Të jesh zemërgjerë!

Opoja.net Opoja.net Uncategorized

Zemërgjerësia dhe prehja shpirtërore vijnë në krye të cilësive që i kemi humbur sot në krahasim me kohët e kaluara. Allahu Teala thotë në Kuranin Fisnik se zemrat qetësohen dhe gjejnë prehje vetëm duke e përmendur Zotin (xh.xh.). Për këtë arsye, aq sa të largohemi nga dhikri/përmendja e Zotit (xh.sh.), rrethohemi dhe rrëmbehemi nga shqetësime të brendshme, stresi dhe ndjenja negative. Miqtë e Allahut Teala, mistikët e mëdhenj kanë caktuar makame (gjendje, pozita) të ndryshme në çështjen për t’u bërë një rob i vërtetë kundrejt Allahut të Madhëruar. Sipas Gazaliut, makami më i lartë është “makami riza” (gjendja në të cilën robi e pranon me nënshtrim e përulje çdo gjë që i vjen nga Zoti).

Në sajë të këtij makami, robi e pranon çdo gjë që i vjen nga Allahu i Lartësuar dhe nuk u jep aspak rëndësi vështirësive dhe problemeve që vijnë nga njerëzit. Sekreti që sufitë / mistikët ia kanë dalë mbanë për t’u bërë zemërgjerë, gjendet në të vërtetën se ata gjithmonë preokupohen me përmendjen e Allahut Teala. Udhëtari i kësaj rruge, i cili e ka zemrën plot me dhikër, shkëputet nga krijesat dhe lartësohet drejt Zotit (xh.sh.). Ndërsa ata që nuk ia dalin mbanë për ta bërë këtë, të gjithë vëmendjen e tyre ua përkushtojnë gjërave që të tjerët bëjnë kundrejt tyre.

Siç shprehet edhe Mevlana, Xhelaleddin Rumiu, luftojnë me kadanë dhe kaderin: “O njeri i zemëruar! Mos lufto me kadanë dhe kaderin, në mënyrë që edhe kazaja e kaderi të mos luftojë me ty. Ti duhet të jesh si i vdekur kundrejt ligjit dhe caktimit të Allahut, në mënyrë që mos të të vijë ndonjë ndëshkim nga Allahu, i Cili është Zoti i agimit.”  Veçanërisht për lumturinë në familje, bashkëshortët duhet t’i kenë zemrat e tyre të lara me dritën e dhikrit.

Nëse bashkëshortët nuk e përmendin Allahun e Madhëruar dhe nuk marrin mësim shpirtëror, së pari i bëjnë dëm vetes dhe pastaj të gjithë pjesëtarëve të tjerë të familjes. Mevlana e shpjegon si më poshtë këtë gjendje: “Burrat injorantë dhe të ashpër kanë pak hijeshi, mirësi dhe dashuri, sepse në natyrshmërinë e tyre sundon cilësia kafshërore.

Dashuria është hijeshi, dhembshuri dhe veti njerëzore. Domethënë, është cilësi njerëzore. Ndërsa zemërimi dhe epshi janë veti kafshërore. Pra, cilësi të kafshëve.” (Vëll. I, 2434-35) Imam Gazaliu e shpjegon çështjen e zemërimit dhe të epshit në kontekstin e engjëjve dhe kafshëve. Engjëjt i kanë zemrat e qeta dhe nuk bëjnë mëkat në asnjë çështje, ngaqë janë të krijuar plotësisht nga drita. Ndërsa kafshët janë të krijuara për të kënaqur instinktet dhe epshet e tyre. Për këtë arsye, synimi i vetëm i tyre është që të bëjnë gjëra që u japin kënaqësi atyre. Ndërkohë njeriu është krijuar me një natyrshmëri engjëllore dhe kafshërore. Kur pason epshin e tij, u afrohet kafshëve.

