ATDHETARI I SHQUAR, ABIDIN LEPRAJ NGA PLLAVA E OPOJËS

Opoja.net Opoja.net Opoja Personazhe

[dropcap]A[/dropcap]tdhetari i shquar, Abidin Lepraj, u lind në fshatin Plavë të Opojës, komuna e Dragashit. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin e Dragashit, kurse dy vite të fakultetit, dega e gjuhës frënge, në Prishtinë. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike i ndërpret studimet dhe, si shumë moshatarë të tjerë të kësaj ane, fati e dërgoi në Parisin e largët. Atje punoi dhe studioi gjuhën frënge. Pasi që në mërgim vërejti rrezikun e asimilimit të fëmijëve të mërgimtarëve tanë, të cilët rininë e tyre e kaluan larg vendlindjes për kafshatën e gojës, apo duke ikur nga zullumi serbo sllav, shumë herët e filloi veprimtarinë e tij të ngjeshur iluministe.

Nismëtar i shkollave shqipe
Pa u hamendur fare ai i përvishet punës së palodhshme për t’i ndihmuar këta fëmijë që ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar. Dhe si rezultat i kësaj pune, në Paris dhe rrethinë hapen paralelet e para, me mësim në gjuhën shqipe. Atëbotë gazetat dhe revistat kosovare e bënë të njohur emrin e këtij patrioti të shquar, i cili nuk kurseu asgjë për çështjen kombëtare. Por ai nuk ndalet me kaq. Më vonë, me kontributin e tij dhe të disa patriotëve të tjerë, bashkëveprimtarë të tij, hapet edhe paralelja e gjimnazit, me mësim plotësues. Ndodhi kjo në vitin 1987, në Parisin e bukur, për të cilin Abidini kishte dëgjuar shumë qysh kur ishte fëmijë.

Themelues i klubit shqiptar “Trepça”
Veprimtaria e tij nuk ndalet me kaq. Ai, pa u ndalur fare vazhdoi me ngulm veprimtarinë e palodhshme patriotike, duke mos kursyer fare tërë pasurinë e tij, të fituar me aq mund, larg familjes së tij. Për një punë të tillë i duhej edhe mbështetja e patriotëve të tjerë. Për këtë arsye, ai rreth vetes tuboi shumë të rinj të mërguar shqiptarë, të cilët ditë e natë mendonin për një Kosovë të lirë.
Kështu, në vitin 1982 e themeloi Klubin e punëtorëve shqiptarë, të cilin e pagëzuan me emrin “Trepça”, në shenjë respekti ndaj minatorëve të Trepçës. Kryetar i parë i këtij klubi, natyrisht që zgjidhet Abidini. Nuk kaloi shumë kohë dhe ky klub luajti një rol mjaft të rëndësishëm, duke u bërë si vatër e vërtetë për shumë veprimtarë që jetonin atje. Ata tani, në mënyrë të organizuar, parashtruan shumë kërkesa drejtuar botës demokratike, duke sensibilizuar pandërprerë çështjen e shqiptarëve të Kosovës, për të cilën bota asokohe dinte shumë pak, ose aspak. Ishte koha kur në Kosovë represioni i pushtetit serbo-sllav kishte arritur kulmin, ngase pas trazirave të pranverës ’81, mbi shqiptarë ushtrohej një dhunë e paparë, ndërkaq pushteti e pat bllokuar në tërësi sensibilimin e çështjes shqiptare në çarqet ndërkombëtare.

Nismëtar i Shoqërisë kulturo artistike
Me kontributin e Abidinit, në kuadër të këtij klubi të shqiptarëve themelohet edhe Shoqëria kulturo artistike, po me të njëjtin emër. Qëllimi i themelimit të këtij klubi nuk ishte vetëm që të ngjallej jeta kulturore e mërgimtarëve tanë, por ai bëhet një çerdhe e vërtetë e atdhetarëve shqiptarë, duke mbajtur lidhje me klube të shumta, jo vetëm të shqiptarëve, po edhe të vendeve të tjera që kishin simpati për popullin e sfilitur të Kosovës. Nga ana tjetër, me themelimin e këtij klubi i kthehen jetës të gjithë ata mërgimtarë tanë, të cilët kishin rënë në amulli të plotë, duke rrezikuar edhe tjetërsimin e tyre shpirtëror.
Abidini fliste pak, por punonte shumë. Bashkë me shokun e tij, Nazmi Istrefin, atëbotë kanë strehuar shumë refugjatë shqiptarë, të cilët kishin vërshuar perëndimin për të kërkuar shpëtim. Dhe, e tëra kjo bëri që ky klub, si dhe restoranti i tij të viheshin në shënjestër të sigurimit famëkeq serbosllav, të njohur si UDB. Për më tepër, në këtë klub asokohe ndodhë edhe një incident, në momentin kur Abidini nuk lejon që të hiqet flamuri ynë kombëtar nga lokalet e klubit, si kërkesë e prerë ambasadorit jugosllav. Me këtë rast ndërmjet tij dhe Abidinit zhvillohet edhe një duel i ashpër verbal. Ndodhi kjo në mars të vitit 1987. Duhet theksuar se nuk ishte ky rast u vetmuar. Raste të tilla asokohe ndodhnin shpesh. Abidini kurrë nuk lëshoi pe, por kundërshtarët e përbetuar këtë nuk ia harruan kurrë.
Mysafirë të restorantit të tij ishin edhe shumë emra të njohur të intelektualëve shqiptarë. Ndër ta duhet veçuar edhe të madhin Ismail Kadare dhe bashkëshorten e tij, Elenën. Aty ishte edhe vendtakimi i shumë delegacioneve nga Kosova dhe Shqipëria, duke u bërë kështu një çerdhe e vërtetë e atdhetarëve tanë.

