Shpëtoje prej pushtimit dorën, gjuhën, syrin, veshin, zemrën dhe mendjen tënde!.. Çliroje vetveten!.. Shikoje njëherë veten, a je me të vërtetë i pushtuar? Shikoje njëherë dorën, gjuhën, syrin, veshin, zemrën dhe mendjen tënde!.. A janë të gjitha aftësitë e tua në harmoni me qëllimin e krijimit dhe a janë në të njëjtin drejtim? Apo mos ndoshta ndonjë prej gjymtyrëve të tua është hedhur tutje nga ndonjë furtunë?
Je në namaz, por pse nuk është edhe zemra jote aty? Përse po shëtit botën (në namaz)? Ke ardhur para Zotit tënd, por pse zemra dhe mendja jote ka mbetur jashtë në ndonjë vend tjetër? Përse po e përdor gjuhën për të përgojuar një besimtar tjetër? A nuk po përmendje Zotin tënd pak më parë?.. Dora jote po i jep sadaka atij të varfrit, por përse zemra jote nuk të thotë, “ndal”, ndërkohë që je duke zgjedhur atë më të pavlefshmen, duke të të kujtuar fjalën e Allahut, “…Mos dhuroni nga ato gjëra të pavlefshme të pasurisë suaj, të cilat ju nuk do t,i pranonit ndryshe veçse symbyllur…”1? A e kupton se ku janë duke shikuar sytë e tu?
A je i mprehtë në dallimin midis shikimit hallall dhe atij haram? Ai (Allahu) është me ty, po ti më ke je? Besimtari është njeri që e ka të njëjtë botën e brendshme dhe të jashtme. Besimi është çështje vendosmërie. Çështja e “dominimit të besimit në zemër”, për të cilën flitet në Kuran, shpreh plotësimin e kësaj vendosmërie. Dhe kjo, është një fazë shumë më e avancuar se sa faza e hyrjes në kuadrin e Islamit. Ky është një Islam për të cilin është dhënë mund, mbi të cilin është dridhur, i cili nuk është lejuar të marrë plagë dhe që dendësia e tij në zemër ka depërtuar deri në kapilarët e gjakut. Të tregosh kujdes të mos shkelësh mbi gjemba kur je duke ecur në një rrugë me ferra.
Në kohën tonë, kur shejtani tashmë posedon edhe institucione gjigande, mbase duhet të ecim edhe në rrugë të minuar. Mirëpo, duhet të kemi sukses të kalojmë në këto fusha të minuara për ta çuar këtë amanet tek Krijuesi me “faqe të bardhë”. Por, të ikësh me faqe të bardhë, nuk do të thotë të lëmë çdo pjesë të personaliteti tonë në këtë fushë të minuar. Ne duhet të mendojmë mirë se çfarë përgjigje do të japim nëse Zoti ynë na pyet: “ku e le zemrën?”, “Ç,është kjo mendje e plagosur?”,
“Përse në sytë e tu ka papastërti gjynahesh?”, “Përse kanë ecur këmbët e tua në gjurmët e shejtanit?”, “Përse në duart e tua ka gjurmë padrejtësie?” dhe “Përse në gjuhën tënde gjendet gjaku i vëllait tënd të vdekur?”. Duhet të shohim veten! Duhet të shohim se në cilën fushë të personalitetit tonë dhe si ka ndodhur pushtimi. Duhet të llogarisim vetveten pa ardhur dita e llogaridhënies. Prej çdo Meke të çdo kohe, dalin edhe Medina. Ata që kapërcejnë Mekën, e çlirojnë atë. Ata që çlirojnë vetveten, çlirojnë edhe Mekën.
Autor: Kushtrim Guraj
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.