KOXHAELI (AA) – Studenti nga Kosova, Afrim Bojnik, i cili studioi me bursën turke të Drejtorisë së Komuniteteve Turke dhe Mike Jashtë Vendit (YTB) në Universitetin Teknik të Gebzes (GTÜ) në qytetin Koxhaeli të Turqisë përfundoi studimet në Departamentin e Matematikës duke u zgjedhur më i miri i Departamentit.
Afrim Bojnik, është një nga 2 fëmijët e familjes punëtore, pas fëmijërisë së tij të kaluar nën hijen e luftës së Kosovës. Ai mbaroi shkollimin e mesëm të lartë në vendlindjen e tij në qytetin e Prizrenit në Kosovë.
Meqë kushtet ekonomike familjare ishin të kufizuara, Bojnik filloi t’i hulumtojë bursat ndërkombëtare për të vazhduar edukimin universitar. Pas udhëzimit të mësimdhënësve, Bojnik aplikoi në programin e bursave të Turqisë nga YTB dhe u pranua në Departamentin e Matematikës në GTÜ.
Nxënësi kosovar, i cili nga fëmijëria ishte i interesuar për matematikën, në fund të një pune të madhe e të disiplinuar, me një mesatare prej 3,76 nga ajo 4 arriti të bëhet studenti më i mirë i Departamentit. Ai me këtë fitoi nderin e mbajtjes së fjalimit në ceremoninë e diplomimit në GTÜ.
Bojnik në një deklaratë për gazetarin e Anadolu Agency (AA) thotë se edhe pse ishte fëmijë gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, rikujtonte ditët e vështira të asaj periudhe.
Duke treguar se në lagjen ku jetonin kur ai ishte fëmijë kishte ushtarë serbë. Bojnik thotë se “Nuk mund ta hapja as derën, nëna vinte menjëherë dhe më thoshte ‘Mbylle derën shpejtë’. Kujtoj se ndonjëherë vinte zëri i bombave. Ishin ditë shumë të vështira për ne”.
Bojnik tregon se pas luftës me kushte të kufizuara ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm, por që kur kishte ardhur koha për studime universitare problemet ekonomike dolën në pah. “Arsimimi në Kosovë ishte shumë i kufizuar. Problemi kryesor për ne ishte universiteti. Ne kemi një universitet në kryeqytet por për të studiuar aty duhet të kemi gjendjen e mirë ekonomike. Për t’i mbaruar studimet universitare duhet të fitoja bursë nga diku”, thotë ai.
– “Jam shumë i mërzitur që po ndahem nga ky universitet i bukur”
Bojnik tha se ka aplikuar në bursat e YTB-së, me udhëzimin e mësimdhënësve të tij. “I kisha notat e mira, pata mbaruar shkollimin e mesëm të lartë me gradë dhe kisha suksese në olimpiada të matematikës. Për këtë arsye aplikimi im u pranua shpejtë. Pastaj u pranova në Universitetin Teknik të Gebzes. Pas provimeve të gjuhës, unë i fillova ligjëratat por provimet afatmesëm përfunduan dhe unë shkova në atdhe për të pushuar. Gjatë kësaj kohe i shikova lëndët e dhëna në universitet. Në semestrin e dytë u ktheva dhe me një ritëm intensiv të mësimit e tejkalova këtë dhe e përfundova universitetin (katërvjeçar) për 3,5 vite. Unë i pata thënë vetes ‘Nëse e fitoj bursën atëherë do të bëj gjëra të bukura’. Unë diplomova në universitet me një mesatare prej 3,76, duke u bërë më i miri i Departamentit. Jam shumë i lumtur që jam zgjedhur më i miri, por në anën tjetër jam shumë i mërzitur që po ndahem nga ky universitet i bukur”, tha studenti kosovar.
Bojnik thekson se në GTÜ ka marrë një arsimim shumë të mirë dhe që profesorët e fakultetit dhe kolegët kanë dhënë mbështetje të gjithanshme. “GTÜ më ka sjellë shumë përfitime. Mendoj se këtu kam arritur sfondin tim akademik. Shpresoj se kjo do të vazhdojë. Kam marrë oferta nga dy universitete prestigjioze për master. Republika e Turqisë me të vërtetë më ka ofruar ndihma të vlefshme. Po të qëndroja në Kosovë nuk mund të arrija deri këtu”, tha ai.
Duke vënë në dukje se Turqia ka një rëndësi të madhe për Kosovën, Bojnik thotë se ky shtet po arsimon shumë nxënës kosovarë me bursa në Turqi.
Bojnik po ashtu tha se ata që përfundojnë studimet e tyre në Turqi i transmetojnë njohuritë e tyre tek gjeneratat e reja kosovare. “Jo vetëm në arsim, por Turqia na ndihmon në çdo fushë si arti e arkitektura. Për këtë arsye, sado që Turqia të jetë e fortë edhe ne do të jemi të fortë”, thotë ai.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.