Pastërtia dhe ruajtja e mjedisit nga prizmi islam

Opoja.net Opoja.net Artikuj Uncategorized

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Tema e hutbes së sotme është:
Pastërtia dhe ruajtja e mjedisit nga prizmi islam

Të nderuar vëllezër besimtarë;

Problemi i mjedisit është një nga problemet më serioze të njeriut të sotëm. Ky problem nuk na kërcënon vetëm neve, por gjithë botën edhe brezat e ardhshëm dhe të drejtën e tyre për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm.

Mbrojtja, ruajtja dhe përgjegjësia për mjedisin, janë ndër detyrat e para të muslimanëve, të konfirmuara me Kuran dhe sunet. Mjedisi i pastër dhe i shëndetshëm është kusht për mbijetesën e njerëzve, bimëve dhe kafshëve. Pa planetin e pastër Tokë nuk do të kishte jetë në të, dhe këtë më së miri na e tregon fakti i mposhtëm: 1.2 miliardë banorë të planetit në të cilin jetojmë është i privuar nga uji i pijshëm, kurse parashikohet se me këtë problem deri në vitin 2025, do të përballen madje 2.3 miliardë persona. Çdo ditë vdesin 3800 fëmijë për shkak të mungesës së ujit. Këto, vëllezër, janë të dhëna shqetësuese. Të dhëna, të cilat duhet ta ndezin alarmin te ne. Sepse ndoshta dje, nga ky problem ka vdekur një fëmijë në Afrikë, por nëse ne vazhdojmë të sillemi në këtë mënyrë, nesër do t’i vijë radha fëmijës tim dhe fëmijës tënd.

Jo shumë kohë më parë, në kohën kur baballarët tanë ishin të rinj, ishte kohë e tillë që në lumenjtë dhe përrenjtë tonë, ke mundur të pishë ujë, të marrësh abdest …. Kurse sot, çka po ndodh me lumenjtë tonë? Për vetëm 30 vjet, ne, që e quajmë veten “modern”, ne, që veten e quajmë muslimanë, i kemi zhdukur dhe shkatërruar ato që paraardhësit tanë i kanë ruajtur dhe mbrojtur me vite. Ne, lumenjtë dhe përrenjtë i kemi shndërruar në kanalizime, në vende për ujëra të zeza, vende ku shkojnë të gjitha ndyrësirat e mundshme.

Ka thënë Pejgamberi (savs): “Ruhuni nga tre gjëra që shkaktojnë mallkim: kryerja e nevojës (fiziologjike) në burimet e ujit, në rrugë dhe në hije.” (Ebu Davudi; Ibn Maxhe; Ibn Hibani)

Vëllezër të dashur, Ne, që për vete themi se jemi muslimanë, a jemi të vetëdijshëm për peshën dhe rreziqet e këtij hadithi? Natyrisht jo. Sepse të gjitha ujërat e zeza, të gjitha mbeturinat tona, ndodhen pikërisht në burimet e ujit, në rrugë ose në hije.
Vëllezër, numri i pacientëve me kancer të mushkërive është vazhdimisht në rritje, dhe për çdo vit po regjistrohen raste të reja…

Nëse kemi parasysh faktin se rajoni ynë është një nga më të ndoturit në Evropë, atëherë nuk duhet të na befasojë numri i madh i pacientëve me kancer.

Vëllezër, nuk është rajoni ynë më i ndoturi në Evropë vetëm për shkak të termocentraleve, por rajoni ynë është më i ndoturi, për shkak se politikanët janë ata që i trillojnë ligjet, kurse qytetarët tanë janë të papërgjegjshëm ndaj natyrës që i rrethon.

Se ky pohim është i vërtetë, vëllezër, nuk duhet shumë mendje, dituri apo hulumtime, por vetëm nevojitet që ta shikojmë oborrin e fqinjit ose oxhakun e tij dhe do të shohim se fqinji ynë në vend të t’i hedh në kontenier të mbeturinave rrobat e vjetra, qilimat, stiroporin, gomat, plastiken…, ai i djeg ato në mes të fushës ose në kazan.

Çka mendoni vëllezër, a do të na bëj hallall fqinji ynë që po e vrasim ashtu atë dhe familjen e tij? A jemi të vetëdijshëm se në këtë mënyrë do të bëhemi vrasës të tërthortë të fqinjëve tanë dhe mjedisit?

