Prokuroria Themelore në Prizren, ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj ish-kryetarit të Dragashit, Salim Jenuzi, që akuzohej për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa për të akuzuarin tjetër, Nexhat Selaj, ka vazhduar administrimi i provave.
Një gjë të tillë, prokurori Genc Nixha, e ka bërë në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prizren.
Lidhur me këtë rast që zhvillohet në rigjykim, prokurori Genc Nixha, ka deklaruar se tërhiqet nga ndjekja penale ndaj të akuzuarit Salim Jenuzi, ndërsa për të akuzuarin Nexhat Selaj ka thënë se qëndron pranë ndjekjes penale.
Ndryshe, në këtë seancë, në pajtim me palët, janë konstatuar si të lexuara disa prova, dhe deklarata të dëshmitarëve dhënë në seancat e shqyrtimeve të kaluara, më pas ka vazhduar marrja në pyetje e të akuzuarit Selaj.
I akuzuari Selaj ka thënë se mbetet prapa të gjitha dëshmive të cilat i ka dhënë deri më tani për shqyrtimin e aneks objektit. “Posedoj aktvendimin e lëshuar nga Kuvendi Komunal i Dragashit, për ndërtimin e aneksit në fjalë, si dhe posedoj të gjitha specifikacionet teknike urbanistike”, ka deklaruar ai.
Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, gjatë seancës gjyqësore, e ka ballafaquar të akuzuarin Selaj me një deklaratë kundërthënëse, duke e pyetur nëse i janë ndërprerë ndonjëherë punimet nga ana e inspektorëve komunalë dhe nëse i janë vendosur shiritat për ndalimin e punës.
I akuzuari Nexhat Selaj, ka deklaruar se “nuk kam pohuar asnjëherë se janë vënë shiritat e ndalimit të punimeve në aneks objektin përkatës”.
“Në shqyrtimin e datës 8 shtator 2017, në mbrojtjen e juaj në pyetjen e prokurorit të shtetit se a i keni ndërprerë punimet, keni deklaruar për një moment po, i kam ndërprerë për një kohë rreth 1 – 2 orë derisa janë larguar inspektorët nga vendi i ngjarjes, pastaj kam vazhduar me ndërtimin”, ndërsa tani po deklaroni të kundërtën, ka deklaruar gjyqtarja Skenderi.
Tutje, në këtë seancë, është dhënë edhe fjala përfundimtare për të akuzuarin Selaj.
Prokurori i shtetit, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se mbetet në tërësi pran aktakuzës sa i përket të akuzuarit Nexhat Selaj, që ka të bëjë me veprën penale uzurpim i paligjshëm i pronës.
“Në deklaratën e dhënë në seancat e mëparshme e për të cilat sot çuditërisht i kundërshton, janë vërtetuar se i njëjti ka tejkaluar lejen e ndërtimit e cila është vërtetuar edhe me daljen e inspekcionit në objektin e tij, si dhe nga deklarata e tij e dhënë para këtij trupi gjykues, i njëjti ka deklaruar se ka kërkuar leje për zgjerim të objektit por nuk ka pritur fare për marrjen e vendimit, e pastaj të veproi në bazë të vendimit”, ka thënë prokurori.
Lidhur me këtë, prokurori Nixha, ka propozuar që trupi gjykues ta shpall fajtor të akuzuarin dhe ta dënojë sipas ligjit.
Ndryshe, nga kjo, i akuzuari Selaj në fjalën përfundimtare të tij ka deklaruar se, nuk e ndien veten fajtor për këtë çështje penale, pasi që nga Kuvendi Komunal i Dragashit – Drejtoria për Urbanizëm dhe Kadastër më 31 gusht 2011, i është dhënë leja për ndërtim, duke shtuar se punimet i ka filluar pas një muaji, e jo më herët siç ka deklaruar prokurori Nixha.
Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, e ka shpallur të përfunduar shqyrtimin gjyqësor, për të cilin shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar më 9 tetor 2018, në orën 13:30.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren pretendon se Salim Jenuzin, duke qenë kryetar i Komunës së Dragashit, në periudhën 2009-2016, i ka mundësuar Nexhat Selajt, përvetësimin e pronës komunale, të cilën ky e kishte uzurpuar paraprakisht.
Ndërsa, Nexhat Selaj akuzohet se gjatë periudhës 2009-2016, ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën komunale të Komunës së Dragashit, në të cilën ka ndërtuar objekt afarist me karakter të përhershëm, megjithëse kishte leje për shfrytëzim të përkohshëm.
Gjykata Themelore e Prizrenit, më 21 nëntor 2017, ka shpallur fajtor të akuzuarit Jenuzi dhe Selaj por një aktgjykim të tillë e ka prishur Gjykata e Apelit.
Gjykata Themelore në Prizren, kishte dënuar ish-kryetarin Jenuzi me një vjet burgim, i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda dy viteve ai nuk kryen vepër të re penale. Ndërsa, Nexhat Selaj, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht që brenda dy viteve të mos kryeje vepër tjetër penale.
Mirëpo, me 25 janar 2018, Gjykata e Apelit ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim sa i përket të pandehurve Salim Jenuzi dhe Nexhat Selaj, ndërsa për dy të akuzuarit tjerë, Bean Haxhihasani dhe Vetim Hasani, të cilët ishin liruar nga akuzat, Apeli ka vërtetuar aktgjykimin në fjalë.
Në aktgjykimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të arsyetojë vendimet për dënimin e të akuzuarve Jenuzi dhe Selaj, duke mos treguar saktësisht veprimet e secilit me qëllim të kryerjes së veprës penale për të cilën akuzohen.
Apeli ka kërkuar që Gjykata Themelore e Prizrenit, gjatë ri shqyrtimit të kësaj çështje penale të arsyetojë ndërlidhjen e provave që përmban aktakuza dhe të tregojë nëse kryetari ka pasur apo jo të drejtë të nënshkruajë lejen në vend të drejtorit komunal që ka munguar.
Po ashtu Apeli ka kërkuar precizimin e kohës së kryerjes së veprës penale pasi që kanë konstatuar se ish-kryetari Jenuzi ka nënshkruar një dokument dhe nuk mund të qëndrojë koha e kryerjes së veprës penale nga 31 gushti 2011 e deri më 2016./Betimi per Drejtesi
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.