Ndërsa kur pason mendjen, u afrohet engjëjve. Nisur nga kjo, për ta arritur prehjen shpirtërore duhet të qëndrojmë larg epshit dhe zemërimit siç na orientojnë urdhrat e Allahut (xh.xh.). Me një thënie tjetër, të jesh njeri do të thotë që t’i kesh nën kontroll epshin dhe zemërimin.   Nisur nga këto që thamë më lart, vetëm kafshët nuk mund t’i marrin nën kontroll zemërimin dhe epshin. Ata, nisur nga natyra në të cilën janë krijuar, e sulmojnë çdo gjë që e shikojnë në kundërshtim me to. Ndërsa njeriu që është njeri, e përdor epshin dhe zemërimin në vendin e duhur dhe nuk bie rob i tyre. Ai asnjëherë nuk merr hak për çështje personale. Shembulli më i bukur i mistikëve në lidhje me këtë çështje është ngjarja me Ali ibn Ebi Talibin (r.a.), i cili e fali qafirin që e pështyu në fytyrë dhe nuk ia hoqi kokën, ngaqë nefsi u përzie në atë çështje. Mevlana, Xhelaleddin Rumiu e tregon këtë ngjarje duke e vënë Aliun (r.a.), në rolin e folësit: “Zemërimi është padishahu i padishahëve, por ai është robi ynë.

Unë ia kam lidhur gojën zemërimit. Shpata e butësisë sime ia ka prerë kokën zemërimit tim. Për këtë arsye, zemërimi i Zotit është bërë mëshirë dhe prehje për mua (shpresoj që Zoti të mos më ndëshkojë). Prandaj, kur po luftoja, e gjykova më të drejtë uljen e shpatës, ngaqë mendova se mund të kaplohesha nga egoizmi dhe zemërimi kur më pështyve në fytyrë.” Sipas mistikëve, shkaku më kryesor i ngushtimit të zemrave është e vërteta se njerëzit mendojnë vetëm për nefsin e tyre duke e nënvlerësuar botën shpirtërore dhe se janë të përkushtuar për të bërë një jetë plot argëtim e dëfrim. Kur nefsi mësohet të bëjë çfarëdo që të dëshirojë dhe kur i jepet çfarëdo që të kërkojë, asnjëherë nuk mund të bëhet i lumtur, por përkundrazi, siç e shtojnë më tepër drutë zjarrin, edhe këto e shtojnë zjarrin e epshit të nefsit. Si rezultat, tymi i këtij zjarri e nxin dhe e ngushton zemrën. Për këtë arsye, nëse dëshirojmë ta pakësojmë tymin që gjendet në zemrat tona, së pari duhet të përpiqemi të mos i hedhim më shumë dru atij dhe ta fikim. Kur njeriu bën çfarëdo që i kërkon nefsi, nefsi fillon e kaplohet nga prirja për të zotëruar.

Pastaj fillon e zemërohet kundrejt atyre që nuk e lavdërojnë dhe nuk e duan. Kur nefsi fillon ta shikojë ekzistencën e saj mbi çdo gjë tjetër, vjen në një gjendje që nuk pranon asnjë lloj kundërshtimi. Për këtë arsye, mistikët e konsiderojnë të domosdoshme vrasjen e nefsit, domethënë, marrjen e tij nën kontroll të rreptë. “Vendosja gishtin kokës dhe vrite atë nefsin e keq, sepse, për shkak të atij nefsi të keq, çdo moment cenon ekzistencën e ndonjë krijese të nderuar.Për shkak të nefsit, e gjithë kjo botë e gjerë të duket e ngushtë. Për shkak të nefsit, lufton me Zotin dhe me njerëzit.Nëse e vret nefsin (nuk i merr në konsideratë kërkesat e tij) dhe nuk ia dëgjon fjalën, do të shpëtosh nga kërkimi i ndjesës ndaj të tjerëve në sajë të mosrënies në gabime. Përveç të tjerash, nuk do të kesh asnjë armik në vendin ku jeton.” (Vëll, II, 783-85)

