Në Kosovë është rritur niveli i prerjeve ilegale të pyjeve, kanë deklaruar zyrtarë të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.
Menderes Ibra, drejtor për menaxhimin e pyjeve në këtë agjenci ka thënë se prerjet e lejuara të drurëve në Kosovë janë rreth 1.2 milionë metra kub.
Sipas tij, në Kosovë prerjet vjetore dhe rritja vjetore janë në të njëjtin nivel, gjë që nuk është e shëndetshme për pyjet.
“Prerjet e lejuara janë rreth 1.2 milionë metra kub, në mënyrë që pjesa që rritet të jetë më e madhe. Në Kosovë prerjet vjetore dhe rritja vjetore janë në të njëjtin nivel, kjo tregon që nuk është e shëndetshme për pyjet. Nëse një pyll është i prerë tërësisht atij i nevojiten rreth 80 vite për tu kthyer në gjendjen e mëparshme”, ka thënë Ibra.
Ndërkaq, Besim Zogu, drejtor i Inspektoratit të pyjeve në agjenci ka kritikuar bartjen e disa kompetencave lidhur me pyjet, te komunat.
Sipas tij, kompetencat e mbrojtjes së pyjeve janë transferuar në komuna.
“Ne kemi qenë kundër delegimit të këtyre kompetencave si agjencion pasi kemi menduar që kjo do ta përkeqësojë situatën. Pjesa e planifikimit, e përgatitjet afatgjatë 10-vjeçare janë kompetencë e agjencionit pyjor të Kosovës”, është shprehur ai.
Ai ka kritikuar edhe pagat e rojeve të pyjeve, të cilat siç ka thënë janë rreth 270 euro, derisa ka kërkuar që ajo të rritet.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.