Ballkani do ta zhvillojë ndeshjen e tretë të fazës grupore në Ligën e Konferencës për edicionin 2023-24.
Klubi kosovar do ta mirëpresë në “Fadil Vokrri” skuadrën nga Kazakistani, Astana, me fillim nga ora 18:45.
‘Portokallinjtë’ hyjnë në këtë ndeshje optimist dhe tejet të motivuar për një rezultat pozitiv, shkruan Sinjali Sporti.
Kjo pas fitores madhështore ndaj gjigantit kroat, Dinamo Zagreb, në ndeshjen e dytë të fazës grupore të zhvilluar në “Fadil Vokrri”.
Dinamo Zagreb shihej si favorit i padiskutueshëm në atë duel, marrë parasysh dominimin e saj në ligën kroate – si një kampion i 24-fishtë në atë ligë, po ashtu eksperiencën në garat evropiane, ku jo shumë larg kishte mposhtur skuadra me renome si Arsenal e Chelsea, e gjithashtu edhe vlerën e skuadrës kroate e cila shkon në rreth 80 milionë euro.
Megjithatë, Ballkani arriti që t’ia hudhë poshtë të gjitha këto skuadrës kroate, duke e gjunjëzuar në Prishtinë, për të fituar me rezultat 2-0, ndonëse ky është vetëm edicioni i dytë ndonjëherë i Ballkanit në garat evropiane dhe vlera e skuadrës së tyre është rreth 5 milionë euro.
E kjo fitore e madhe, ndaj klubit që konsiderohet edhe si favorit për të fituar grupin, sigurisht se tani ka hapur shpresat e Ballkanit për një kalim potencial të grupeve.
Ballkani sonte përballet me kampion aktual të Kazakistanit, Astana, që njëherit është edhe skuadra më e trofeshme në ligën kazake, me 7 tituj lige. Ata gjithashtu kanë fituar kupën vendase 3 herë si dhe superkupën 6 herë.
Tabela aktuale pas dy xhirove të para në grupin C e gjen Ballkanin në pozitën e dytë me 3 pikë, aq sa ka edhe Dinamo Zagreb në vendin e tretë, kurse Viktoria Plzen i prin grupit me 6 pikë, me dy fitore të arritura, ndërkohë kundërshtari i sotëm i Ballkani ndodhet e fundit në tabelë me asnjë pikë të grumbullar, pas dy humbjeve të para.
Me një triumf potencial sonte, Ballkani do t’i rriste gjasat dukshëm për kualifikim, e cila do të mblidhte 6 pikë nga 9 të parat të mundshme.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.