Arkëtari i ujësjellësit në Dragash, mohon të ketë përvetësuar 3 mijë euro

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Lajme Opoja

Besnik Huqaj, i cili akuzohet për përvetësim të 3 mijë eurove nga ndërmarrja publike “Hidroregjioni Jugor”, të hënën, ka mohuar një akuzë të tillë. Huqaj, gjatë mbrojtjes së tij, të dhënë në Gjykatën Themelore në Prizren, ka thënë se në arkën në të cilën ka punuar, kanë pasur qasje edhe persona tjerë.

Ai tutje ka thënë se ka pasur për detyrë që të bëjë arkëtimin mjeteve të sjellë nga inkasantët në teren dhe të njëjtat i ka dërguar në bankë, në xhirollogarinë e ndërmarrjes në fjalë. Huqaj ka shtuar se nuk ka qenë prezent kur është instaluar bërë inspektimi i vendit të tij të punës dhe se nuk e din se si auditorët i kanë nxjerrë përfundimet.

Prokurori i rastit, Sefer Morina, në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se me provat e administruara dhe dëshmitarët e dëgjuar, është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet. Tutje ka kërkuar që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Visar Ostrozubi, deklaroi se me asnjë provë të vetme nuk është arritur të dëshmohet fajësia e të mbrojturit të tij. Ostrozubi ka shtuar se raporti i auditimit nuk është i plotë dhe nuk prezantohen provat në të cilat është mbështetur ky raport. Poashtu ka kërkuar nga trupi gjykues që të mos ia falë besimin raportit të hyrje-daljeve nga arka, pasi që, sipas tij, raporti nuk është i nënshkruar dhe i vulosur.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, e ka shpallur të përfunduar gjykimin ndërsa aktgjykimin do ta shpallë të mërkurën, në ora 10:00.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, me të cilën Besnik Huqaj akuzohet se duke punuar si arkëtar në ujësjellësin “Hidroregjioni Jugor”, dega në Dragash, ka përvetësuar nga arka, në mënyrë të paligjshme, shumën e parave prej rreth 3 mijë eurove./betimiperdrejtesi/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-