Kriza e mungesës së miellit i ka prekur edhe banorët e fshatrave të Opojës nga rajoni i Dragashit.
Behlul Qafleshi, banor i fshatit Bellograd të kësaj qyteze, thotë se ata po e kanë të pamundur furnizimin me miell, edhe pse mulliri i fshatit është funksional, raporton KOHA.
Qafleshi thotë se është e vështirë të sigurojnë miell, pasi kërkesa e banorëve për t’u furnizuar me këtë produkt është rritur ndjeshëm pas përhapjes së koronavirusit.
Banorë të tjerë nga ky fshat thonë se përhapja e shpejtë e virusit ka bërë që të shtohet numri i atyre që kërkojnë miell, derisa thonë se mullisët po e bëjnë të pamundurën që të furnizojnë secilin banor.
Në Komunën e Dragashit kanë thënë se janë në dijeni për shqetësimin e ngritur të banorëve.
Porse situata e krijuar me miellin nëpër gjithë vendin ka bërë që shumica e mullinjve të kenë më shumë punë sesa kapacitetet e tyre normale.
Nënkryetari i kësaj komune, Selami Saiti, ka shtuar se është duke u vëzhguar situata, ndërsa për shkak të kërkesave të shumta, banorët e këtyre fshatrave po furnizohen me miell në sasi më të vogla se zakonisht.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.