Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë të enjten, se presidentit Milo Gjukanoviq, i ka mbetur vetëm një mundësi dhe ajo është që t’ia japë mandatin Miodrag Lekiqit për ta formuar Qeverinë e re.
“Gjithçka tjetër është dhunë ligjore. Ai nuk mund ta shpërndajë Parlamentin, sepse po të mundej do ta shpërndante më 5 dhjetor të vitit 2020, kur u formua ajo qeveri pas 30 gushtit. Është shumë e thjeshtë”, tha Abazoviq gjatë një vizite në Nikshiq, shkruan gazeta “Vijesti”.
Sipas Abazoviqit, Gjukanoviqit i kanë mbetur në duar vetëm edhe disa letra dhe se do të ishte mirë që ato t’i përdorte në mënyrë të duhur.
Ai shtoi se Gjukanoviqi, “nëse do të kishte dëgjuar këshilla me qëllim të mirë”, do të kishte qenë në pension politik shumë kohë më parë.
“Është e drejta e tij legjitime të merret me politikë, ashtu siç e mendon. Mendoj se gjithçka që duhet të ndodhë do të ndodhë. Ato gjëra që do të ndodhin janë të favorshme për qytetarët, ky është mesazhi im i vetëm. Zgjedhjet presidenciale vijnë së shpejti, ndaj mendoj se situata është mjaft e qartë”, është shprehur Abazoviqi.
Gjukanoviq ka refuzuar ta mandatojë Lekiqin për të formuar Qeverinë pas rrëzimit të asaj aktuale që udhëhiqet nga Abazoviqi.
Partia e Gjukanoviqit, DPS, është në opozitë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.