Ambasadori i Zvicrës fton presidenten Osmani në Forumin Ekonomik Zviceran

Opoja.net Opoja.net Kosova

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Ambasadorin Zviceran, Thomas Kolly, i cili e uroi për detyrën e re.

Në këtë takim, Kolly i ka dorëzuar Osmanit edhe letrën e urimit të dërguar nga Presidenti Zviceran, Guy Parmelin.

Ambasadori Kolly në këtë takim ka folur për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, duke shprehur gatishmërinë dhe disponimin e institucioneve zvicerane për një kapitull të ri të bashkëpunimit akoma më intensiv e më të gjerë.

Ndërsa presidentja Osmani theksoi se të dy vendet gëzojnë një raport të veçantë shkaku i lidhjes së afërt që kanë qytetarët e Kosovës me Zvicrën.

”Jemi të interesuar shumë që ta thellojmë bashkëpunimin dhe t`i shohim mundësitë për avansim të shkëmbimeve tregtare, zhvillimin e diplomacisë ekonomike, dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme që nga sundimi i ligjit e deri te mbrojtja e mjedisit”, tha Osmani.

Në këtë takim po ashtu ambasadori zviceran, në emër të Forumit Ekonomik Zviceran, i përcolli ftesën Presidentes Osmani për takimin e radhës që do të mbahet në shtator, ku do të jenë pjesëmarrës përfaqësues të disa prej kompanive më të mëdha zvicerane e botërore.

Osmani dhe Kolly diskutuan edhe për situatën me pandeminë dhe për mundësitë për realizimin e një bashkëpunimi bilateral për sigurimin e vaksinave në një të ardhme të afërt.

Më poshtë gjeni letrën e Presidentit të Zvicrës, Guy Parmellin, dërguar Vjosa Osmanit.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-