Në veri të Kosovës janë vendosur edhe dy barrikada të reja, një në Mitrovicë të Veriut dhe një në Zveçan, te vendi i njohur si Shkëmbi i Dudë. Barrikada në Lagjen e Boshnjakëve është e para e vendosur brenda ndonjë qyteti në veri, që kur disa serbë lokalë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor. Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Vendosja e barrikadave të reja është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, e cila ka njoftuar se “gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë.”
Pra, barrikadat po shtohen, pavarësisht thirrjeve të BE-së dhe KFOR-it që të hiqen ato që ishin vendosur ditë më parë.
Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër i incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), patrulla të KFOR-it dhe gazetarët.
Më 25 dhjetor, një patrullë e KFOR-it ishte cak i të shtënave në Zubin Potok. KFOR-i pranoi se të shtënat kanë qenë në drejtim të njësive të saj dhe shtoi se ka nisur një hetim për këtë incident.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në veri të Kosovës, duke thënë se synon të garantojë siguri për të gjithë qytetarët.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.