Besnik Bislimi: Është momenti për të dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në dy takime të ndara gjatë qëndrimit në Bruksel, ka takuar komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe këshilltarin diplomatik të presidentes së Komisionit Evropian, Fernando Andresen Guimaraes.

Me këtë rast, Bislimi i ka thënë Varhelyi-t se që vitin e kaluar, Kosova kishte lajmëruar institucionet e BE-së për vendimin për aplikimin për anëtarësim në BE brenda këtij viti dhe tani është momenti për të formalizuar dhe dorëzuar aplikimin.

Zëvendëskryeministri Bislimi, e informoi komisionerin Varhelyi mbi vendimin për aplikimin për anëtarësim në BE.

“Integrimi në Bashkimin Evropian është prioritet dhe synim strategjik për Republikën e Kosovës. Kemi angazhimin e përkushtimin e plotë në intensifikimin e përpjekjeve tona dhe vazhdimit të forcimit të kapaciteteve institucionale në këtë drejtim”, tha Bislimi duke shtuar, se Kosova gjendet tashmë në vitin e gjashtë të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se niveli i përgatitjes dhe gatishmërisë së institucioneve tona është më i lartë se ai i vendeve të rajonit, në momentin e hedhjes së hapit formal të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Shtetet anëtare dhe përfaqësues të institucioneve kryesore të BE-së, janë takuar dhe informuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel, ekipi i zyrës së zëvendëskryeministrit Bislimi dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e po ashtu dhe nga takimet bilaterale të nivelit të lartë. Procesi i integrimit duhet të vazhdojë të jetë meritor, me prioritet mbështetjen, progresin dhe një perspektivë mbi anëtarësimin e ardhshëm”, tha Bislimi gjatë takimi me Oliver Varhelyi.

Po ashtu ai tha se ‘si Kosovë jemi të përkushtuar të tregojmë me të gjitha kapacitetet tona, vullnetin për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian’.

“Avancimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të thotë edhe përforcim i institucioneve e ecja në trajektoren e progresit në sundim të ligjit, demokratizim, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat sociale, zhvillim ekonomik, kohezion shoqëror e vendi ynë po bën pikërisht këtë. Raporti për Vendin 2022, riafirmon të arriturat në këto fusha, që përfshijnë dhe periudhën e parë të plotë të raportimit mbi qeverisjen Kurti II”, tha Bislimi.

Po ashtu, Bislimi e falënderoi Komisionerin Varhelyi për mikpritjen dhe bisedën e frytshme, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin dhe proceset e integrimit evropian të Kosovës.
Ndërkaq, në takimin me këshilltarin diplomatik të presidentes së Komisionit Evropian, Fernando Andresen Guimaraes, Bislimi ka përmendur aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili sipas Bislimit, do të ndodhë para fundit të këtij viti.

“Ky aplikim, vjen si rezultat pozitiv i përkushtimit dhe angazhimit të Republikës së Kosovës konform vlerave e standardeve evropiane, si dhe mbështetjes së fuqishme qytetare ndaj Bashkimit Evropian dhe proceseve integruese. Kosova po bën progres në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian, i cili po kurorëzohet me një hap të radhës formal i cili është aplikimi për anëtarësim. Kualiteti dhe avancimi i institucioneve tona është më i lartë se ai i vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në momentin kur kanë aplikuar për anëtarësim në BE”, tha Bislimi.

Tutje tha ai se Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian, në mënyrë të vazhdueshme e kanë mbështetur rrugëtimin dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës. Aplikimi për anëtarësim, vjen në frymën e orientimit evropian të Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, këshilltari i Presidentes Von der Leyen, Fernando Guimaraes tha se progresi i bërë nga Kosova gjatë këtij viti është i dukshëm, i riafirmuar dhe nga Raporti për Vendin 2022. Gjithashtu, shtoi se Presidentja Von der Leyen është e përkushtuar plotësisht ndaj rrugëtimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se përparimi i Kosovës në sundim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, politikat sociale, zhvillimin ekonomik e demokratizimin janë incentiva dhe imperativë të suksesit dhe qasjes serioze të Qeverisë në përafrimin me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian.​/rtk/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-