Fshatrat e Opojës së Dragashit gjatë ditës së djeshme dhe mbrëmë janë përballur me mungesë të energjisë elektrike. Banorët ankohen se kjo ndodh shpesh , sidomos në stinën e dimrit.
Fshatrat e trevës së Opojës në komunën e Dragashit , janë përballur me mungesën disaorëshe të rrymës elektrike. Shqetësimet e banorëve të fshatit më të madh të kësaj komune, Bresanë , janë të mëdha , sidomos tani kur stina e dimrit vetëm ka trokitur në dyert e banorëve të kësaj komune. I shqetësuar me këtë gjendje shprehet edhe, Ajet Reshiti drejtor i shkollës “ 28 Nëntori” në këtë fshat.
Ai thotë se, komuna e Dragashit vazhdimisht është shquar për korrektësinë ndaj pagesave të faturave të rrymës , e në territorin tonë kemi edhe disa minihidrocentrale që nuk po e zgjidhin problemin e kahmotshëm të furnizimit me rrymë , thotë Reshiti. Të indinjuar me këtë gjendje që nuk është risi në këtë komunë, janë edhe banorët e saj, Fitim Tefiku dhe Isak Hatullahu, të cilët deklaruan se as nuk lajmërohen për ndërprerje të tilla të rrymës. Kryetari i komunës , Shaban Shabani, përmes telefonit tha se ai asnjëherë nuk lajmërohet nga përgjegjësit për ndërprerjen e rrrymës.
Ndërsa përfaqësuesi i zyrës së furnizimit me rrymë në komunën e Dragashit, Selami Domuzeti tha se gjatë ditës në këtë komunë ka patur reduktime të planifikuara , por në orët e mbrëmjes është dëmtuar një përçues elektrik në Bresanë . Gjatë ditës defekti është eleminuar dhe furnizimi me rrymë është duke u zhvilluar normalisht.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.