Presidenca Çeke e Bashkimit Evropian do t’i informojë vendet anëtare dhe institucionet e BE-së për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bllok. Kjo procedurë do të jetë edhe e fundit e Presidencës së Çekisë sa i përket këtij procesi që ka nisur më 14 dhjetor me nënshkrimin e këtij aplikimi nga krerët institucionalë. Informimi i shteteve anëtare do të bëhet më 21 dhjetor në takimin e radhës të grupit Coreper.
Zëdhënësja e Presidencës Çeke të BE-së, Eva Hrncirova, i ka thënë KOHËS se nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për asnjë procedurë tjetër në ditët e fundit të udhëheqësisë.
“Sot Kosova i ka dorëzuar ministrit tonë Bek aplikacionin në BE. Ne synojmë të informojmë shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për aplikimin tuaj në takimin e ardhshëm të Coreper-it në Bruksel”, ka thënë Hrcnirova.
Kosova të enjten në Pragë ka dorëzuar aplikimin për statusin e shtetit kandidat në Bashkim Evropian. Aplikimi është nënshkruar një ditë më parë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari Glauk Konjufca.
Megjithatë, ka edhe shumë hapa që duhet bërë deri te arritja e anëtarësimit në BE.
Pasi një vend aplikon dhe plotëson kushtet për anëtarësim, ai duhet të zbatojë rregullat dhe rregulloret e BE-së në të gjitha fushat. Këto kushte njihen si “kriteret e Kopenhagës” dhe përfshijnë një demokraci të qëndrueshme dhe shtet të së drejtës, një ekonomi tregu funksionale dhe pranimin e të gjithë legjislacionit të BE-së, duke përfshirë edhe euron.
Siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian, një vend që dëshiron të anëtarësohet në BE, paraqet aplikimin për anëtarësim në Këshill, I cili I kërkon Komisionit të vlerësojë aftësinë e aplikuesit për të përmbushur kriteret e Kopenhagës.
Bazuar në opinionin e Komisionit, Këshilli më pas vendos për mandatin e negociatave. Negociatat hapen më pas zyrtarisht në bazë subjekt pas subjekti.
Hapi i parë që Kosova e ka bërë në rrugën evropiane ishte fillimi i negociatave për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në tetor të vitit 2013.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë më 27 tetor të vitit 2015, pas dy vjetëve negociata dhe kërkim të një zgjidhje ligjore për nënshkrim të marrëveshjes.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit hyri në fuqi më 1 prill të vitit 2016 dhe duhet të implementohet plotësisht deri në prill të vitit 2026, pra një periudhë dhjetëvjeçare.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.