Lënda penale kundër ish-kryetarit të Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, i cili në nëntor 2017, ishte dënuar me një vit burgim me kusht, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, me arsye se ka shkelje esenciale të procedurës penale.
Apeli po ashtu ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim sa i përket edhe të akuzuarit Nexhat Selaj i cili ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, ndërsa për dy të akuzuarit tjerë, Bean Haxhihasani dhe Vetim Hasani, të cilët ishin liruar nga akuzat, Apeli ka vërtetuar aktgjykimin në fjalë.
Në aktgjykimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të arsyetojë vendimet për dënimin e të akuzuarve Jenuzi dhe Selaj, duke mos treguar saktësisht veprimet e secilit me qëllim të kryerjes së veprës penale për të cilën akuzohen.
Apeli ka kërkuar që Gjykata Themelore e Prizrenit, gjatë rishqyrtimit të kësaj çështje penale të arsyetojë ndërlidhjen e provave që përmban aktakuza dhe të tregojë nëse kryetari ka pasur apo jo të drejtë të nënshkruajë lejen në vend të drejtorit komunal që ka munguar.
Po ashtu, Apeli ka kërkuar precizimin e kohës së kryerjes së veprës penale pasi që kanë konstatuar se ish-kryetari Jenuzi ka nënshkruar një dokument dhe nuk mund të qëndrojë koha e kryerjes së veprës penale nga 31 gushti 2011 e deri më 2016.
Ndryshe, më 21 nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prizren, kishte dënuar ish-kryetarin Jenuzi me një vjet burgim, i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda dy viteve ai nuk kryen vepër të re penale.
Po ashtu ishte dënuar edhe Nexhat Selaj, për uzurpim të pronës së paluajtshme me gjashtë muaj burgim, me kusht që brenda dy viteve të mos kryeje vepër tjetër penale.
Ndërsa, dy të akuzuarit tjerë, Bean Haxhihasani dhe Vetim hasani, ishin liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare pasi që sipas gjykatës, nuk ishte arritur të provohet se të njëjtit kishin kryer veprat për të cilat akuzoheshin.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Prizren dhe mbrojtësi i të akuzuarit, Jenuzi, avokati Ruzhdi Berisha, kanë ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë.
Po ashtu ka bërë ankesë edhe i akuzuari Nexhat Selaj, i cili në ankesë ka thënë se si ai mundësi të dënohet për uzurpim kur ai ka pasur leje, pa marrë parasysh se kush e ka nënshkruar atë leje.
Kolegji i Apelit pasi ka shqyrtuar ankesat, ka aprovuar ankesën e avokatit Berisha, duke e kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje, ndërsa ankesën e prokurorit ndaj aktgjykimit lirues të të akuzuarve Haxhihasani dhe Hasani e ka cilësuar si të pabazë.
Prokuroria Themelore në Prizren pretendon se Salim Jenizin, duke qenë kryetar i Komunës së Dragashit, në periudhën 2009-2016, i ka mundësuar Nexhat Selajt, përvetësimin e pronës komunale, të cilën ky e kishte uzurpuar paraprakisht.
Ndërsa, Nexhat Selaj akuzohet se gjatë periudhës 2009-2016, ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën komunale të Komunës së Dragashit, në të cilën ka ndërtuar objekt afarist me karakter të përhershëm, megjithëse kishte leje për shfrytëzim të përkohshëm.
Po ashtu, Bean Haxhihasani, akuzohej se në cilësinë e drejtorit të urbanizmit në Komunën e Dragashit, ka leshur vendim me të cilin i është lejuar Nexhat Selajt, që të ndërtojë objektin afarist në pronë komunale.
I akuzuari tjetër, Vetim Hasani, akuzohej se duke qenë inspektor i ndërtimit në Komunën e Dragashit, nuk ka vepruar për të ndërprerë ndërtimin e objektit afarist të Nexhat Selajt, me material të përhershëm. /Betimi për Drejtësi
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.