Policia kap mbi dy milionë euro të falsifikuara në Vermicë

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kronika

Policia e Kosovës, konkretisht policia kufitare, në Vermicë, në bashkëpunim me zyrtarët Doganor, në orët e hershme të mëngjesit kanë konfiskuar mbi dy milionë euro të falsifikuara.

Ata kanë ndaluar fillimisht automjetin TAXI me targa të Shqipërisë për një kontroll më të detajuar e në të cilin gjendeshin B.D, i lindur më 1972, mashkull, shtetas i Shqipërisë dhe për pasagjer kishte: F.B, i lindur më 1980, mashkull, shtetas i Kamerunit, me leje qëndrimi në Francë, transmeton Klan Kosova.

“Gjatë kontrollit të përbashkët nga zyrtarë të të dy institucioneve, në bagazh të automjetit në një çantë, në brendësi të saj janë gjetur paketime të ndryshme kartëmonedhash të dyshuara si të falsifikuara me vlerën e: 500, 200, 100 dhe 50 euro. Po ashtu, së bashku me to është gjetur edhe letër e paketuar dhe e prerë në dimensione që i përgjigjen masës së kartëmonedhave: 500, 200, 100, 50 euro”, ka njoftuar policia gjatë një konference.

Pas numërimit të kartëmonedhave të falsifikuara, ka rezultuar të jenë: dy milionë e njëqind e tridhjetë e një mijë (2.131.000) euro, si dhe dy mijë e shtatëqind e tridhjetë e tre (2733) copë letër e bardhë që do të përdorej për përpunim e kartëmonedhës 500 eurosh.

Policia si provë materiale ka konfiskuar kartëmonedhat e dyshuara si të falsifikuara, si dhe tetë shishe me preparate kimike që përdoren për falsifikim, tri folija alumini, një pako doreza plastike, dy shiringa, dy pasaporta të Kamerunit, një patentë shoferi dhe një leje qëndrimi për në Francë.

Me urdhër të prokurorit të shtetit – Departamenti i Krimeve të Rënda në Prizren dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-