Banorët e 3 fshatrave të Opojës: Brezne Buçe e Qollopek, vazhdojnë të mbesin peng i HC ”Zhuri”, i cili më 2009 kishte planifikuar ndërtimin e një liqeni akumulues në këto zona.Pronarë të 200 shtëpive të fshatit Brezne, rreth 30 të Qollopekut, të disa bizneseve në afërsi të fshatit Buçe, të cilat supozohet se duhet të zhvendosen, si dhe ata të 400 hektarëve tokë, që pritet të mbulohen nga liqeni, janë në pritje të një vendimi nga Qeveria e Kosovës.Aktualisht, sipas tyre, në këto fshatra çdo gjë është bllokuar, ndonëse shumë prej tyre kanë nevojë për ndërtim të shtëpive. Në fillim të vitit 2009, ata ishin njoftuar se gjatë muajit prill, ose në fillim të majit do të vendosej për këtë çështje, por edhe sot e kësaj dite, as ata, e as strukturat lokale të kësaj komune, nuk kanë ndonjë informacion se çfarë do të bëhet me këtë projekt.Për më tepër, përmes një vendimi të Komunës së Dragashit, dërguar banorëve të këtyre fshatrave, në vitin 2009, e që ende është në fuqi, atyre u ishin ndaluar punimet në zonën ku pritet të ndërtohet liqeni akumulues i HC “Zhuri”.Tashti ata shprehen se vendimi i marrë në mars të atij viti është respektuar, por duke qenë se ka më tepër se 4 vjet që nuk i ka konsultuar askush, ata kërcënojnë se do të nisin ndërtimet në këtë zonë.Zait Gashi, kryetar i Grupit të fokusit, të cilin Komuna e kishte formuar në nëntor 2008 për bashkëbisedim me banorët e fshatrave Brezne, Buçe e Zym, është shprehur se që nga formimi i këtij grupi e deri tashti, as ai e as ndonjë anëtar tjetër i Grupit të fokusit nuk është konsultuar për këtë. Tashti banorët janë të vendosur që të mos respektojnë vendimin e Komunës për ndalimin e ndërtimit në këtë zonë”, ka pohuar Gashi.Pothuajse ngjashëm është shprehur edhe Avdi Qollopeku, anëtar grupi i fshatit Qollopek, i cili, gjithashtu preket nga akumulimi i ujit. Në nëntor të vitit 2008, përfaqësuesit e Ministrisë së Energjetikës dhe asaj të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor i patën njoftuar zyrtarët lokalë të Dragashit me parapërgatitjet që është duke bërë Qeveria për realizimin e këtij projekti madhor, i cili domosdo se kërkon edhe angazhimin e strukturave lokale dhe qytetarëve ku ai do të shtrihet.Zyrtarët e këtyre ministrive, Sabri Limari e Sylë Tahirsylaj, pasi që kishin folur për rëndësinë ekonomike që do të këtë kjo vepër energjetike, ishin shprehur se HC “Zhuri”, i cili tashmë veç ka hyrë në prioritetet e Qeverisë së Kosovës, është i një rëndësie të madhe edhe për këtë komunë, ngase, pos tjerash, në fazën e ndërtimit do të absorbonte një numër të konsiderueshëm të punëtorëve edhe nga kjo komunë.Më tej, ishte theksuar se në kuadër të aktiviteteve tjera, të cilat duhet t’i ndërmarrin autoritetet lokale, është edhe fillimi i komunikimit gradual me komunitetet, për ç’gjë është paraparë edhe formimi i Grupit të fokusit, të përbërë nga 12- 15 anëtarë, nga komuniteti i lokaliteteve, pronat e të cilave do të preken drejtpërdrejt nga liqeni akumulues i këtij HC.Duke qenë se, siç ishte thënë në atë takim nga ana përfaqësuesve të MAPL-së, detyrë e këtij grupi do të jetë njoftimi me modalitetet e ndërtimit të këtij projekti, komunikimi me zyrtarët e projektit, si edhe mbajtja e kontakteve të përhershme me pjesëtarët e komunitetit, pronat e të cilave pritet të preken në çdo fazë të ecurive të punimeve, autoritetet lokale patën caktuar edhe 15 anëtarët e këtij grupi. Por nga ajo kohë ata nuk kanë mbajtur asnjë takim, e as që janë ftuar nga ndokush për ndonjë konsultë.Drejtuesit e Komunës nuk kanë ndonjë informacion se deri ku është arritur me konkretizimin e projektit, përfshirë këtu vlerësimin e ndikimit në mjedisin, si dhe ndikimin e drejtpërdrejt që do të këtë në ekonominë e kësaj komune, por kanë saktësuar se nga Qeveria kanë preferenca që të vazhdohet me ndalimin e ndërtimit në këtë zonë.Avni Nebiu, drejtor i DAP-së, është shprehur se kanë pasur trysni nga banorët e këtyre fshatrave, pasi që ata kanë kërkuar qartësi rreth ndërtimit apo mosndërtimit të HC ‘Zhuri’.“Kohë më parë kemi kërkuar nga Qeveria se çfarë të bëjmë me vendimin për ndalimin e ndërtimeve, ndërkaq përgjigje kemi marrë se edhe më tej ai duhet të mbetet në fuqi. Unë në vazhdimësi jam duke u interesuar për këtë çështje, andaj me të marrë ndonjë informacion, me kohë do të informohen qytetarët”, ka pohuar Nebiu.KK i Dragashit më 7.7.2011, pas kërkesës së kompanisë “Eurokos JH Loreto Consult AG”, ka dhënë pëlqimin për realizimin e investimeve në 6 hidrocentrale në lumenjtë e Brodit e Restelicës, rrjedha e të cilëve pritej të mbushte liqenin akumulues për nevoja të HC “Zhuri”. Menaxheri i kësaj kompanie, Zeqir Shamolli, ka bërë të ditur se me fillimin e pranverës do të nisin investimet.“Ne shpresojmë se me përfundimin e disa procedurave rreth shpronësimit të disa pronave, të cilat pritet të kryhen shumë shpejt, do të nisë ndërtimi i objekteve. Ndërkaq, nisur nga fakti se lokacionet ku janë paraparë të ndërtohen këto minihidrocentrale, e pamundësojnë derdhjen e ujit në liqenin akumulues për nevoja të HC “Zhuri”, as Shamolli, e as zyrtarët lokalë të Dragashit nuk kanë mundur të jepnin ndonjë përgjigje./opoja.net/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.