Në orët e mbrëmjes të 23 nëntorit, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian arritën marrëveshje për targat, problem ky që kishte ngritur tensione në Veri të Kosovës. Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell derisa është duke qëndruar në Spanjë ku po merr pjesë në një forum, tha se palët kanë pranuar që ta vendosin në praktikë, atë që është vendosur vite më parë.
Borrell tha se se Bashkimi Evropian ka qenë i përfshirë për arritjen e marrëveshjes mes dy shteteve duke shtuar se është shumë i lumtur që më në fund u arrit një ujdi mes dy palëve.
“BE-ja ka qenë më shumë e përfshirë, është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë gjatë orëve të fundit. Jam shumë i lumtur për marrëveshjen, sepse kemi luftuar që nga gushti që të arrijmë një marrëveshje. Ishim gati ta arrijmë të hënën, nuk ishte e mundur, por 48 orë më vonë jam i lumtur të them se përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë arritën marrëveshje”, deklaroi ai.
Borell tutje tha se derisa po udhëtonte për Barcelonë, e njoftoi një prej ministrave spanjoll për arritjen e marrëveshjes, për të cilën theksoi se “u bë falë Bashkimit Evropian”.
“Dje madje, kur isha duke ateruar për në Barcelonë, ndava me ministrin spanjolli se pati një marrëveshje, falë Bashkimit Evropian dhe emisarit që është i ngarkuar me këtë. Dy palët kanë arritur një marrëveshje dhe kanë pranuar një propozim që është i bazuar në depërshkallëzimin e krizës dhe për t’u fokusuar në atë që është me të vërtetë e rëndësishme, që është për të pasur marrëdhënie normale mes tyre”, tha tutje kryediplomati evropian.
Derisa Kosova dhe Serbia vazhdojnë të hedhin akuza ndaj njëra-tjetrën për mos implementim të marrëveshjeve, Borrell tha se të dyja palët kanë pranuar dhe janë të përkushtuara që t’i implementojnë marrëveshjet e arritura vite më parë.
“Të dyja palët kanë pranuar dhe janë të përkushtuara te ajo që është vendosur vite më parë, duhet të vendoset në praktikë. Marrëveshjet e kaluara po ashtu, duhet të implementohen”, tha ai.
Në fund, Borell paralajmëroi se do të rifillojnë diskutimet për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, derisa foli edhe rreth planit franko-gjerman.
“Ditët në vazhdim, unë do të kontaktoj Brukselin prapë, do të kontaktoj me të dy palët që të rinisin diskutimet për procesin e normalizimit. Është një marrëveshje e rëndësishme për të parandaluar një krizë tjetër, që do të mund të shkaktonte shumë dhunë në veri të Kosovës. Me përkrahjen e ndërkombëtarëve, tani do të flitet për një propozim që është vendosur në tavolinë pas gushtit, që ka përkrahjen e plotë të Francës dhe Gjermanisë”, tha ai në fund.
Ndryshe, kryediplomati evropian, Josep Borell, mbrëmë ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Borrell njoftoi se tash e tutje në Bruksel do të ketë bisedime për normalizim marrëdhëniesh dhe nëse njëra palë bllokon BE do ta ndërprejë procesin.
Po ashtu në deklaratën e Borell u tha që palët e kuptojnë se duhen implementuar marrëveshjet në Bruksel, një referencë kjo për Asociacionin, për të cilën Kurti ka hapur rrugë që Serbia ta trajtojë si çështje në kuadër të propozimit franko- gjerman.
Kujtojmë që takimi në Bruksel u zhvillua vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.