Sipas mistikëve, vrasja e nefsit ka dy dimensione. Dimensioni i marifetit dhe dimensioni i veprës. Dimensioni i marifetit do të thotë të perceptosh se ka një qenie e cila na bën të zemërohemi, na mbush botën tonë të brendshme plot e përplot me ndjenja negative dhe që na shfaqet si mik, por që në të vërtetë është një armik që na shpie drejt shkatërrimit të sigurt. Kur besimtari i devotshëm e mëson një herë se nefsi është armik i vërtetë i njeriut, nuk ua vë veshin pëshpëritjeve të tij. Për fat të keq, në ditët e sotme shumë myslimanë janë kapluar nga pëshpëritjet e nefsit emmare. Si rezultat, i zbatojnë me plot kënaqësi të gjitha urdhrat e tij. Së dyti, mistikët e shuajnë zjarrin e nefsit që gjendet në zemër me anë të dritës së përmendjes së Allahut të Lartësuar. Drita e nuri i përmendjes së Allahut Teala që përftohet nga gjuha e një besimtari të devotshëm, i djeg të gjitha ndjenjat e këqija që gjenden në zemër, madje, e shuan edhe zjarrin e zemërimit. Për sa i përket kësaj çështjeje, mistikët e kanë bërë udhërrëfyes këtë hadith fisnik për veten e tyre.

Kur njerëzit e devotshëm dhe ata që i bëjnë dhikër Allahut të kalojnë mbi Siratin (ura e Siratit që do të vendoset mbi Xhehenem), zjarri i Xhehenemit fillon të flasë dhe u thotë: “O besimtarë! Kaloni shpejt, sepse drita juaj e shuan zjarrin tim.” (Xhamiu’s-Sagir). Zemra e mistikut zgjerohet aq shumë me përmendjen e Allahut Teala saqë ai nuk u përgjigjet të këqijave që i bëhen atij dhe që kanë të bëjnë vetëm me atë. Pasqyra e zemrës së tij nuk ndotet me avullin e veprave që bëjnë robërit e tjerë. Zemërgjerësia nuk është një çështje që ka të bëjë vetëm me mirësjelljen personale të njeriut siç pandehin disa. Përkundrazi, siç shprehet shpesh edhe Imam Rabbani (r.a.), në Mektubatin e tij, ajo ka të bëjë edhe me të ardhmen e njeriut në jetën tjetër.

Këto hadithe fisnike që Imami i ka përfshirë në letrën e tij të 98-të, janë tepër të rëndësishme sa i takon të vërtetës se njerëzit me zemër të ngurtë nuk do të hyjnë dot në Xhenet: “Kini kujdes, po ju tregoj për njeriun që e ka haram (të ndaluar) hyrjen në Xhehenem dhe që Xhehenemi e ka haram ta djegë atë. Ky është njeriu modest, që ua lehtëson gjërat të tjerëve, i dashur dhe i butë.”(Ahmed, Musned, nr: 3938.) “Besimtarët janë të qetë dhe të butë si një deve që i është vënë kapistra në hundë (kokë). Nëse lidhen në një vend, qëndrojnë të qetë. Nëse u kërkohet të ulen në ndonjë gur, ulen.” (Dejlemi, el-Firdevs, nr: 6583) (Mektubat, vëll. I, letra e 98-të.) Përfundimisht, dhikri që bëhet për Allahun Teala i pastron katër faktorët kryesorë që përbëjnë njeriun e që janë: ajri, uji, toka dhe zjarri. Si rezultat, në pah dalin njerëz me zemër të dëlirë dhe të gjerë. Ata janë zemërgjerë ndaj kadasë dhe kaderit të Allahut (xh.xh.) dhe vështirësive që u shkaktojnë njerëzit e tjerë. Prandaj, i lutemi Zotit (xh.sh.), që të na bëjë prej këtyre robërve dhe të na dhurojë zemërgjerësi!

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-