Arafati, Muzdelifeja dhe Mina

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Të gjithë dijetarët myslimanë pajtohen se qëndrimi në rrafshnaltën e Arafatit është shtyllë – kusht prej shtyllave bazë të Haxhit, dhe pa këtë qëndrim Haxhi nuk mund të realizohet dhe nuk konsiderohet i vlefshëm. Muhamedi a.s., ka thënë: “Haxhi është Arafat”. Transmetojnë Termidhiu, Ebu Davudi, Ibn Maxheh dhe Nisaiu.

Qëndrimi në Arafat

Bazuar në hadithin e Pejgamberit a.s., rrafshnalta e Arafatit e tëra konsiderohet vendqëndrim. Muhamedi a.s., ka thënë: “…veçse kam qëndruar në këtë pjesë-vend dhe Arafati i tëri është vendqëndrim”. (Ebu Davudi dhe Ibn Maxheh). Prandaj secili haxhi që qëndron në këtë hapësirë, pa veçuar ndonjë pjesë nga tjetra, ka realizuar Haxhin e tij. S’ka dyshim se qëndrimi tek kodra e rahmetit-xhebel err-rrahmetu është më i preferuari, ndërkaq duhet të jemi të kujdesshëm që të mos marrim për vendqëndrim dhe të mos qëndrojmë në Urenete, sepse këtë e ka ndaluar Pejgamberi a.s., dhe ka treguar se Urenete është luginë e shejtanit. Muhamedi a.s., ka thënë: “I tërë Arafati konsiderohet vendqëndrim, ndërsa largohuni nga Urenete” (transmeton Ibn Maxheh).

Pra, lugina e Urenete-s nuk konsiderohet vendqëndrim. Po ashtu duhet të kemi kujdes që të mos ndalemi dhe të mos marrim për vendqëndrim Nemirete-n, e cila gjendet para Arafatit, sepse një gjë e tillë, me koncensus të dijetarëve islamë, është e pavlefshme dhe nuk llogaritet vendqëndrim. Megjithatë, në ditët e sotme është lehtësuar shumë dhe është i lehtë qëndrimi brenda kufijve të Arafatit, sepse përkufizimi i tij tashmë është bërë me shenja shumë të qarta dhe hanxhinjtë i vërejnë dhe i dallojnë shumë lehtë kufijtë e tij.

Kohëzgjatja e qëndrimit në Arafat

Koha e qëndrimit në Arafat fillon me kalimin e diellit nga zeniti në ditën e nëntë të muajit dhul hixheh, gjegjësisht pas drekës të po asaj dite, e zgjat deri në agimin e ditës së nesërme. Haxhi i secilit haxhi që qëndron në Arafat gjatë kësaj periudhe, është i vlefshëm, pa marrë parasysh nëse e ka bërë nijet apo jo, është i vetëdijshëm se është në Arafat apo jo, është i sëmurë apo jo, është i zgjuar apo në gjumë, ka abdes apo jo, është i pastër apo jo. Madje, edhe nëse i bie të fikët, ose edhe vetëm ka kaluar për Arafat, haxhi i tij është i vlefshëm.

Thotë Abdurrahman jamur ed-dejli: “Kam ardhur tek Pejgamberi a.s., në Arafat dhe aty erdhën disa banorë të fisit Nexhd dhe thanë: O i Dërguar i Allahut Çfarë është haxhi? Pejgamberi a.s., tha: Haxhi është Arafat dhe kush vjen para namazit të sabahut natën e qëndrimit në Muzdelife, haxhin e tij e ka realizuar”.

Transmetojnë Edu Davudi dhe Ibn Maxheh. Ndërsa qëndrimi në Arafat deri në perëndim të diellit është vaxhib, sepse vetë Pejgamberi a.s. ka qëndruar në Arafat deri në perëndim të diellit. Ai që largohet nga Arafati para perëndimit të diellit, edhe pse haxhi i tij është i vlefshëm, obligohet të therë kurban. Të gjithë dijetarët pajtohen se qëndrimi në Arafat mjafton të jetë qoftë edhe për një kohë të caktuar. Ndaj koha e obligueshme e qëndrimit në Arafat është një pjesë e mjaftueshme e kësaj kohe, duke përfshirë këtu qëndrimin deri në perëndimin e diellit, i cili, siç e theksuam më herët, është vaxhib. Secili haxhi që nuk qëndron në Arafat, qoftë edhe kohën që përmendëm, haxhi i tij është i pavlefshëm dhe nuk llogaritet.

