Situata në Mitrovicën e veriut aktualisht raportohet se është e qetë. Gjatë të mërkurës nuk është parë ndonjë incident, ndryshe nga një ditë më parë ku pati një mori shpërthimesh.
Kryetari i KMLDNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, ka treguar se ka qenë vetë dëshmitar të martën kur janë hedhur granatat, ndërsa shprehu shqetësim.
“Në pjesën e okupuar të qytetit banojnë edhe shqiptarë, por si mos të jenë të shqetësuar nga tërë ato detonime të një intensiteti të lartë hedhen në oborret e tyre. Kemi qenë edhe ne të shqetësuar në pjesën tjetër, e lëre më ata andej”, ka thënë ai për KTV-në.
Te “Tre Rrokaqiejt” ku u raportua për shpërthime, Barani ka thënë se aty banojnë edhe shqiptarë dhe ata kanë qenë të frikësuar.
“Te tre rrokaqiejt, aty në katin e dytë dhe të tretin ka edhe banorë shqiptarë, në pjesën më të madhe janë shqiptarë dhe afër saj kanë ndodhur detonime me intensitet të lartë. Pasiguri ka gjithherë, por posaçërisht kur ka raste të tilla të detonimeve, pastaj ka pasur edhe rafalë të automatikëve, dhe të shqetësuar ka pasur fëmijë, pleq e plaka”, ka shtuar ai.
Sipas Baranit, zgjedhjet në veri duhet të shtyhet për një kohë.
“Ka mundësi të mbahen zgjedhjet në Lagjen e Boshnjakëve, por ato nuk mund të quhen zgjedhje demokratike sepse në zgjedhje duhet të marrë pjesë tërë popullata. Në Leposaviq janë tri fshatra shqiptare, aty mund të mbahen zgjedhjet por çfarë efekti do të ketë. Ish dashtë që zgjedhjet të shtyhen për një kohë, pa u kthyer të gjithë serbët në vendet ku kanë punuar, kushtet nuk krijohen në pjesën e okupuar të Mitrovicës për zgjedhje të lira apo të zgjedhet ndonjë kryetar shqiptar”, ka deklaruar Barani.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.