Seancat e apelit për nënkryetarin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili po gjykohet nga Dhomat e Specializuara në Hagë, pritet të mbahen në fillim të dhjetorit.
Avokati i zotit Haradinaj, Toby Cadman i tha Zërit të Amerikës se ai shpreson në uljen e dënimit prej 4.5 vjetësh ndaj klientit të tij. Duke folur për të pandehurit e tjerë që po gjykohen në Hagë, zoti Cadman thotë se për shkak të akt-akuzave dhe numrit të madh të dëshmitarëve, disa procese, si ato ndaj ish udhëheqësve të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, mund të zgjasin 3 apo 4 vjet. Me zotin Cadman bisedoi kolegu Artan Haraqija.
Zoti Cadman, a mund të shpjegoni se ku qëndron procesi kundër ish zyrtarëve të lartë dhe politikanëve të lartë të Kosovës, disa prej të cilëve po mbahen në paraburgim në Hagë për më shumë se dy vjet?
Toby Cadman: Shumë prej tyre në fakt po ndiqen më gjatë se dy vjet. Disa prej tyre janë hetuar me vite të tëra para se të jenë dërguar në Hagë dhe të akuzohen. Nasim Haradinaj, të cilin e mbroj unë, është dënuar gjatë këtij viti. Seancat e apelit i kemi më 1 dhe 2 dhjetor. Presim një vendim përfundimtar në fillim të vitit të ardhshëm. Në lidhje me çështjet e mëdha që përfshijnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe të tjerët, procesi gjyqësore ende nuk ka filluar.
“Kur shikoni madhësinë e aktakuzës ndaj Thaçit e të tjerëve, dhe numrin e dëshmitarëve, procesi gjyqësor mund të zgjasë tre ose katër vjet”
Ekipet mbrojtëse dorëzuan së fundmi gjithë dokumentaconin paraprak. Ajo që po presim tani është caktimi i trupit gjykues. Besoj se do të ndodhë brenda disa muajve të ardhshëm dhe më pas të fillojnë gjykimet. Por, kur shikoni madhësinë e aktakuzës dhe numrin e dëshmitarëve, procesi gjyqësor mund të zgjasë tre ose katër vjet.
Zoti Cadman, klienti juaj, Nasim Haradinaj, njëri nga drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim për “pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës, frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”. Çfarë prisni nga procesi i apelit?
Toby Cadman: Presim që dënimi të shfuqizohet dhe ai të lirohet nga akuza, ose të paktën, të jepet e drejta e rigjykimit, pasi ne besojmë se procesi ka pasur shumë të meta. Sigurisht që do të shpresonim që dhoma e apelit të shihte se dënimi është shumë i rëndë dhe jo proporcional. Të paktën shpresojmë që të ketë një ulje të dënimit të tij.
Siç argumentoi gjyqtari në vendimin e tij, z. Haradinaj dhe kolegu i tij, Hysni Gucati kishin kërcënuar dëshmitarët e mbrojtur, duke publikuar informacione për ta dhe dokumente të mbrojtura të Dhomave të Specializuara. Madje, gjykatësi tha se ishin pikërisht veprimet e klientit tuaj, ato që provojnë pse një gjykatë e tillë duhet të jetë në Hagë.
Toby Cadman: Argumentat tona mbrojtëse bazohen në faktin që zoti Haradinaj i ofroi dokumente medias për të treguar se prokurorët kishin bashkëpunuar në mënyrë të papërshtatshëm me zyrtarët serbë. Ajo që ai bëri ishte në interes të publikut. Ai në fakt ishte sinjalizues. Ne argumentuam se dokumentet sekrete, me të dhëna nga hetimi, nuk shkuan në ambientet e zyrës së tij rastësisht, pra kemi të bëjmë me një element kurthi, të ngritur qoftë nga prokuroria, apo nga vetë zyrtarët serbë.
“Kemi të bëjmë me një element kurthi, të ngritur qoftë nga prokuroria, apo nga vetë zyrtarët serbë”
Të gjitha këto çështje do të argumentohen në apel. Qëndrimi ynë është që nuk ka pasur prova të paraqitura në gjyq nga një dëshmitar i vetëm për frikësim apo kërcënim. Kështu këto akuza u hodhën poshtë plotësisht. Sigurisht themeli mbi të cilin gjykata arriti në përfundimin se ekzistonte një mjedis frikësimi mbështetej në prova të para 10 vjetëve. Ne sigurisht shpresojmë që dhoma e apelit ta verifikojë këtë.
Sistemi i drejtësisë së Kosovës nuk ishte i fuqishëm për të gjykuar rastet e UÇK-së dhe për të mbrojtur dëshmitarët. Ky është problemi kryesor që ka pasur bashkësia ndërkombëtare me Kosovën. Si u përgjigjeni ju vlerësimeve se veprimet e zotit Haradinaj dëmtuan zyrtarë të tjerë të lartë që ishin në paraburgim, veçanërisht kërkesat e tyre për t’u mbrojtur në liri?
Toby Cadman: Kur krijoni një sistem gjyqësor ose krijoni një proces të tillë si ai që është ngritur në Hagë, duhet të shikoni natyrën e organizatës, të institucionit që supozohet të jetë një institucion i Republikës së Kosovës. Për fat të keq i tëri është ndërkombëtar, përveç emrit. Ai nuk po bën asgjë për të forcuar sistemin e drejtësisë penale të Kosovës. Çështja që ju theksoni me shumë të drejtë është se institucionet vendase nuk kanë mundur efektivisht t’i trajtojnë vetë disa nga këto çështje. Pra, ekzistonte ende bashkësia ndërkombëtare, por çdo proces duhet të synojë zhvillimin e sistemit të brendshëm kombëtar. Njëra nga çështjet që duhet të shikoni është se në mënyrë që një proces të konsiderohet legjitim nga njerëzit e Kosovës, natyrisht, ai nuk duhet të shënjestrojë vetëm njërën palë pa u marrë fare me asnjë autor krimesh që është serb. Kjo është një e metë thelbësore në këtë proces.