E kam dëgjuar një profesor i cili kishte shëtitur në Lindje dhe në Perëndim, duke thënë: “Shteti më i mirë islam në të cilin kamë qenë unë është Zvicra!” Pse Zvicra? Sepse atje është e pamundur të bëjmë atë që muslimanët bëjnë këtu te ne, ose në ndonjë vend me shumicë muslimane!

Vëllezër, çka është Islami?

Islami përveç shqiptimit të shehadetit, namazit, zekatit, agjërimit dhe haxhit – është edhe ruajtja e mjedisit të tij, përkatësisht, natyrës.

Ne shqiptarët dimë të jemi muslimanë të mirë kur jemi në Perëndim. Sepse përveç të gjitha detyrimeve që i bëjmë si muslimanë, ne kujdesemi edhe për natyrën atje. Ne kujdesemi aq shumë për atë natyrë, “për natyrën e tyre perëndimore”, sa që kur e thithim cigaren, pjesën e mbetur e bartim disa qindra metra, për ta hedhur në shportën e plehrave. Bravo! Ashtu edhe duhet, sepse kjo është karakteristikë e muslimanit të vërtetë.

Por, o vëllezër, përse nuk jemi muslimanë aq të mirë edhe kur e kalojmë kufirin dhe hyjmë në Kosovë?

Pse sapo vijmë në këtë Kosovën tonë të dashur, gjëja e parë që bëjmë i hapim dritaret dhe i hedhim të gjitha mbeturinat evropiane në vendin tonë të dashur të Kosovës?

Pse më shumë i ruajmë rrugët perëndimore sesa oborret e xhamive tona?

Edhe një herë, nga ky vend i nderuar po ritheksoj se pirja e duhanit është haram, e nëse pjesën e mbetur të cigares e hedhim në vend të pa paraparë, siç veprojnë disa, atëherë e fitojmë haramin në katror.

Vëllezër të dashur,

Duhet ta dimë se çdo hedhje e mbetjes së cigares, çdo letër e hedhur, në një vend që nuk është paraparë për të, është mëkat i madh. Sepse hedhja e mbeturinave në rrugë, në lumenj dhe në hije, në një farë mënyre është vrasje.

Thotë Allahu i Plotfuqishëm: “Mos bëni ngatërresa në Tokë, pasi në të është vënë rregull. Kjo është më mirë për ju, nëse jeni besimtarë!” (el-A’raf, 85)

A jemi ne ata që vendosin rendin në Tokë apo ata që bëjmë ngatërresa, nuk kemi nevojë të mendojmë shumë.

Allahu e ka krijuar ajrin të pastër kurse ne po e ndotim.

Allahu i ka krijuar lumenjtë të pastër kurse ne i ndotim.

Allahu nuk ka krijuar deponi mbeturinash, por ato i bëjnë njerëzit.

Allahu e krijoi shtresën e ozonit pa vrima, kurse njerëzit i shkaktojnë ato vrimat.

Allahu ka krijuar pyje të mjaftueshme që të jenë mushkëri të Tokës, por njerëzit, më shumë nga lakmia se sa nevoja, i presin ato.

Allahu i ka krijuar kafshët që ta na shërbejnë, kurse ne i shfrytëzojmë dhe i shfarosim për kënaqjen e pasioneve tona të ulëta njerëzore.

Në mënyrë që t’i shmangemi statusit të atyre që bëjnë ngatërresa në Tokë, duhet t’i dëgjojmë dhe t’i zbatojmë në jetë hadithet e mëposhtme.

Thotë Pejgamberi (savs): “Largojeni nga rruga atë që i pengon njerëzit.”

Gjithashtu Pejgamberi (savs) thotë: “Më janë treguar veprat e mira dhe të këqija të umetit tim, dhe unë pashë se prej veprave më të mira është të hiqet nga rruga ajo që ju pengon njerëzve, ndërsa prej veprave të këqija është lënia e papastërtive në xhami.”

Pejgamberi (savs) e ka thënë edhe këtë hadith: “Kush e heq një gurë nga rruga do t’i shkruhet një vepër e mirë, ndërsa kujt i shkruhet vepra e mirë do të hyjë në xhenet.”

“Islami është fe e pastër, andaj bëhuni të pastër! Në xhenet mund të hyjë vetëm ai që është i pastër.”

Falënderojmë Allahun në fillim dhe në fund, dhe i dërgojmë salavat Pejgamberit tonë të dashur Muhamedit (savs).

Përshtati: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-