Synetet gjatë qëndrimit në Arafat

1. Pastrimi i trupit në Nemirete. 2. Imami prijësi të mbajë dy hytbe nëpërmjet të cilave do t’ua sqaronte haxhinjve rregullat e Haxhit. 3. Të shkurtohet dhe të bashkohet namazi i drekës me namaz të ikindisë në kohë të drekës. 4. Të mos agjërohet. 5. Të jetë me abdes. 6. Të qëndrojë afër gurëve të mëdhenj, të cilët gjenden poshtë xhebel err-rrahmeh-kodrës së mëshirës. Edhe nëse nuk mund të qëndrojë aty pranë, të përpiqet të jetë sa më afër tyre brenda mundësive. 7. Të jetë i pranishëm me zemër dhe larg çdo preokupimi që mund t’ia shpenzojë kohën. 8. Të drejtohet nga kibla. 9. T’i çojë lart duart gjatë lutjeve. 10. Të lutet sa më shumë duke E madhëruar Allahun me Tahmid, Tesbih dhe Tekbir. 11. Të mos hyjë nën hije, me përjashtim nëse nuk mund të përballojë diellin. 12. Të bëjë Telbije dhe të shtojë kërkimin e faljes tek Allahu. 13. Lutjet-duatë t’i përsërisë nga tri herë. 14. Të lexojë Kur’an. 15. Të bjerë salavat për Pejgamberin a.s.. 16. Të mos fjaloset me njerëz. 17. Gjatë lutjeve të mos dallojë vetëm ndonjë dua, por të lutet çfarë të dëshirojë, ndërsa lutja më e preferuar është: La Ilahe Il-lall-llahu vahdehu la sherike Lehu Lehul mulku ve Lehul hamdu ve Huve ala kul-li shejin kadir etj.(1)

Qëndrimi në Muzdelife

Të gjithë dijetarët-medhhebet janë pajtuar që qëndrimi në Muzdelife është vaxhib jo shart kusht, dhe kush e lë këtë vaxhib, obligohet të therë kurban. Koha e obligueshme-vaxhib e qëndrimit në Muzdelife, është një pjesë e mjaftueshme e kohës, sikurse në Arafat. Bujtja në Muzdelife dhe qëndrimi aty derisa të zbardhë dita, është synet. Ndërkaq, qëndrimi tek “mesharil harami”, gjegjësisht tek kodra Kuzah në Muzdelife është mustehab- i preferuar. Pra qëndrimi në Muzdelife është vaxhib dhe secili haxhi që qëndron në të për një pjesë të caktuar të kohës, e ka kryer këtë vaxhib, pa marrë parasysh nëse e ka bërë nijet apo jo, është i vetëdijshëm se është në Muzdelife apo jo, është i zgjuar apo në gjumë, është i sëmurë apo i shëndoshë. Madje, edhe nëse vetëm ka kaluar nëpër Muzdelife, e ka kryer këtë vaxhib. Gjithashtu pastërtia nga gjynybllëku dhe menstruacionet nuk është kusht gjatë qëndrimit në Muzdelife, sikurse nuk ishte kusht pastërtia gjatë qëndrimit në Arafat. Muzdelifeja gjendet në mes të Minës dhe Arafatit. E tërë Muzdelifeja konsiderohet vendqëndrim dhe secili haxhi që qëndron në këtë hapësirë, në secilën pjesë të saj, e ka kryer vaxhibin. Muhamedi a.s., thotë: “Muzdelifeja është vendqëndrim”. (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Ibn Maxheh.)

Mirëpo duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos qëndrojmë-ndalemi në Muhassir (luginë në mes Minës dhe Muzdelifes), sepse Pejgamberi a.s., ka thënë: “I tërë Arafati është vendqëndrim, ndërsa largohuni nga Urenete, dhe e tërë Muzdelifeja është vendqëndrim, ndërsa largohuni nga Muhassir-i”. (Transmeton Hakimi.)

