mëshirues.” (et-Tevbe, 128)
KY AJET ËSHTË RECETË PËR SUKSES NË ÇDO SFERË TË JETËS.
“Nga mesi juaj u erdhi një pejgamber.” – Pejgamberi (savs) ishte i lidhur me njerëzit, ishte një njeri nga populli, ai nuk u dallua nga njerëzit e tjerë.
“Atij i vjen rëndë për mëkatet që bëni ju …” – Pejgamberi (savs) nuk e kishte të lehtë në shpirt, i vinte vështirë për besimtarët.
Këtu fshihet mësimi i mëposhtëm: “Ne nuk mund të ndryshojmë asgjë, nëse qëndrimi ynë ndaj asaj çështjeje është i keq, nëse për neve nuk ka rëndësi.”
Pejgamberi (savs) i ka pushtuar njerëzit me sjelljen e tij, dhe, sa më shumë që investojmë në diçka, ashtu do të na e kthejë Allahu i Plotfuqishëm. Pejgamberi (savs) me net të tëra ka qarë dhe është lutur për umetin e tij, kurse gjatë ditës u ka buzëqeshur njerëzve, i takonte ata në mënyrën më të mirë. Ai nuk ishte indiferent, kështu edhe ne duhet të ndërpresim të qenët indiferent.
Si ta ndryshojmë qëndrimin ndaj diçkaje?
Së pari: Të jepemi krejtësisht pas diçkaje, sepse sa të jepemi për diçka, aq do të marrim kompensim për të.
Së dyti: Duhet të na vjen keq, nëse dështojmë.
Së treti: Duhet të jemi të butë në raportet ndërnjerëzore, nëse ajo çështje ka të bëjë me më shumë njerëz.
“Dhe ndaj besimtarëve është i butë dhe mëshirues.” – Pejgamberi (savs), më së shumti insistonte për sjelljen e bukur. “Prej jush më i dashur dhe më i afërt me mua në Ditën e gjykimit do të jetë ai që e ka moralin më të bukur.” (Tirmidhiu)
Rinia sot pyet se kënd ta dëgjojnë, cilin drejtim duhet ta ndjekin. Dijetarët islam theksojnë se nëse vepra të cilën e bën nuk të bën më të mirë ndaj të tjerëve, këtu janë disa shenja se ajo nuk ishte e sinqertë. Shiko në veprimet tua se apo ndikojnë ato që të ndryshohesh për të mirë ndaj të tjerëve.
Te disa njerëz ekziston edukata e shejtanit, e ajo është që kur mëson diçka, bëhesh më i keq. Edukata e Pejgamberit (savs) është që kur mëson diçka që bëhesh më i mirë.
Muhamedi (savs) duhet të jetë modeli ynë në gjithçka.
Le të mendojmë për fjalët e Allahut: “Allahu të ruan ty (o Muhamed) prej njerëzve.” (el-Maide, 67)
“Dhe e kemi ngritur lart emrin (kujtimin) tënd!” (el-Inshirah, 4)
Allahu i Plotfuqishëm, vetes ia ka bërë obligim mbrojtjen e Muhamedit (savs). Askush nga njerëzit nuk mund ta poshtërojë, nënçmojë ose zvogëlojë madhësinë e tij! Askush Muhamedin (savs) nuk mund ta poshtërojë nëse ne që e ndjekim atë sillemi ashtu siç na ka mësuar ai.
Ammar Bashiq; Akos.bA; Përshtati: Miftar Ajdini
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.