Djaloshi nga Opoja, Ledion Berisha kampion shahu në Norvegji

Opoja.net Opoja.net Opoja Talentet

Televizioni Opoja ju sjell rrëfimin e gazetarit Demir Reshiti për djaloshin me origjinë nga fshati Buçe i Opojës, Ledion Berisha, një talent i jashtëzakonshëm në lojën e shahut.

“Në janar të vitit 2018, pata bërë një shkrim për djaloshin atëherë 12 vjeçar Ledion (Valdet) Berisha me origjinë nga Opoja e komunës së Sharrit, i lindur në Norvegji, të cilin e kishte vlerësuar si talent të jashtëzakonshëm në lojën e shahut. Ledioni kishte zënë vendin e parë në turneun e organizuar në mes kantoneve të Hedmarkut dhe Opplandut në Norvegji. Falë këtij rezultati, Ledioni kishte fituar të drejtën ta përfaqësojë shtetin norvegjez në garat ndërkombëtare që do të mbaheshin në vjeshtë të atij viti në Berlin të Gjermanisë…

Ashtu siç e kisha parashikuar, shoku im i vogël Ledioni, vazhdoi me suksese të njëpasnjëshme. Vitin 2019 Ledioni e përmbylli si kampion absolut duke lënë prapa të gjithë moshatarët e tij (e edhe më të vjetrit). Është vërtetë ndjenjë kënaqësie ta shohësh në krye të listës prej 19 shahistëve më të suksesshëm në Norvegji!
Jo vetëm kaq. Ledioni e nisi për së mbari edhe vitin 2020 në Turneun e shahut me lëvizje të shpejta për më të mirët në Norvegji (NM i Hurtigsjakk 2020) që u mbajt në datën 11-12 janar 2020, ku nga 5 ndeshjet e zhvilluara arriti t’i fitojë 4!”, ka shkruar nder të tjera Reshiti, duke i prezantuar edhe disa të dhëna biografike për këtë talent që premton shumë.

Ledioni ka nisur të luaj shah qysh në moshën 4 vjeçare ndërsa si 6 vjeçar bëhet anëtar i klubit të shahut në qytetin ku jeton, Hamar. Momentalisht Ledioni luan për ekipin e kadetëve të moshës 10 deri 25 vjeçare.
Gjatë këtyre viteve ky talent i spikatur ka arritur shumë suksese duke dalë kampion dhe nënkampion pothuajse në të gjitha garat. Janë me dhjetëra kupa e medalje që sot stolisin vitrinat e këtij supertalenti i cili ka të ardhme të ndritur në lojën e shahut.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-