Qyteti i Prizrenit pritet të jetë shtëpia e dytë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ngaqë atje së shpejti do të zhvendosen disa departamente të kësaj ministrie. Departamenti i Trashëgimisë Kulturore dhe ai i Kulturës, që nga muaji shkurt i vitit të ardhshëm do të funksionojnë nga ky qytet, tha për Radion Evropa e Lirë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
“Ne tashmë kemi një vendim të Qeverisë së Kosovës sa i përket bartjes së Ministrisë së Kulturës në qytetin historik dhe kulturor të Prizrenit. Kjo ka qenë një prej iniciativave tona të para për shkak të shumë karakteristikave që ka qyteti i Prizrenit, duke përfshirë aktivitetet kulturore që i ka ky qytet, qoftë festivaleve të ndryshme me karakter ndërkombëtar”.
“Duke u mbështetur në karakteristikat historike që ka qyteti i Prizrenit dhe një pasuri të trashëgimisë kulturore, pastaj shumë monumenteve…, dhe këto kanë qenë arsyet që kemi menduar që Prizreni meriton të ketë selinë”, theksoi Gashi.
Por, komuniteti i artistëve në vend konsideron se përkrahja për këtë kategori gjithmonë ka munguar.
Arian Krasniqi, dramaturg dhe ish-drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës tha se zhvendosja e institucionit nga Prishtina në Prizren nuk ka aq rëndësi, sa do të kishte përkrahja më e madhe e artistëve në Kosovë.
“Mendoj që qyteti i Prizrenit shquhet për nga vlerat kulturore dhe artistike dhe çdo angazhim institucional për ta forcuar identitetin e vet si qytet kulturor, në parim është i mirë. Këtë përpjekje e shoh më tepër si politike në këtë fazë sesa diçka që konceptohet si vizion për të ardhmen”, tha Krasniqi.
Ndërkohë, sipas ministrit Kujtim Gashi tashmë Komuna e Prizrenit do të ndajë dy objekte të parapara për Ministrinë e Kulturës.
“Ne jemi duke përgatitur zhvendosjen e ministrisë atje, dhe gjithashtu kemi biseduar edhe me zyrtarë nga Komuna e Prizrenit për ndarjen e dy objekteve ku ne po mendojmë të vendosemi. Ka pasur zëra që kanë thënë se si është e mundur që gjithë ministria të zhvendoset në Prizren, por ky institucion do të jetë në dy qytetet, e edhe në Prishtinë”.
“Stafi do të jetë i njëjtë, sidomos pjesa politike, derisa stafi i shërbimit civil me marrëveshje do të zhvendoset. Ata që nuk janë të gatshëm nuk do të shkojnë pa vullnetin e tyre”, shpjegoi Gashi.
Halil Matoshi, këshilltar politik i kryeministrit të Republikës së Kosovës, tha se tashmë është marrë vendim nga ministri i Kulturës që një pjesë e këtij dikasteri të shkojë në qytetin e kulturës, në Prizren.
“Kryeministri i mbështet të gjitha veprimet e dikastereve qeveritare që janë në funksion të ngritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve, përkatësisht të ngritjes së kapaciteteve menaxhuese të kulturës së vendit”.
“Është një zyre atje që jep shërbime e që është më afër qytetarit, një delegim i pushtetit. Mendoj se ministri e ka paraparë që stafin ta ketë edhe nga qyteti i Prizrenit”, tha Matoshi.
Ndryshe, zhvendosja e një pjese të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prizren, paraqet një praktikë të re, ngaqë deri më tani, Qeveria e Kosovës ka qenë e përqendruar me të gjitha ministritë, vetëm në Prishtinë. /REL/Telegrafi/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.