Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka njoftuar se e ka transferuar komandën e një batalioni të ushtrisë në NATO, në mënyrë që të ofrojë mbështetje shtesë për Kosovën, nëse kjo gjë kërkohet.
Të premten Aleanca Veriatlantike e NATO-s ka autorizuar forca shtesë për adresimin e situatës aktuale në Kosovë. Nëpërmjet një deklarate, sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Jens Stoltenberg, nuk i përmendi ngjarjet e fundit në Banjskë, porse theksoi që autorizimi për forca shtesë u bë pas takimit të së enjtes të Këshillit të Atlantikut të Veriut, që është trupi më i lartë i NATO-s.
“Për shkak të situatës aktuale në Kosovë, kemi transferuar komandën e Batalinit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit – forcë rezervë për Forcën e NATO-s, KFOR – në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetje nëse kërkohet”, thuhet në deklaratën e Ministrisë britanike të Mbrojtjes, raporton Reuters.
Të dielën në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur e uniformuar serbësh vrau policin Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues, në këtë fshat, u vranë tre sulmues. Janë arrestuar tetë persona e katër prej tyre janë liruar. Përgjegjësinë për sulmin mbi Kosovën e ka marrë Milan Radoiçiq, tashmë ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Perëndimi ka dënuar agresionin, ndërsa Serbia i ka shpallur heronj tre sulmuesit e vrarë.
Të premten, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar masa ndaj Serbisë teksa i kanë kërkuar që t’i tërheqë trupat ushtarake nga afërsia me Kosovën.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.