Pra, ndalimi qëndrimi në luginën Muhassir nuk rekomandohet. Mirëpo, edhe nëse haxhiu ndalet në të, vaxhibi kryhet por me kerahet. S’ka dyshim se më së miri është të qëndrojmë-ndalemi në kodrën Kuzahnë mesharil haram, e cila gjendet në fund të Muzdelifes, sepse është transmetuar se Pejgamberi a.s. ka qëndruar në të dhe ka thënë: ”Merrini mësojeni nga unë rregullat e haxhit”. Megjithatë, në ditët e sotme është lehtësuar shumë dhe është i lehtë qëndrimi brenda kufijve të Muzdelifes, sepse përkufizimi i saj tashmë është bërë me shenja të qarta. Muzdelifeja ka disa emra: Muzdelife, Xhem’u dhe Mesharil haram.

Koha e qëndrimit në Muzdelife

Koha e qëndrimit në Muzdelife është prej agimit, ditën e bajramit, e deri në lindje të diellit. Masa vaxhib e qëndrimit në Muzdelife është një pjesë e kohës brenda kohës së caktuar. Masa synet është qëndrimi në Muzdelife deri në zbardhje të ditës. Bujtja në Muzdelife natën e bajramit është synet. Ndërsa, më së miri është që haxhiu të qëndrojë në Muzdelife deri pas namazit të sabahut, kështu që ai e fal namazin e sabahut, pastaj qëndron tek Mesharil Harami dhe aty E lut Allahun e Lartësuar deri në zbardhje të ditës dhe para lindjes së diellit shkon në Minë. E nëse haxhiu ka lënë Muzdelifen pas agimit dhe para namazit të sabahut, ka bërë një vepër të pa preferuar-jo të mire, sepse ka lënë një synet, mirëpo megjithatë nuk obligohet për të therur kurban. Secili haxhi që nuk qëndron në Muzdelife brenda kohës së caktuar pa ndonjë arsye, detyrohet të therë kurban, sepse ka lënë pa zbatuar një vaxhib. E haxhiu i cili nuk qëndron në Muzdelife brenda kohës së caktuar, por me ndonjë arsye të justifikueshme, nuk detyrohet me asgjë.
“Pejgamberi a.s. ka lejuar dhe i ka dërguar të dobëtit e familjes së Tij prej Muzdelifes në Minë dhe nuk i ka urdhëruar për kefaret”. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslim.)

Synetet gjatë qëndrimit në Muzdelife

1. Preferohet pastrimi në Muzdelife në mbrëmje, për hir të qëndrimit në Mesharil Haram dhe për hir të Bajramit. Ai që nuk gjen ujë, mund të merr tejemum. 2. Bashkimi i namazit të akshamit dhe të jacisë në kohë të jacisë, qoftë me imam ose vetëm. 3. Gjallërimi i kësaj nate me adhurim ndaj Allahut, namaz, këndim të Kur’anit dhe lutje. 4. Gatishmëria-përgatitja pasmesnatës dhe marrja e gurëve në Muzdelife për gjuajtje në xhemerat, në ditën e Bajramit shtatë gurë, dhe tri ditë të tjera ejamu teshrik nga njëzet e një gurë, gjegjësisht shtatëdhjetë gurë. Gurët duhet të jenë përafërsisht sa një kokërr e fasules. Është e papëlqyer-mekruh që gurët të jenë më të mëdhenj. Po ashtu e papëlqyer-mekruh është që të thyhen gurët, vetëm po të ketë ndonjë arsye. Gurët lejohet të merren nga secili vend, mirëpo është e papëlqyer-mekruh të merren në xhami, në vende të ndyta, dhe gurët që janë përdorur një herë për gjuajtje në xhemerat. 5. Qëndrimi në Mesharil Haram, brenda mundësive, ose afër saj. 6. Të falet namazi i sabahut menjëherë pasi të hyjë koha e tij, në mënyrë që të ketë kohë të mjaftueshme për detyrimet e tjera të kësaj dite, që janë të shumta. 7. Qëndrimi tek Mesharil Harami pas namazit të sabahut, drejtuar nga kibla duke E madhëruar Allahun me Tekbir, Tehlil dhe Tevhid, dhe duke i shtuar telbijet. Aty qëndron deri në zbardhje të ditës dhe largohet para lindjes së diellit. 8. Shpejtimi në luginën e Muhassir-it (lugina që ndan Muzdelifen dhe Minën), në mënyrë që të kalohet sa ma shpejt prej aty, sepse në të ka zbritur dënimi mbi poseduesit e elefantit, të cilët kishin mësyrë shkatërrimin e Qabesë.(2)

