Burim Piraj: Mund të kemi kolaps ekonomik

Opoja.net Opoja.net Opoja

Njohësi i çështjeve ekonomike, njëherësh pronar i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, ka folur për masat emergjente të marra nga Qeveria në detyrë Kurti lidhur me situatën pandemike Covid-19.

Ai në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka thënë se pakoja emergjente është pjesërisht e mirë por nëse krahasohet me vendet e rajonit, atëherë i bie që është një përkrahje minimale.

Piraj ka thënë se nëse kjo situatë e pandemisë Covid-19 do të zgjasë më shumë se një muaj, atëherë do të kemi kolaps ekonomik në vend.

Ai ka theksuar se meqë është kërkuar që paga minimale të jetë 350 euro, shuma prej 170 eurosh ndihmesë nga qeveria për punonjësit e sektorit privat, mund të konsiderohet ndihmë dhe jo pagë

Intervistoi: Albulena S. MAVRAJ

“Epoka e re”: Z. Piraj, si e keni parë pakon emergjente të Qeverisë Kurti sa  i përket sektorit privat?

Piraj: Mendoj se pakoja është pjesërisht e mirë, nëse e përcjellim se sa mjete kanë ndarë vendet e tjera për të përkrahur sektorin privat, atëherë pakoja e Kosovës paraqet një përkrahje minimale.

“Epoka e re”: Ju keni deklaruar se kompania e juaj nuk do t’i marrë mjetet për punëtorët tuaj në shumë prej 170 eurosh, a nuk është e mjaftueshme kjo shumë?

Piraj: Nëse është kërkuar nga qeveria të jenë pagat minimale 350 euro, duke i konsideruar pagat e tanishme si shumë të vogla për të plotësuar nevojat e punëtorëve 170 euro, mund të konsideron si ndihmë po, por jo pagë!

 “Epoka e re”: Si prodhues vendor me cilat sfida jeni duke u përballur që nga data e 13 marsit në këtë situatë në të cilën ndodhemi.

Piraj: Së pari ne jemi ballafaquar me probleme shumë të mëdha logjistike të cilat po vazhdojnë dhe më tutje, më pas në fillim kemi pas kërkesa shumë të mëdha për produkte e që më pas gradualisht kanë rënë, dhe për momentin shitjet kanë filluar t’i kthehen normales. Kemi pas problem të madh me ndryshime e shpeshta të masave të ministrisë së shëndetësisë,  pasi që sipas urdhëresave të tyre ne është dashur të përshtatim orarin dhe normal dhe angazhimin e punëtorëve.
 “Epoka e re”: Kemi parë deklarime të FMN-së se pritet të kemi tkurrje prej – 5%, çfarë do të thotë kjo për prodhuesit vendorë?

Piraj: Ky është një lajm jo i mirë, pasi që do të ndalen investimet e planifikuara për këtë vit nga pothuajsa të gjitha kompanitë dhe si rezultat i kësaj vitin e ardhshëm mund ta fillojmë me një numër edhe më të madh të papunëve kjo nuk nënkupton se firmat do të lëshojnë punëtorë nga puna, mirëpo lindjen e fuqisë së re punëtore tregu ynë nuk do të jetë në gjendje ta absorbon.

“Epoka e re”: Po sa i përket numrit të papunëve, çfarë pritjesh keni për këtë?

Piraj: Siç e ceka dhe më lartë nëse tkurrja do të jetë 5% dhe nëse qeveria nuk do të intervenoj në mënyrë efikase, atëherë do të shtohet numri i të papunëve.

“Epoka e re”: Na flisni ju lutem dhe për marrëdhëniet ekonomike me jashtë dhe shtete fqinjë, si reflektoi kjo në import?

Piraj: Kosova është shumë e privuar nga tregtia e lirë me vendet e tjera. Të gjitha prodhimet me prejardhje shtazore bllokohen qëllimisht me barriera të panumërta që të mos eksportohen. Çka është më e keqja institucionet përgjegjëse pajtohen që të jetë kështu, fjala është për AUV-në dhe nuk e bëjnë punën e nevojshme që prodhuesve kosovarë t’u hapen rrugët e eksportit, me ç’rast do të hapeshin dyert e shumë vendeve të reja të punës në prodhimin primar të prodhimeve me prejardhja shtazore, në bujqësi dhe gjithashtu në përpunim. Ky është një sistem i tërë agro industrial dhe më i rëndësishmi për ekonominë tonë, i cili është pothuajse i mbyllur, përveç Shqipërisë që ia ka hapur dyert Kosovës në këtë drejtim. 

“Epoka e re”:Cili është apeli juaj për qeverinë karshi kësaj situate?

Piraj: Apeli im është që të ndërmerr masat e duhura duke u bazuar në masat që shtetet fqinje po i marrin, gjithashtu i bëjë apel të mos hutohet nga situata e të mos e realizojë premtimin parazgjedhor sepse ne edhe më tej po importojmë kënaqe për konserva në të cilat po paguajmë taksë doganore gjë që është shumë e dëmshme, taksat në lëndën e parë duhet të hiqen sa më parë nëse duam punësim.

“Epoka e re”: Po ashtu sfida ekonomike, sa do ta atakojë ekonominë e vendit, gjegjësisht sektorin privat dhe prodhimin?

Piraj: Ne nuk po jemi në gjendje ta vlerësojmë se sa do të zgjatë kjo situatë, nëse nuk zgjatë më shumë se një muaj nga tani atëherë do të mund të tejkalohet me shumë peripeci, po nëse zgjatë më shumë mund të përballemi me kolaps ekonomik që do të jetë më i keq se ai i krizës globale. Shumë kompani do të kenë humbje marramendëse në kapital, por edhe do të ketë humbje në pjesëmarrje të tregut apo edhe dalje nga tregu në pamundësi të përballimit të konkurrencës.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-