“Për sa i përket z. Haradinaj dhe veprimet e tyre që ndikojnë në të pandehur të tjerë, është një akuzë që e refuzojmë”
Për sa i përket z. Haradinaj dhe veprimet e tyre që ndikojnë në të pandehur të tjerë, është një akuzë që e refuzojmë. Ajo që bëri zoti Haradinaj, ishte një gjë që ai e konsideroi të përshtatshme të bëhej në interes të publikut, për shkak të shqetësimeve që kishte për natyrën e njëanshme të të gjithë këtij procesi. Ai e bëri shumë të qartë këtë në dëshminë e ofruar gjatë procesit ndaj tij. Ky ishte shqetësimi dhe motivimi i tij, e jo të dëmtonte dikënd.
Megjithatë, ofendimi i dëshmitarëve, zbulimi i identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur në median e Kosovës është diçka që ka qenë problem për sistemin e drejtësisë së Kosovës, pra pamunëdia për të mbrojtur dëshmitarët dhe jo të trajtohen ata si tradhëtarë. Kjo është diçka që Z. Haradinaj, e ka bërë.
Toby Cadman: Jo, jo, kjo nuk është diçka që ai e bëri, është diçka që ai e hodhi poshtë plotësisht në gjyq. Ajo që ai bëri ishte zbulimi se çfarë bënë zyrtarët serbë që bashkëpunonin me prokurorinë dhe që ishin individë që kanë qenë të përfshirë në krimet e kryera në Kosovë. Ai realisht nënvizoi se çfarë bënë këta individë duke ndikuar tek procesi dhe kjo ishte logjika mbi të cilin ai ndërmori hapat.
Pretendimet e ngritura në vitin 2011 nga një rezolutë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për trafikim organesh nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës së luftës, bazuar në raportin e Dick Martit, ishte themeli i ngritjes së Gjykatës së Posaçme. Shqipëria së fundmi i kërkoi Këshillit të Evropës të ndryshojë dokumentin e miratuar 11 vite më parë. A mund të ushtrojë një kërkesë e tillë ndonjë ndikim në proceset gjyqësore në Hagë?
Toby Cadman: Para së gjithash, unë mendoj se duhet parë fakti që asnjë nga individët nuk është akuzuar për ndonjë gjë që vjen nga raporti i Dick Martit. Ekipet mbrojtëse, që punojnë me të pandehurit, e kanë ngritur si problem se e gjithë baza e krijimit të Dhomave të Specializuara ishte raporti i Dick Marty-t dhe se asnjë provë nuk u gjet për asnjërin prej individëve si rezultat i raportit. Çështja tjetër që duhet të merret parasysh janë akuzat e besueshme se kishte pasur përjekje për ta vrarë nga inteligjenca serbe. Autoritetet zvicerane besojnë se kërcënimi vinte nga inteligjencia serbe për ta vrarë Dick Martin dhe për t’ia hedhur fajin shqiptarëve të Kosovës. Të gjitha këto çështje duhet të merren parasysh.
“Kosova të merret me anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës, sesa të mbështetet në këto debate politike”
Kur bie fjala tek iniciativa e fundit e kryeministrit të Shqipërisë, kjo mund të ketë ndikim brenda qarqeve diplomatike, por natyrisht, gjykata duhet të veprojë e pavarur jashtë qarqeve diplomatike. Unë mendoj se është më e rëndësishme që Kosova të merret me anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës, sesa të mbështetet në këto debate politike.
Ju dhe avokatët e tjerë mbrojtës jeni ankuar vazhdimisht për punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe veçanërisht të Prokurorisë Speciale. Keni bërë akuzua për njëanshmëri, për mungesë efektiviteti… A mund të na tregoni cili është shqetësimi juaj kryesor që keni momentalisht?
Toby Cadman: Ka ende procedura gjyqësore që po kryhen dhe shumë nga ato që janë thënë mbulohen nga urdhëra me mbrojtje gjyqësore, kështu që nuk mund të hyj në detaje. Ankesat tona kanë të bëjnë me natyrën e njëanshme të procedurave, fakti se ata që kryen shumicën dërrmuese të mizorive gjatë konfliktit, nuk po hetohen, nuk po ndiqen penalisht dhe kjo ndikon në legjitimitetin e procesit. Ka pasur shqetësime të përsëritura që nga fillimi i të gjitha këtyre rasteve sa i përket ndarjes së informacionit të mbledhur nga prokuroria me mbrojtjen. Nuk mund të flas me detaje për rastet kryesore ndaj Thaçit, Veselit e të tjerëve, por të njëjtat shqetësime janë ngritur edhe nga ekipet e tyre mbrojtëse. Si rezultat i disa prej shqetësimeve që kishim ngritur në lidhje me pavarësinë e të gjithë procesit, paanshmërinë dhe drejtësinë e procedurave, u ndjemë të detyruar të parashtronim një ankesë pranë Grupit të Punës të Kombeve të Bashkuara për Paraburgimin Arbitrar, të cilin ne e bëmë në fillim të këtij viti dhe presim që në kohën e duhur grupi i punës i OKB-së ta trajtojë këtë. + Një nga çështjet që ne e kemi ngritur padyshim është nëse Gjykata është një institucion kombëtar apo institucion ndërkombëtar. Ky është një nga shqetësimet që kemi patur që në fillim, se gjykata qëndron disi jashtë sistemit të brendshëm dhe ne besojmë se duhet të funksionojë si një gjyqësor vendas.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.