Gjuajtja e gurëve në Minë

Me gjuajtjen e gurëve në Minë, në aspektin sheriatik, nënkuptojmë: Gjuajtjen-goditjen me gurë (të djallit të mallkuar) në kohë dhe në vend të caktuar, me numër të gurëve të caktuar. Gjuajtja e gurëve në Xhemretul Akabe në ditën e Bajramit dhe në tri xhemeratet në tri ditët e teshrikut (ditën e njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë dhe të trembëdhjetë të muajit dhul hixheh), me konsensus të dijetarëve islam, është vaxhib.

Në hadithin që transmeton Muslimi, Xhabiri thotë: ”E kam parë Pejgamberin a.s. hipur në deve duke gjuajtur në xhemerat ditën e Bajramit dhe thoshte: Mësoni nga unë rregullat e Haxhit, se vërtet nuk e di ndoshta nuk do të bëj më haxh pas këtij haxhi”. Lejohet gjuajtja e gurëve në vend të personit, i cili nuk ka mundësi të kryejë gjuajtjen vetë për shkak të sëmundjes, të moshës

së shtyrë dhe në vend të gruas shtatzënë. Këta persona kanë të drejtë të autorizojnë dikë tjetër për gjuajtjen e gurëve në të gjitha xhemeratet. Gjithashtu lejohet autorizimi për të gjuajtur gurë për më shumë se një person, me kusht që i autorizuari fillimisht t’i gjuajë gurët për veten e tij, në të tri xhemeratet.

Koha e gjuajtjes së gurëve

Koha e gjuajtjes së gurëve në ditën e Bajramit fillon pas lindjes së diellit e zgjat deri në agimin e ditës së dytë. Ai që i hedh gurët para kësaj kohe, gjuajtja e tij është e pavlefshme, e ai që vonohet pas kësaj kohe, detyrohet për të therur kurban..

Është e preferuar që gjuajtja e gurëve të bëhet pas lindjes së diellit deri në drekë. E lejuar është gjuajtja edhe deri në perëndim të diellit, ndërsa është e papëlqyer të kryhet gjuajtja e gurëve natën, sikurse është e papëlqyer të bëhet gjuajtja pas agimit deri në lindjen e diellit.. Koha e gjuajtjes së gurëve në ditët e teshrikut (njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë dhe të muajit dhul hixheh) fillon pas drekës e deri në perëndim të diellit. Gjuajtja e gurëve para drekës nuk lejohet dhe është e pavlefshme, ndërsa është mekruh-e papëlqyer hedhja e gurëve natën deri në agim. E kush i gjuan gurët pas agimit
të ditës së dytë të teshrikut, detyrohet të therë kurban për shkak të vonesës. Ai që dëshiron të largohet nga Mina për në Mekë pas gjuajtjes së gurëve në ditën e tretë të Bajramit, këtë duhet ta bëjë para agimit të ditës së katërt të Bajramit. Sepse, përndryshe, nëse e zë agimi i ditës së katërt të Bajramit në Minë, nuk ka të drejtë të largohet prej aty, sepse fillon koha e gjuajtjes së gurëve. Hedhja e gurëve në ditën e Bajramit bëhet në xhemretul arabe dhe aty bëhet gjuajtja e shtatë gurëve. Në ditët e tjera (njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë dhe trembëdhjetë dhul hixheh) hedhja e gurëve bëhet në tri vende: në Xhemretus-sugra -Xhemrën e Vogël, në Xhemretulvusta-Xhemrën e Mesme dhe Xhemretul Akabe- Xhemrën e Madhe, dhe në secilën xhemër gjatë tri ditëve duhet të bëhet gjuajtja e nga shtatë gurëve. Gjithsej numri i gurëve që duhet të hedhen, është shtatëdhjetë. Është kusht që gurët që i gjuajmë, të arrijnë në vendin që përkufizon xhemrën, ose afër saj.

