Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Qeveria Kurti po i thellon krizat me të cilat tashmë po përballen qytetarët e vendit.
Sipas tij, Qeveria Kurti “mund të ushqehet me kriza e të jetojë me to, mirëpo çmimi i këtyre krizave është bërë i papërballueshëm për qytetarë”.
“Nuk mund që qytetarët fillimisht t’i braktisësh e pastaj edhe t’i ndjekësh për t’i ndëshkuar. Rasti i fundit ishte kur 25 mijë familje të mësimdhënësve u përballën me ndëshkimin qeveritar, duke u dënuar kolektivisht në ditë të demokracisë. Mësimdhënësve ua ndalën pagat duke iu vështirësuar jetën edhe më tej, duke mos u mjaftuar me vështirësitë e krizave të tjera që ata si tërë shoqëria po kalojnë”, ka thënë Abdixhiku të shtunën në një debat të LDK-së në Pejë.
Duke folur për programin e LDK-së, Abdixhiku ka thënë se kjo parti ka “zgjedhur dëgjueshmërinë përballë padëgjueshmërisë, unifikimin përballë ndarjes, mirëkuptimin e dialogun përballë ofendimit e mosdialogimit, hapjen përballë mbylljes, afrimin përballë braktisjes, shpresën e besimin përballë zhgënjimit e justifikimit”.
Abdixhiku ka komentuar edhe dorëheqjen e Rifat Latifi nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas tij, ky është dështim i kryeministrit Albin Kurti.
“Ndryshimi i tre ministrave në vetëm një vit e gjysmë nuk mund të jetë problem i vetë ministrave. Jo, ky është problem i keqmenaxhimit dhe paaftësisë së Kurtit për të organizuar punën e Qeverisë; për dorëheqjen e fundit të Latifit, ministrit të tretë me radhë, nuk duhet të kërkojmë përgjegjësi vetmëm nga ministrat, por edhe nga kryeministri”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se partia e tij është duke dëgjuar hallet e qytetarëve dhe po ofron zgjidhje për dalje nga kriza.
“LDK po i dëgjon mësuesit që deri dje i dënuan me ndalje të pagës. Po i dëgjon nxënësit që i lanë për pesë javë larg bankave shkollore. Po i dëgjon prindërit e nxënësve që iu kishte shtuar edhe një krizë nga mosnisja e procesit mësimor. Po i dëgjon mjekët që po trajtohen keq e po ikin, si dhe pacientët që nuk po marrin shërbimet e duhura shëndetësore. Po i dëgjon qytetarët që po jetojnë keq gjersa çmimet e produkteve po rriten me ritëm të shpejtë. Po i dëgjon ndërmarrësit të cilët trajtohen si miq për mbushje të buxhetit e si armiq të përbetuar të pushtetit. Po i dëgjon familjarët e mbi 100 mijë punëtorëve që kanë ikur nga vendi në kohën e kësaj Qeverie”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka thënë se LDK-ja ka ofruar ide e propozime për lehtësim të krizave, por, sipas tij, “papërgjegjësia dhe padëgjueshmëria qeveritare është krizë e veçantë”.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.