Në kohën kur po përballemi me pandeminë Covid-19, qytetarët rrezikohen edhe nga gripi sezonal.
Simptomat e këtyre dy viruseve janë pothuajse të njëjta, andaj edhe diferencimi i tyre vlerësohet se do të jetë shumë i vështirë.
Infektologu, Ilir Tolaj në një intervistë për Front Online, ka thënë se konfirmimi se një person është me grip sezonal apo me Covid-19, do të bëhet vetëm përmes testeve për Covid-19.
Ai është shprehur se në aspektin klinik, do të jetë problem diagnostimi i rasteve me këto dy lloje të viruseve.
“Në aspektin klinik me siguri që do të ketë problem që të diagnostikohen pa testime dhe kuptohet secili person i cili do të jetë i infektuar nga gripi sezonal, do ta ketë interesimin për ta diferencuar se a është ky grip apo është Covid. Kjo mund të shkaktoj një shqetësim jashtëzakonisht serioz te popullata”, ka treguar ai.
Infektolugu thirrje qytetarëve: Vaksinohuni kundër gripit sezonal
Derisa është shprehur se nuk ka studime të cilat tregojnë se cili do të jetë ndikimi i njërit virus në tjetrin, Tolaj ka thënë se është e nevojshme që qytetarët të vaksinohen për t’u mbrojtur nga gripi sezonal.
Kjo pasi që sipas tij, do t’u lehtësohet edhe atyre më shumë puna kur para vetes kanë një person të vaksinuar me simptoma, të cilat në raste të tilla do të tregojnë se janë simptoma të Coronavirusit.
“Atë që i sugjeroj çdo kujt që është në grupet e rrezikut është që të vaksinohen me vaksinën kundër gripit sezonal në momentin kur vaksina është në dispozicion, meqenëse vaksinat ende nuk i kemi në Kosovë që është gjithashtu një vonesë e paarsyeshme”, ka theksuar ai për Front Online.
Megjithatë, për shkak të masave mbrojtëse të marra ndaj virusit Covid-19, si bartja e maskave e dezinfektimi i duarve, ai ka thënë se nuk pret raste me grip sezonal në muajin tetor dhe nëntor.
“Në Kosovë dhe në përgjithësi në Evropë, gripi sezonal është prezent diku në dhjetor dhe gjatë muajve janar shkurt. Ekzistojnë vlerësime se për shkak të këtyre masave ka gjasa që ato ta shtyjnë edhe për disa javë ose një muaj shfaqjen e gripit sezonal në këtë pjesë të Evropës”, ka theksuar ai për Front Online.
Infektologu Tolaj: Rreth 300 mijë kosovarë janë infektuar me Covid-19
Përkundër që sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, më pak se 17 mijë persona në Kosovë janë infektuar me virusin Covid-19, ky numër vlerësohet të jetë shumë më i madh.
Infektologu Tolaj ka treguar se numri i të infektuarve ka mundur të shkoj deri në 300 mijë.
“Personalisht mendoj që numri i të infektuarve në Kosovë mund të jetë i shifrave deri në 300 mijë dhe se shumica prej tyre e kanë kaluar qoftë në mënyrë asimptomatike qoftë me pak simptoma. Mos të harrojmë janë shumë raste në Kosovë që edhe pse kanë pasur simptoma, nuk e kanë pasur mundësin të testohen”, ka deklaruar ai për Front Online.
I pyetur se nëse rrezikohemi nga vala e dytë e virusit Covid-19 e cila ka filluar në shtetet tjera, ai është shprehur se ajo që do të ndodh në rajon do të ndodh edhe në Kosovë.
“Kosova nuk është e izoluar, prandaj ajo që ndodh në rajon do të ndodh edhe te ne. Në çfarë mase do të kemi një valë të re, a do të jetë ajo shumë serioze apo më e moderuar, do të varet se në çfarë përqindje populli është i infektuar deri tani”, ka thënë ai për Front Online.
Kosova do të furnizohet me vonesë me vaksinën kundër Coronavirusit
Tolaj ka folur edhe për vaksinën që pritet të zbulohet kundër Coronavirusit.
Ai ka thënë për Front Online, se edhe pse në fund të këtij viti ose fillim të vitit të ardhshëm do të zbulohet vaksina, Kosova mund të mos furnizohet me kohë me të.
“Unë jam i bindur se vaksina do të zbulohet. Ka një ngecje tani në botën perëndimore meqenëse se disa raste dolën se i janë shfaqur disa sëmundje në lidhje me aplikimin e vaksinës. Ndoshta në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi vaksinë, por ajo nuk garanton që edhe ne do ta kemi atë në të njëjtën kohë”, ka thënë ai për Front Online.
Sipas tij, Kosova mund të pres deri në një vit për furnizim me këtë vaksinë.
“Ne duhet të përgatitemi që edhe për rreth një viti do të jemi pa këtë vaksinë, por edhe në qoftëse do të jetë vaksina këtu, sasia e saj, do të jetë e kufizuara, që nuk do të ketë ndikim të madh në ecurinë e pandemisë në përgjithësi”, ka shtuar ai./Front Online/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.