Kushtet gjatë gjuajtjes së gurëve

Për të qenë gjuajtja e vlefshme, duhet të plotësohen këto kushte: 1. Gjuajtja të bëhet me dorë. 2. Gjuajtja të jetë me gurë, ose me çdo materie me të cilën mund të marrim tejemum. Nuk lejohet që gjuajtja të bëhet me dru, ar, argjend, margaritarë etj., të cilat nuk janë prej elementeve të tokës. 3. Vepra të konsiderohet gjuajtje-goditje. Nuk mjafton vetëm që guri të bjerë në vendin e caktuar. P.sh., nëse guri hidhet lart dhe bie në vendin e caktuar, nuk konsiderohet gjuajtje. Pra gjuajtja duhet të ketë synim xhemrën. 4. Guri të bjerë në vendin e duhur. 5. Të bëhen shtatë gjuajtje. Pra, të hidhen shtatë gurë një nga një në secilën xhemër nga shtatë gurë. Nëse haxhiu gjatë gjuajtjes dyshon për numrin e gurëve që ka gjuajtur, atëherë bazohet në numrin më të vogël. P.sh., nëse dyshon se i ka hedhur gjashtë apo shtatë gurë, merr numrin gjashtë dhe hedh edhe një gur në mënyrë që të jetë më i sigurt. Nëse haxhiu i hedhur të gjithë gurët përnjëherë konsiderohet vetëm një gjuajtje. 6. Gjuajtja të bëhet nga vetë haxhiu ose i autorizuari i tij, nëse ai nuk ka mundësi ta bëjë gjuajtjen vetë. Nuk është kusht që, pas goditjes së xhemrës, guri të mbetet brenda vendit të rrethuar. Po ashtu nuk është kusht pastrimi i haxhiut dhe as pastrimi i gurëve. Gurët për gjuajtje merren në Muzdelife ose nga çdo vend tjetër i pastër. Marrja e gurëve në Muzdelife është synet. Nëse haxhiu ka marrë gurë në xhemerat dhe i ka përdorur për gjuajtje, lejohet, mirëpo është mekruh-e papëlqyer. Gjuajtja e gurëve është vaxhib. Ai që i lë pa i gjuajtur gurë ose e vonon gjuajtjen nga koha e caktuar, detyrohet të therë kurban. Nëse haxhiu ditën e Bajramit lë pa gjuajtur një, dy a tre gurë, i gjuan ata ditën e nesërme, ose jep sadaka për secilin gur që ka lënë pa e gjuajtur, me vlerën e një gjysmë saji (enë matëse 2,750 kg. grurë). Nëse haxhiu ditën e Bajramit nuk gjuan asnjë gur, i lë për ditën e nesërme, detyrohet të therë kurban. Po ashtu detyrohet të therë kurban nëse i lë pa i gjuajtur më shumë se gjysmën e gurëve. Nëse haxhiu lë gjuajtjen e gurëve për ditën e fundit (ditën e katërt), ai duhet t’i gjuajë ata sipas radhës dhe detyrohet të therë kurban. Nëse haxhiu lë gjuajtjen e gurëve në tërësi në tri xhemeratet, detyrohet të therë vetëm një kurban. E nëse haxhiu lë gjuajtjen e gurëve në tërësi deri në perëndimin e diellit të ditës së fundit të gjuajtjes, gjuajtja për të përfundon dhe detyrohet të therë vetëm një kurban.

Synetet gjatë hedhjes së gurëve

1.Gjuajtja të bëhet me dorën e djathtë. 2. Të ngrihet dora lart gjatë gjuajtjes (derisa të shihen nënsqetullat) tek burrat dhe fëmijët. 3. Gjatë gjuajtjes në xhemretul akabe ditën e Bajramit të drejtohet nga ajo dhe Meka të jetë në anën e majtë të tij, e Mina në anën e djathtë. Pas gjuajtjes në këtë xhemre, të mos ndalet aty, pasi nuk ka gjuajtje tjera atë ditë. Ndërkaq, në ditët e teshrikut gjatë gjuajtjes, të drejtohet nga kibla. 4. Të thuhet Allahu Ekber gjatë gjuajtjes së çdo guri. 5. Ndërprerja e telbijes me rastin e gjuajtjes së gurit të parë në xhemretul akabe ditën e Bajramit. 6. Të lutet pas gjuajtjes së parë dhe të dytë gjatë ditëve të teshrikut në kohëzgjatje sa mund të lexohet kaptina bekare. 7. Preferohet që gurët të jenë përafërsisht sa kokrra e fasules, jo më të mëdhenj e as më të vegjël. Gjithashtu preferohet që gurët të jenë të pastër.

