Ka disa ditë që kanë filluar punimet për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në fshatin Blaç të Komunës së Dragashit. Por banorët e këtij fshati janë në telashe me kompaninë e kontraktuar për kryerjen e këtyre punimeve, për shkak se kjo e fundit i ka lënë ata pa ujë të pijshëm për më shumë se 35 orë.
Banorët e Blaçit, përveç kompanisë e cila po ua rregullon rrjetin e ujësjellësit, i kanë akuzuar edhe autoritetet përgjegjëse komunale për papërgjegjësi dhe mungesë interesimi për gjendjen e krijuar.
Faqja ‘Blaçi’ në Facebook ka njoftuar për një mbledhje të mbajtur nga kryesia e fshatit, e cila u është drejtuar me një kërkesë ”udhëheqësve komunalë, mbikëqyrësit të Projektit, Sebehat Hasanit, që nesër të ndërpriten punimet dhe të vazhdohet me një drejtim tjetër, nga Bazeni në drejtim të Mahallës Poshtë dhe në drejtim të Mahallës Prifti, deri në hyrje të këtyre dy mahallëve të lidhen gypat e ujit në menyrë që këto dy mahallë mos të kenë reduktime të ujit, pastaj të vazhdojë Projekti në Mahallën e Epërme, siç shkruan në njoftim.
”Nëse nuk doni bashkëpunim dhe vazhdon kjo gjendje, ju informojmë se, si pasojë e kësaj mund të vije deri të ndonjë epidemi e mundshme apo helmim, e përgjegjës për këtë do të jenë përveç personave përgjegjës të kompanisë (kompanive) implemtuese, edhe kryetari i komunës së bashku me komisionin përgjegjës për mbikëqyrjen e projektit, kështu që ne do t’i procedojmë penalisht personat përgjegjës dhe do të kompenzojnë dëmin e shkaktuar”, thuhet në një reagim të mëhershëm të banorëve të Blaçit, të publikuar në Facebook./Opoja.net
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.