Cilat janë procedurat deri te testi PCR?

Opoja.net Opoja.net Shëndeti

Qytetarët që dëshirojnë të testohen me metodën PCR, në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, për të vërtetuar nëse janë të infektuar me coronavirusin e ri, e që e shkakton sëmundjen e COVID-19, duhet marrin fillimisht një udhëzim nga mjeku familjar.

Por, kushti kryesor është temperatura më e lartë se 38.5 si dhe saturimi i oksigjenit në organizëm nën 94 për qind.

Por, disa qytetarë po ankohen se ndonëse po dyshojnë se janë infektuar me coronavirus, kanë simptome të tjera dhe jo temperaturë.

Andaj, po hasin në vështirësi për të kryer një test PCR.

Njëra nga to është Lindita Mulaj, e cila duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se procedura deri te testimi është e komplikuar. Linditën e takuam në oborrin e Institutit Kombëtar, aty ku edhe po testohen qytetarët. Ajo shpjegon në hollësi si ka arritur ta kryejë testin PCR.

“Unë me simptoma kam pritur tri ditë. Por, megjithëkëtë, prapë me të njohur kam arritur deri këtu në IKSHP. Kjo për shkak se për ta marrë udhëzimin duhet të kesh temperaturë. Unë nuk kam temperaturë, por kam simptoma tjera dhe jam e bindur që jam infektuar meqë jam rast kontakti dhe kam simptome tjera, si kollë e dhimbje fyti’’, tha ajo.

Edhe Mexhide Gashi , qytetare nga Prishtina, ka marrë udhëzimin për të kryer testin PCR, me insistimin e saj, meqë simptomat që kërkoheshin për ta lëshuar një udhëzim të tillë nga mjeku familjar, ajo nuk i kishte.

“Procedura është e thjeshtë. Duhet të paraqitesh në Qendër të Mjekësisë Familjare dhe e merr udhëzimin. Por, unë insistova ta marr udhëzimin, pasi që ata më thanë se nuk kam temperaturë. Por, unë kam dhimbje fyti, hunda po më rrjedh. Mendoj se nuk duhet vetëm temperatura me qenë kusht, sepse jo të gjithë e kanë atë simptomë, ndërkohë që e kanë koronavirusin’’, tha ajo

Sami Uka, kryeshef i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, tha se ditët e fundit janë duke u përballur me kërkesa shtesë për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve. Por, ai shton se, gjithashtu, janë duke u përballur edhe me kërkesën e Institutit Kombëtar që të kufizohen rastet udhëzuese, pasi kapacitetet e tyre janë të kufizuara.

“Kriteret janë që ta ketë faturimin e oksigjenit nën 94 për qind, dhe temperaturën 38.5 e lart. Njëkohësisht edhe simptoma të tjera të COVID-19 apo edhe dëshmi se ka qenë rast kontakti. Është problematike kjo punë, por përparësi duhet t’u jepet atyre që kanë simptome dhe janë më të rrezikuar sa i përket shëndetit. Edhe pse ata që janë pa simptome po e shpërndajnë më shumë, por ata me simptome janë më të rrezikuar andaj ju japim përparësi”.

“Nuk kemi limit në numër se sa udhëzime duhet t’i lëshojmë për të kryer teste, por na kanë thënë që për shkak të kapaciteteve të stërngarkuara, t’i kufizojmë sa më shumë, kuptohet duke mos e rrezikuar askënd’’, thotë Uka.

Ndërkaq, Xhevat Jakupi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thotë se aktualisht po punohet me kapacitete të plota, dhe se maksimumi që mund të bëhet në këtë institucion është 1500 testime në 24 orë, aq sa edhe po kryhen.

Ai shton se testet tjera bëhen në laboratore private, porse, siç shprehet Jakupi, nuk kanë informata të sakta se sa teste bëhen në këto laboratore.

“Sa i përket çështjes së udhëzimeve, sistemi shëndetësor funksionon në mënyrë të tillë, që nëse mjeku familjar e sheh të arsyeshme, e lëshon udhëzimin, por ne nuk kemi kapacitet ta testojmë çdo qytetar, andaj duhet kryhet një lloj skreningu dhe në bazë të asaj testohen ose jo qytetarët’’.

“Sa i përket kapaciteteve, jemi duke i testuar deri në 1500 mostra në ditë, e që paraqet kapacitetin më të madh, pra maksimumin e testimit që mund ta kryejmë. Personeli punon nga mëngjesi deri në orët e vona’’, sqaron Jakupi

Testimet me PCR, aktualisht kryhen vetëm në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Prishtinë dhe në laboratorë privatë, derisa po parashihet që në një të ardhme të afërt të mund të kryhen edhe në institute rajonale në Pejë, Prizren e Gjakovë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-