Dispozita e qëndrimit në Minë

Qëndrimi në Minë ditën e tetë të muajit Dhul hixheh është synet. Po ashtu qëndrimi në Minë ditën e njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë të muajit Dhul hixheh është synet. Nëse haxhiu qëndron në Minë për shkak të gjuajtjes së gurëve, s’ka dyshim se është më mirë, po edhe nëse nuk qëndron, nuk detyrohet asgjë, mirëpo ka bërë një vepër jo të mirë.(3)

Rruarja ose shkurtimi i flokëve

Rruarja ose shkurtimi i flokëve është vaxhib dhe një prej rregullave të Haxhit. Allahu i Lartësuar në Kur’an thotë: ”Allahu ëndrrën e të dërguarit të Vet e vërtetoi me realitet: se me vullnetin e Allahut do të hyni në Xhaminë e shenjtë (në Qabe) të siguruar, të rruani flokët e kokave tuaja, t’i shkurtoni e nuk do të keni frikë” (El Fet’h 27).

Për sa u përket grave, me konsensus të dijetarëve myslimanë, ato nuk janë të detyruara t’i rruajnë flokët, po vetëm t’i shkurtojnë. Pejgamberi a.s.,thotë: ”Gratë nuk janë të detyruara me rruarje të flokëve, por vetëm me shkurtimin e tyre”. (Darkutni dhe Ebu Davudi.)
Haxhiu që nuk ka flokë, e ka vaxhib që kokës t’i bjerë me brisk rreth e qark, edhe pse nuk ka flokë.

Sasia e obliguar-vaxhib e rruarjes apo e prerjes së flokëve

S’ka dyshim që rruarja e kokës në tërësi është më e mira. Pejgamberi a.s., ka thënë: “Allahu i faltë ata që e rruajnë kokën, thanë: O i Dërguar i Allahut, e ata që i shkurtojnë flokët? Pejgamberi a.s.,tha: Allahu i faltë ata që rruajnë kokën. Thanë: O i Dërguar i Allahut, e ata që i shkurtojnë flokët? Pejgamberi s.a.v.s tha: Edhe ata që i shkurtojnë flokët”. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.)

Rruarja e kokës duhet të bëhet në tërësi, dhe nuk lejohet rruarja më pak se një e katërta e kokës. Lejohet edhe rruarja e një të tretës së kokës, mirëpo është mekruh-e papëlqyer. Ndërkaq, për sa i përket shkurtimit të flokëve, shkurtimi i tyre duhet të bëhet nga të gjitha pjesët e kokës në masën
më shumë se një Enmelete (masë sa neni i parë i gishtit).

Koha dhe vendi i rruarjes a shkurtimit të flokëve

Rruarja a shkurtimi i flokëve kanë të caktuar kohën dhe vendin. Koha e rruarjes a prerjes së flokëve është gjatë ditëve të Bajramit, kurse vendi i tyre është haremi. Nëse haxhiu vonon rruarjen e kokës ose prerjen e flokëve nga koha e caktuar, ose e bën jashtë haremit, detyrohet të therë kurban.(4)

______________________________________
1. El-Fikh el-Islami ve ediletuhu, prof.dr. Vehbet Ez-zuhejli, f. 2233-2241, bot. 4. 2004, Darul Fikr, Dimeshk. Dhe: Kitabul Fikh alel medhahib el erbeatu, Abdurrahman bin Muhamed el-Xheziri, f.371-372, bot.1.2001, Dar ibn Hazem, Bejrut.
2. El-Fikh el-Islami ve ediletuhu, Ibid, f. 2245-2252.
3. Kitabul Fikh alel medhahib el-erbeatu, Abdurrahman bin Muhamed el Xheziri, f.374. El-Fikh el-Islami ve ediletuhu, prof.dr. Vehbet Ez-zuhejli, f.2252 2266.
4. El- Fikh el-Islami ve ediletuhu, prof.dr. Vehbet Ez-zuhejli, f. 2267-2272.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-