Takimi me Bernard Benedetin
Bashkëveprimtarët e Abidinit pohojnë se ai ka merita të veçanta për financimin e Dr. Bernard Benedetit, toksologut me famë botërore dhe anëtar i Shoqatës “Mjekët e botës”. Kosovarët nuk do ta harrojnë kurrë emrin e Benedetit, ngase ai iu rrek i pari, me shumë seriozitet, çështjes së helmimit të nxënësve shqiptarë, duke analizuar mostrat e gjakut, dhe në fund del para opinionit botëror me konstatimet e tij të sakta, të cilat dëshmonin se fëmijët e Kosovës vërtetë ishin të helmuar. Ishte kjo një punë mjaft e guximshme në atë kohë, kur propaganda serbo sllave bënte çdo gjë për ta mashtruar botën, duke e fshehur të vërtetën.
Për të gjitha këto, kriminelët serbë, të cilët më parë kishin vrarë vëllezërit Gërvalla, Kadri Zekën, Enver Hadrin dhe patriotë të tjerë, vendosën që ta likuidojnë edhe Abidinin. Në këtë mënyrë, pas një skenari të përgatitur mirë, ashtu siç dinte UDB-ja jugosllave, në restorantin e tij, me 1 janar të vitit 1992, pas pritjes së Vitit të Ri, gjëmon një lëndë shpërthyese, dhe me këtë rast Abidini pëson lëndime të rënda trupore, nga pasojat e të cilave ndërron jetë në një spital të Parisit. Iku në këtë mënyrë, ende pa i mbushur 40 pranvera. Mirëpo vepra e tij patriotike, por vepra e tij atdhetare mbeti në përjetësi.

Vdekja e tij mbetet e pandriçuar
Në varrimin e tij, në vendlindje, morën pjesë, pos opojarëve, edhe shumë shqiptarë nga viset tjera shqiptare. Dhe, që atëherë vdekjen e tij e mbuloi misteri, i cili ende nuk është hequr. Ende është e paqartë se kur do të vijë dita për zbardhjen e kësaj enigme, e cila nuk i mundon vetëm familjarët e tij. Të paktën, këtë ia kemi borxh këtij personaliteti të shquar, që bëri aq shumë për të mirën e kombit.
Në kulmin e veprimtarisë së tij atdhetare, përmes klubit “Trepça” ai vuri kontakte të drejtëpërdrejta me shumë personalitete të shquara politike, jo vetëm nga Kosova e Shqipëria, po edhe nga shumë vende evropiane. Kontaktoi, çdo ditë, personalitete të penës e të kulturës. Në këtë mënyrë, ai bëhet ndër të parët nga mërgimtarët tanë që e hetoi orën e historisë, e cila më pas filloi të ecë në të mirë të shqiptarëve të Kosovës. Punoi në heshtje, pa pompë e zhurmë, po puna e tij ishte me vlerë të madhe. Me përgatitjen e tij intelektuale, i pajisur me një kulturë të gjerë politike e atdhetare, ai arriti të gëzojë një autoritet të pakonstetueshëm në radhët e mërgimtarëve shqiptarë, gjithandej në Evropë. Dhe mu kjo i kushtoi me jetë. E përfundoi jetën kështu larg vendlindjes, Plavës së tij të dashur, ku i kaloi çastet më të lumtura fëmijërore. I mbylli sytë i përmalluar fort për familjen dhe fëmijët e tij, të cilët sot janë krenarë për veprën e tij patriotike. Megjithatë, gjakatarët serbosllavë nuk munden për ta vrarë shpirtin e tij, i cili bëhet flakadan për të gjithë ata të rinj e të reja, të cilët, kur erdhi dita e shumëpritur, rrokën pushkën për t’iu kundërvënë armikut shekullor. Armikut, që shoi jetën e Abidinit dhe të shumë patriotëve të tjerë.
Në ceremoninë mortore të këtij patrioti të paepur, në emër të klubit të punëtorëve shqiptarë “Trepça”, kishte folur edhe miku i tij i pandarë, Xhemajl Asipi, nga fshati Shemeshovë i Tetovës. Dhe ai kishte se për çka të fliste, ngase me vite të tëra veproi së bashku me Abidinin. Evokimi i kujtimeve të tij për jetën dhe veprimtarinë e Abidinit përcillet me shumë lot…

” O ata, t’lumtë qi e dhanë jetën,
O ata t’lumtë, qi e shkrinë vehtën,
lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
butë u kjoftë moti e stina,
e der t’këndojë n’mal ndo’i zanë,
der sa t’shëndrisin diell e hanë,
ata kurr mos u harrojshin…”
Kështu ka thënë dikur Fishta ynë i madh, krenaria e kombit shqiptar..

Ky material është publikuar nga Opoja.Net

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-